Sa larg dhe sa afër paradigmës evropiane
Në këto 17 vite, bujqit shqiptarë po përjetojnë një krizë trefishe: atë ambientale, ekonomike dhe sociale. Kënetizimi i tokave dhe degradimi i tyre, erozioni, prodhimtaria e ulët, papunësia, mbingarkimi i gruas në punët e rënda të bujqësisë (shpesh ato bëjnë transport me krahë), duke lënë shumë pak kohë për t’u marrë me detyrën e saj tradicionale, punët e shtëpisë dhe edukimin e fëmijëve, të cilat janë probleme që kërkojnë zgjidhje imperative. Puna në bujqësi, në kushtet e një mungese mekanizimi dhe infrastrukture në tërësi, është rraskapitëse për bujqit (këtë e kupton vetëm ai që punon aty, ose ai që ka provuar punën e bujqësisë në fermat apo kooperativat bujqësore në të kaluarën).
Në këto 17 vite nuk ka pasur një strategji të qartë për zhvillimin e bujqësisë. Të ashtuquajturat “programe të bujqësisë” gjatë fushatave elektorale nuk kanë pasur asnjë impakt në përmirësimin e jetesës së njerëzve që jetojnë në zonat rurale, të cilët përbëjnë bazën mbi të cilën ngrihet gjithë piramida shoqërore. Nga qeveritë e mëparshme, për hir të së vërtetës janë shpenzuar para pa fund për ujitje, janë ndërmarrë disa politika parciale jo të paraprira nga analiza të hollësishme.
Duke rrëmuar në skedat e Bibliotekës Kombëtare për të siguruar një literaturë adekuate të huaj edhe shqiptare për të punuar për disertacionin tim, gjeta një “Program për Bujqësinë Shqiptare”, të shkruar nga Mehdi Frashëri. Në fakt, nuk ishte një program me kalkulime të hollësishme të rezultateve të pritshme, por një program me drejtim të orientuar, i cili ekziston brenda suazës së logjikës amerikane sot.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte analiza e mentalitetit shqiptar, mënyra se si ai trajtonte partikularitetin si një faktor pengues në zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Dhe e përfundonte këtë program me një fjali, pak a shumë kështu: “Ky program do të mund të zbatohet nëse vjen një qeveri që t’i vërë shqiptarët në punë me “dru”. Kjo qeveri e “ëndërruar” nga Mehdi Frashëri, erdhi dhe e vuri në punë “drurin”, por standardi i jetesë së shqiptarëve shënoi nivelet më të ulëta në Evropë.
Pas 100 vjetësh, bujqit shqiptarë kanë të njëjtin problem: mungesën e kooperimit, i cili në fakt është një nga akseleratorët më të rëndësishëm përkrah arsimimit, kreditimit etj., të cilët nxisin zhvillimin e bujqësisë.
Sot, duket se po shfaqet një Politikë e Re, e cila synon zgjidhjen e problemeve, jo vetëm në saje të ekspertëve por edhe të komunikimit të ngushtë me grupet e qëllimit. Në fakt, nëse e merr problemin e identifikuar dhe e vë në objektivin e programit, realisht ke realizuar gjysmën e zgjidhjes.
Të gjitha zgjidhjet në fakt bëhen të mundura përmes programeve të mira, por ajo që bota e zhvilluar industrialisht vlerëson më shumë, është komunikimi. A do të arrijmë që në administratat tona të minimizojmë numrin e atyre “njerëzve makina” që përshkruan Faik Konica tek “Doktor Gjilpëra”, burokratëve të rafinuar që motiv të vetëm kanë paranë, apo militantëve që vegjetojnë mbi karriget e tyre, në përgjim të ndonjë fjale të thënë pa kujdes aty këtu?
Po sa e rëndësishme është kjo në realizimin e një programi? Përpara disa ditësh, në një studio televizive dëgjoja një kryetar të një partie të vogël, tek i drejtonte një pyetje diversioniste një përfaqësuesi të Partisë Socialiste: -Më thuaj,- thoshte ai,- sa socialistë punojnë në Bashkinë e Tiranës? - Do doja t’i përgjigjesha këtij njeriu, në vend të atij militantit të PS, me një kundër pyetje: Po ku qëndron suksesi i Bashkisë së Tiranës?
Mjaft me politikën e vjetër “të vësh shqiptarin kundër shqiptarit”, ka ardhur ora e politikës së re: Të bashkosh shqiptarët rreth një programi që nuk përjashton kontributin e asnjë qytetari, dhe është në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.