Sa mirë me qenë shqiptar/ Fluks kërkesash në Presidencë, ja si merret nënshtetësia
Si asnjëherë më parë , kohët e fundit në zyrat e Presidencës ka kërkesa per fitim apo rifitim të shtetësisë shqiptare. Këto kërkesa vijnë qoftë nga emigrantë që kthehen dhe duan ta rifitojnë shtetësinë shqiptare , qoftë dhe nga shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia , apo dhe nga sportistë dhe të huaj. Siç duket, Presidenti është treguar i kujdesshëm në këtë drejtim sepse vetëm këto 3 muajt e fundit ka firmosur dhjetra dekrete për dhënie të shtetësisë. Por një nga kushtet kryesore që një i huaj mund të pajiset me shtetësi shqiptare është se ai duhet të ketë banuar ligjërisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme, jo më pak se 5 vjet. Aplikimi nga shtetas pa shtetësi ose të huaj për fitim dhe rifitim të shtetësisë shqiptare bëhet në komisariatin e policisë që mbulon vendbanimin e tyre në Shqipëri. Në komisariatet e policisë të rretheve kërkesat e aplikantëve për shtetësinë i trajtojnë inspektorët për të huajt. Në Ministrinë e Rendit Publik këtë procedurë e ndjek Drejtoria Qendrore e Policisë së Rendit (Sektori i Pasaportës e të Huajve) Pagesa për veprimet me shtetësinë shqiptare bëhet në momentin e dorëzimit të dokumentacionit dhe është 5000 lekë (të reja). Pasi bëhet kontrolli i dokumenteve të ardhura nga Komisariati, Drejtoria Qëndore e Policise së Rendit i kërkon mendim Drejtorisë së Policisë Kriminale për shtetasit e huaj (nëpërmjet Zyrës së Interpolit) për pengesat ligjore. Pasi dokumentet plotësohen, përgatiten propozimet respektive dhe paraqiten tek Ministri. Pas miratimit nga Ministri i Rendit Publik, dokumentet dërgohen në sekretarinë e Përgjithshme të Presidentit të Republikës. Pas mbërritjes në Sekretarine e Presidentit të Republikës nga Ministria e Rendit Publik në formë propozimi, materiali i aplikimeve shqyrtohet nga Zyra e Shtetësisë. Më pas, materiali i konsideruar i rregullt përpunohet për dekret, dhe i dorëzohet Drejtoreshës Juridike dhe ajo e paraqet tek Presidenti i Republikës. Pas aprovimit prej tij në parim të materialit, përgatitet dekreti për emrat e aprovuar. Dokumentet e nevojitura për shtetësi shqiptare janë këto : Kërkesë drejtuar Presidentit të Republikës me arsyet e aplikimit, adresën, dhe numër telefoni. Certifikatë e lindjes origjinale, e përkthyer, noteruar dhe legalizuar në ambasadën tonë në shtetin e banimit. Dokument rezidence në Shqipëri, pra leje qëndrimi, e lëshuar nga Ministria e Rendit Publik. Akti i pronësisë së banesës në Shqipëri, ose kontrata e qirasë, kontratë pune për të punësuarit, vërtetim nga zyra e tatimeve , dokument për të ardhurat, dëshmi penaliteti nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë, si dhe në shtetin nga vjen . Procedurë e ngjajshme ndiqet edhe në vende të tjera europiane , ndjekja e rregullt e këtyre procedurave, e bën çdo qytetar të interesuar të pajiset me shtetësi shqiptare .