E Diel, 1 Nëntor 2026

Poloni/ Buzek: T'i jepet fund përçarjeve mes vendeve të BE-së

Zgjedhja e një përfaqësuesi të vendeve të Evropës Qendrore në krye të Parlamentit Evropian do t'i japë fund përçarjes mes anëtarëve të vjetër dhe atyre të rinj të Bashkimit Evropian, theksoi ish-kryeministri polak Jerzy Buzek, kandidat pothuajse i sigurt për t'u zgjedhur në këtë post.
Votimi për zgjedhjen e pasuesit të kristiandemokratit gjerman Hans-Gert Pottering, është parashikuar për sot. Buzek, politikan liberal 69 vjeç, është kandidat i Partisë Popullore Evropiane (PPE, konservatore) i mbështetur gjithashtu nga socialistët dhe liberalët. "Nëse votimi i sotëm përfundon me suksesin tim, mendoj se përçarja mes anëtarëve të vjetër dhe të rinj të BE-së do të zhduket", deklaroi Jerzy Buzek në një intervistë për të përditshmen "Polska" e publikuar sot."Dikur një perde e hekurt i ndante të vjetërit dhe të rinjtë. Sot ajo është më pak e dukshme, por ekziston akoma kjo ndarje mes të rinjve (të anëtarësuar në BE në vitin 2004) dhe atyre që janë në BE që prej një kohe të gjatë", shtoi Buzek."Ne dëshirojmë që kjo përçarje të zhduket dhe ajo do të marrë fund", theksoi ai. Sipas tij, BE-ja ka nevojë sot për një marrëveshje strategjike me Shtetet e Bashkuara, duke iu përgjigjur konkurrencës në rritje të ekonomive aziatike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›