E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa mirë që shkojnë në SHBA

Pre Zogaj

Sa vjen njëri, niset tjetri. Pas Lulëzim Bashës Kreshnik Spahiu, pas Kreshnik Spahiut Edi Rama, pas Edi Ramës Ilir Meta, pas Ilir Metës  po përgatitet Sali Berisha- kjo është stafeta. Në harkun e dy tre muajve.  Të ndryshme për nga rëndësia reale, këto vizita sikur janë ngjeshur  kështu  pikërisht  për të relativizuar e  uniformuar vlerën  e tyre në planin propagandistik. Gjithsesi, nëse presupozojnë  se  takimet dypalëshe  në nivelin  e ekzekutivit janë një rutinë, ngjarja në këtë radhë vizitash  është  ajo që  nuk është rutinë, madje nuk ndodh zakonisht: pritja në  Departamentin e  Shtetit e shefit të opozitës, Edi Rama apo edhe e kreut të aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu,  sado që për vizitën e këtij të fundit  informacioni është  tepër flu. Por edhe kjo është  relative në rastin e SHBA-së,  ku duket se ka një kujdes të veçantë për të ruajtur barazpeshën formale të mysafirëve nga Tirana. Sepse  politikanët e Tiranës shkojnë në SHBA  sekush  në hesap të vet, me një ide të veten, që nuk e ndan  as me aleatët  brenda llojit. Pale me palën kundërshtare. Po të kishin të gjithë kulturën e përkatësisë  kombëtare  të miqësisë shqiptaro-amerikane do të ishin më të organizuar në kalendarizimin dhe mbarëvajtjen e këtyre vizitave.  Nga ana tjetër vetë Uashingtoni  ka marrë në këtë  vend të vogël  cilësitë  e një  sfinksi  ku të gjithë shkojnë të  falen, të  zbardhen apo  të marrin  bekimin  e  një falli  politik. Të gjithë? Të gjithë jo. Por kush është dikushi, kush përpiqet, kush ka një ftesë, kush ka një grup që lobon dhe së fundi  kush paguan për të siguruar  disa takime.  Nga kjo pikëpamje SHBA i kanë liberalizuar marrëdhëniet me  faktorët dhe aktorët shqiptarë.  Është kaq banale në thelb. Por nuk ka një zgjidhje  me të mirë  se kjo zgjidhje e keqe përkundrejt një vendi ku amerikanizmi përdoret si anabolizant  për të krijuar diferencë  artificiale me rivalët. Fantapolitika  provinciale  argëtohet të gjejë në secilën prej  vizitave të fundit  një  kulisë apo një  plan amerikan, sikur fjala vjen Lulëzim Basha është pritur si yll në ngjitje,  Kreshnik Spahiu si lojtari rezerve i opsionit  të bashkimit  kombëtar,  Edi Ramas si kryeministri i ardhshëm, Ilir Meta si outsider për zgjedhjen  e negociuar të Presidentit të  Republikës, Sali Berisha si  dikush që duhet të largohet butë përmes zgjedhjeve të lira. Ka gjithnjë diçka të vërtetë dhe njëkohësisht fluide  në  këto hamendje. Por e vërteta me këmbët në tokë është ajo që dimë dhe  duhet ta dimë të gjithë.  Asnjëra prej  vizitave nuk është bërë me ftesë zyrtare  nga institucionet  shtetërore amerikane. Të gjithë janë ftuar sipas rastit nga ndonjë  organizatë apo forum i shoqërisë  civile amerikane.  Të gjithë  i janë  afruar në këtë formë Uashingtonit. Atje e kanë rregulluar të priten nga zyrtarë të  caktuar, që nuk ua kanë  prishur.  Në këtë  pikë  duhet të ndihet keq vetëm kryeministri, pasi  këtij, për shkak të postit që ka, nuk i ka hije të pritet  me  ndërmjetës, ca më keq me lobim të paguar në një vend aleat dhe mik. Pavarësisht nga këto, lajmi i mrekullueshëm është  se  shkojnë në SHBA. Edhe kur janë kaq spontanë, kaq  privatë e  kaq  të mbyllur. Edhe kur  vrapojnë si në një gar렠 që kush të  duket  apo të shitet  më i begenisuri, më i pëlqyeri,  më i përzgjedhuri  nga  amerikanët,  prapë bëjnë shumë mirë që shkojnë në SHBA. Pas kaq vitesh  mbështetja e pakufishme amerikane për Shqipërinë dhe popullin shqiptar nuk mund të keqpërdoret më askush. Nga ana tjetër  përvoja e viteve të fundit ka treguar  se politikanët tanë  kthehen  nga  SHBA më të mirë se sa shkojnë.   Ndoshta ngaqë  në tempull  u flitet më hapur se në Tiranë.  Ilir Meta nuk e votoi  projektligjin për SHISH-in pas  vizitës së parë në SHBA.  Pas vizitës së dytë duket më i kthjellët për çështjen e Presidentit. Si kryeministër hije Rama ka  lajmëruar me vizitën e tij vazhdimësinë e palëkundur të miqësisë, por ka dhenë e ka marrë edhe mesazhin e një demokracie funksionale.  Berisha  e ka shqetësuar kohët e  fundit opinionin e gjerë properëndimor  me anabasin e  tij deri në  Azerbajxhan. Tani  e gëzon  që shkon në  SHBA. Fakti që ka kërkuar të pritet, fakti që ka guximin të takohet me zyrtarët e lartë  të  Departamentit të Shtetit është shumë pozitiv.  Besoj se hetimet për 21 janarit,  zgjerimi i hetimeve  për Gërdecin, çështja e zgjedhjeve  të lira e të ndershme dhe gjithë gama e angazhimeve  amerikane për Shqipërinë do të hyjnë në një rrjedhë  më normale pas  kësaj vizite.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›