E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa pak i duam ne fëmijët romë

Albina Hoxha

Fëmijët që kërkojnë lëmoshë në rrugët e kryeqytetit po shndërrohen, për fat të keq, në një situatë dramatike dhe në një problem që nuk përfillet nga askush! Më jep 100 lekë sepse dua të ble një bukë, nuk kam ngrënë asgjë sot… Kjo nuk është shprehja tashmë rutinë që dëgjohet nga kryeqytetasit. Reagimi që vjen nga pothuajse të gjithë kalimtarët është shpërfillës. Jo vetëm që nuk preken por herë-herë i venë në lojë dhe i ofendojnë fëmijët që lypin. Madje në linjat e transportit publik disa kërkojnë ti zbresin në tokë me justifikimin anjerëzor se mbajnë erë, apo se nuk lahen! Uaaaa… faturino të lutem i thuaj të zbresë…… Të tilla shprehje dëgjohen jo rrallë në autobus. Këta fëmijë të cilët vuajnë mungesën e pothuajse të gjitha shërbimeve të domosdoshme për të jetuar, përsëri nuk humbasin buzëqeshjen dhe ashtu të përbuzur ngrihen dhe fillojnë të këndojnë e kërcejnë në barakat e tyre, pa ngrënë dhe në mes të të ftohtit.

Edhe media vizive dhe e shkruar abuzon me këta fëmijë duke i fotografuar, duke realizuar reportazhe televizive me figurë të fëmijëve të vegjël, e duke cënuar të drejtat e tyre. Ata sfidojnë çdo gjë dhe vetëm një dorë iu zgjatet, dora e shoqatave të ndryshme. Shumë prej tyre nuk bëjnë publicitet por punojnë dhe iu ofrojnë këtyre fëmijëve për të ngrënë, për të mësuar dhe bëjnë të pamundurën për ti integruar në komunitet, ashtu si shumë shoqata të tjera, nuk bëjnë realisht asgjë, ama dinë të punojnë më median e dinë të shesin punën e tyre.

Ne vizituam gjatë disa ditëve të kësaj jave një prej këtyre shoqatave thuajse të padukshme për median. Ajo është Qendra Komunitare Ëngjëjt e Vegjël, një projekt i Shoqatës Kombëtare Edukim për Jetën, që ka filluar funksionimin e saj në qershor të vitit 2008 në kuadrin e programit të një qendre komunitare për fëmijë, të rinj dhe familje të Komunitetit Rom në vështirësi sociale dhe ekonomike. Projekti synon të kontribuojë në Promovimin dhe Integrimin social të Komunitetit rom i cili banon afër zonës së Stacionit të Trenit, Njësia Bashkiake Nr. 9.

Erion Prendi i cili është edhe menaxheri i kësaj shoqate, tregon se kanë bërë edhe një studim, Rezultatet kryesore ishin se në këtë zonë banojnë 44 fëmijë të grupmoshës 3-14 vjec dhe asnjë prej tyre nuk përfiton aktivitete edukative, asnjë nuk frekuenton shkollën apo kopshtin. Ata banojnë në një gjendje me rrezik të lartë shfrytëzimi dhe diskriminimi social dhe kjo është arsyeja pse ky projekt është i fokusuar në mënyrë të veçantë në këtë target grup. Qendra është e hapur për të gjithë anëtarët e komunitetit dhe ofron mbështetje sociale, edukative, shëndetësore, ofron ndihmë në ushqime dhe informacion për një integrim sa më të mirë të fëmijëve romë kryesisht.
Aktualisht janë rreth 25 fëmijë dhe 15 familje me probleme social-ekonomike të moshës 6-14 vjeç, të rinj, gra si dhe anëtarë të tjerë të komunitetit, ata që marrin mbështetje pranë Qendrës Komunitare Ëngjëjt e Vegjël.

Qendra Komunitare ofron për fëmijët e moshës 6-14 vjeç: Mbështetje social-edukative, klasa të mbështetjes shkollore dhe integrim në shkollat publike, nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet si: shkollat publike, drejtoritë arsimore, instituti i kurrikulave. Takime dhe diskutime mbi tema të ndryshme me fëmijët, aktivitete sociale, animuese, sportive, kampe verore dhe eskursione jashtë Tiranës, përkujdesje shëndetësore për fëmijët dhe vizita mjekësore për familjet, përkujdesje psikologjike dhe ushqimore (mëngjesin dhe drekën), largimin e tyre nga jeta e rrugës dhe rreziqet që ofron ajo si dhe regjistrimin e fëmijëve që për arsye të ndryshme kanë mbetur të paregjistruar si shtetas shqiptarë.

Histori të mëdha me të vegjël!

Emrah është një djalë 13 vjecar, i cili frekuenton qendren që prej vitit  2004. Emrah jeton me dajën e tij, pasi e ëma për shkak të problemeve social-ekonomike që përjeton  familja ka emigruar  jashtë shtetit. Kur u kontaktua për herë të parë ai paraqitej si një fëmjë në nevojë për kujdes, që nga nevojat bazë, si ato afektive, të kujdesit mjekësor etj. Emrah nuk e frekuentonte shkollën, ndonëse ishte në moshën e duhur. Sot falë ndërhyrjes së bërë ai është në klasën e pestë dhe ka rezultate të larta në mësime.

Arsimi 9-vjeçar është i detyrueshëm për të gjithë shtetasit shqiptarë. Por fëmijët e komunitetit rom janë të paarsimuar. Ata nuk mund të regjistrohen në kohë në shkollë dhe në rast se pas disa kohësh e gjejnë mundësinë e kanë të pamundur të regjistrohen në klasën e parë. Shkak është ndryshimi i fundit i ligjit për arsimin sipas të cilit nëse ke kaluar moshën për klasë të parë atëherë nuk mund të edukohesh më në një klasë me moshatarët.

Fëmijët e Botës dhe të Shqipërisë

FBSH-DN është një shoqatë që punon prej vitesh me komunitetin rom dhe egjiptian. Qëllimi i punës janë fëmijët, përfshirja e tyre në jetën sociale. Për të krijuar një ambjent të sigurtë për fëmijën, një shoqëri që të respektojë të drejtat e fëmijëve. Kjo shoqatë punon jo vetëm me fëmijën, por edhe familjen (pasi smund të rritet një fëmijë i shëndetshëm nëse familja e tij mbi të gjitha nuk është e fuqizuar), shkollën dhe institucionet e tjera për të siguruar një akses me të mirë për të drejtat e këtyre fëmijëve. Në qendrën e tyre ditore çdo ditë vijnë 50 -60 fëmijë të moshës 6-14 vjeç. Këta janë fëmijë që nuk e kanë frekuentuar asnjëherë shkollën ose e kanë braktisur atë. Në këto klasa bëhet çdo ditë mësim për të marrë njohuritë bazë në lëndë të ndryshme si: matematikë, gjuhë, letërsi etj.

Por nuk mungon edhe ora e aftësimit për jetën ku diskutojnë tema të ndryshme sociale si: si duhet të sillemi, të drejtat e fëmijëve, etj. Gjithashtu është edhe grupi danc, grupi muzikor ku një herë në javë fëmijët luajnë në kalçetot e zonës. Me raste festash ka aktivitete të veçanta të përgatitura deri në detaje, në mënyrë që fëmijët të gëzojnë ashtu siç duhet, shprehet kordinatorja e projektit Sonila Masati.

Zyra e pritjes dhe psikologu është shumë e rëndësishme për këtë qëndër. Kjo është një zyrë e hapur që njihet nga i gjithë komuniteti dhe të gjithë e dinë që mund të shkojnë dhe të diskutojnë probleme të ndryshme të cilat i hasin në jetën e përditshme. Ata ndihen të çliruar nga çdo lloj paragjykimi dhe e dinë që marrin një zgjidhje për çdo problem, shprehet kordinatorja e projektit. Problemet kryesore janë sociale, ekonomike, psikologjike, administrative etj.

Puna në terren

Në terren është stafi social. Çdo ditë punonjësit socialë njihen më nga afër me problematikat e komunitetit. Shpesh janë ata që i ndihmojnë këto familje për regjistrimin në gjendjen civile, shoqërime në spitale, u sigurojnë mundësitë për formim pofesional si dhe gjejnë mundësi punësimi për ta. Punonjësit social ndjekin në mënyrë të përditshme dhe frekuentimin e shkollës nga fëmijët. Për të gjitha këto bashkëpunojnë me shkollat, minibashkinë, poliklinikën si dhe shoqata që iu vinë në ndihmë këtij target grupi. FBSH ka futur për herë të parë një metodologji të re, atë të Peer Educatore. Për këtë janë përzgjedhur të rinj nga komuniteti rom dh Egjyptian të cilët janë trajnuar nga stafi i FBSH si dhe specialistë të fushave të ndryshme, duke u bërë kështu përsona kyç të komunitetit ku ata jetojnë. Këta persona janë bërë edhe ndërmjetës të komunitetit me institucionet publike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›