E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa për adet

Edhe përvjetori i katërt i shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të kremtohet pa ndonjë aktivitet të madh sportiv. Disa federata kosovare kanë vendosur që për ‘ditëlindjen’ e radhës të shtetit ta organizojnë ndonjë turne, vetëm sa për t’ia bërë adetin. Sipas krerëve të federatave, 17 shkurti është datë e papërshtatshme për të bërë diçka më shumë, e po ashtu ankohen edhe në infrastrukturën e dobët sportive.

Më 17 shkurt, Kosova do t’i mbushë katër vjet si shtet i pavarur. Megjithëkëtë, edhe këtë ‘ditëlindje’ vendi ynë do ta festojë pa ndonjë aktivitet diç të madh sportiv.

Kjo pasi 17 shkurti nga federatat kosovare konsiderohet si datë shumë e papërshtatshme për të organizuar aktivitete më të mëdha, dhe në këtë po kontribuon edhe infrastruktura tepër e dobët sportive që e ka Kosova.

Në fakt, disa nga federatat sportive të Kosovës kanë vendosur përvjetorin e katërt të shtetbërjes së Kosovës ta kremtojnë me ndonjë turne të vogël sportiv, thuajse sa për t’ia bërë adetin.

Kështu, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) 17 Shkurtin do ta kremtojë vetëm me një turne të futsallit, me karakter ndërkombëtar. Kështu që në vendin tonë as kësaj here nuk do të zbarkojë ndonjë përfaqësuese apo klub i madh evropian, i cili do sado pak do ta shuante etjen e kosovarëve për ta parë ndonjë ndeshje spektakolare duke u zhvilluar në vendin tonë.

“Tani për tani është e pamundur të bëhet diçka më shumë. Kjo pasi data e lirë e FIFA-s për zhvillimin e miqësoreve është më 27 shkurt, dhe arsyeja e dytë është se infrastruktura e dobët nuk na lejon të organizojmë diçka më shumë në këtë kohë”, tha për Express, Eroll Salihu, sekretari i FFK-së, e cila ende është në pritje që FIFA e UEFA ta lejojnë të organizojë ndeshje miqësore ndërkombëtare për Përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj.

Edhe Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), pas shumë hamendjeve, ka vendosur që me një turne ta nderojë festën e shtetbërjes së Kosovës. Përveç reprezentacionit U-18 të Kosovës, në këtë turne do të marrin pjesë edhe Zrinjevac nga Kroacia, Feniks nga Maqedonia dhe Podgorica nga Mali i Zi. Kurse, Vigori do t’i sfidojë vashat e reprezentacionit kosovar.

“Nuk është problem për të organizuar, por ne nuk kemi kushte infrastrukturore për organizim të mirëfilltë. Asnjë palestër nuk i plotëson kushtet minimale. Basketbolli luhet në + 16 gradë, kurse brenda palestrave tona është më ftohtë, sesa që është jashtë tyre”, thotë sekretari i FBK-së, Nazmi Paçarada.

Sipas tij, më mirë është që mos të organizohen fare turne ndërkombëtare, në mënyrë që ndërkombëtarët mos ta shohin fare gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendet infrastruktura sportive në Kosovë.

Po ashtu, Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) këtë ‘ditëlindje’ të Republikës së Kosovës do ta kremtojë sa për adet, me një turne ndërkombëtar të grupmoshave U-20, në cilin përveç reprezentacionit kosovar do të garojnë edhe ato të Bullgarisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

“Federata jonë e ka më së paku problem për të organizuar ndeshje të mëdha miqësore. Por, data e pavarësisë është e papërshtatshme, pasi lojtarët e reprezentacioneve të vendeve të tjera janë të angazhuar nëpër ligat e shteteve evropiane, dhe përfaqësueset e tyre nuk mund t’i ‘ndërpresin’ garat kampionale për të ardhur te ne. Por, edhe ky turneu që do ta organizojmë është i mirëseardhur, sepse ekipi ynë U-20 është bazamenti i përfaqësueses sonë”, tha sekretari i FHK-së, Izet Gjinovci.

Ditën e pavarësisë së Kosovës do ta nderojë edhe Federata e Boksit e Kosovës me turneun ndërkombëtar ‘Pavarësia’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›