E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ëndrrat e Shaqirit

Xherdan Shaqiri ka disa ëndrra, të cilat dëshiron t’i realizojë në të ardhmen. Mesfushori kosovar synon të fitojë shumë trofe me Bayern Munichun, duke përfshirë Ligën e Kampionëve. Po ashtu, 20-vjeçari dëshiron të luajë në Olimpiadë me Zvicrën. Ai e pranon se përpos Bayernit, ëndërr e kishte të luajë në Barcelonë ose Real Madrid. Familjen e konsideron si mjaft të rëndësishme, derisa zbulon se është beqar.

Xherdan Shaqiri i ka zbuluar ëndrrat që ka. Mesfushori kosovar, që së fundmi u bë lojtar i Bayernit të Munichut, të cilit do t’i bashkohet në korrik, ka zbuluar ëndrrat që dëshiron t’i realizojë gjatë karrierës.

Së pari, ai është ndalur te klubi i tij i ri, me të cilin ëndërron të fitojë sa më shumë trofe. “Dëshiroj t’i fitoj tri trofetë sezonale me Bayernin, duke përfshirë këtu edhe Ligën e Kampionëve”, është shprehur fillimisht 20-vjeçari për magazinën zvicerane Blick.

Natyrisht, futbollisti gjilanas ka ambicie të luajë në vazhdimësi me gjigantin bavarez. “Bayerni nuk harxhon shumë para për një lojtar, e më pas ta vendosë në shkallët e stadiumit. Kush shkon në Bayern, shkon për të luajtur. Unë dëshiroj ta kërkoj rastin tim, por e di se mund të përmirësohem”, vazhdoi ai.

Gjithashtu, ‘Shaq Attack’ ëndërron të luajë edhe në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’ me Zvicrën. Por, kjo varet nga Bayerni i Munichut, i cili nga 1 korriku do ta marrë në dorë kartonin e tij.

“Dëshiroj të luaj në Olimpiadë, në fund të korrikut, kjo është një ëndërr e imja absolutisht. Mirëpo, do të flas me trajnerin Jupp Heynckes. Nëse ai më thotë jo, atëherë do të bëhej puna mjaft e vështirë”, shtoi gjilanasi.

Shaqiri e pranon faktin se ëndërr e tij ishte të luajë në Barcelonë. Por, edhe transferimi në Bayern, ishte një realizim i një ëndrre. “Barcelona ndoshta është numër 1. Edhe ky klub bën pjesë në ëndrrat e mia. Barcelona, Real Madridi dhe Bayerni janë klubet më të mira evropiane”, mendon ai.

Shaqiri nuk e harron asnjëherë familjen. Ai ka nevojë për mbështetjen e saj, pasi që pa të nuk do të mund të arrinte asgjë. “Kam nevojë për mbështetjen dhe dashurinë që ma dhuron familja. Unë jam djali i tretë, kështu që jam anëtari i dytë më i ri në familje. Edhe pse marr më shumë para, babai im mbetet ‘shefi’ dhe do të mbetet gjithmonë kështu. Familja ime më ka ndihmuar që të jem ky që jam”, thotë ai.

Shaqiri zbulon se statusi i tij është ‘single’ dhe me të njëjtin status planifikon të shkojë edhe në Munich. “Jam ende beqar. E kam ndërmend të shkoj në Munich pa ndonjë femër”, vijoi ai.

Shaqiri shton se është një shembull i integrimit, pasi që familja e tij, e cila vjen nga Kosova, ishte transferuar në Zvicër, vite më parë. Atë po ashtu e shquan modestia, në çdo moment.

“Kam respekt për çdo njeri, mundohem të jem njeri human. Po ashtu, mundohem gjithmonë të jem xhentëlmen, me të gjithë. Kur dal të ha darkë me familjen, mundohem t’ua plotësoj dëshirat fansave, duke dalë në fotografi me ta. Ndodh që fansat më thërrasin në shtëpinë e tyre, por nuk mund të shkoj”, përfundoi Shaqiri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›