E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zambia sensacionale

Zambia i ka mahnitur të gjithë me paraqitjet e saj në Kupën e Afrikës, e cila përfundoi të dielën mbrëma. Si rezultat i lojës së mirë, ky ekip u kurorëzua me epitetin e më të mirit në ‘kontinentin e zi’.

Zambia ia doli ta fitojë për herë të parë këtë kompeticion. Skuadra e gjelbër, e cila ishte autsajder absolut i këtij evenimenti, diti t’i mposht ekipet favorite si Senegalin e Ganën. Por, nuk u ndal me vetëm kaq.

Ky ekip ia doli që në finale ta mund edhe Bregun e Fildishtë, në të cilin luajnë lojtarë të njohur si Drogba, Kalou, Gervinho e vëllezërit Yaya e Kolo Toure.

Zambia fitoi pas ekzekutimit të penalltive, pasi që loja e rregullt dhe ajo shtesë përfunduan pa gola, në finalen që u zhvillua në Libreville. ‘Elefantët’ shënuan 7 herë, kurse ‘Chipolopolo’ 8, për ta fituar edicionin e 28-të të Kupës së Afrikës.

Pa dyshim, merita të mëdha për këtë arritje pati edhe selektori Herve Renard. Ai e mori këtë detyrë në vitin 2010, pasi italiani Dario Bonnetti ishte shkarkuar. Trajneri francez mendon se është trajneri më i mirë i Afrikës. “Unë jam zgjedhja e parë. Unë jam i vetmi. Unë jam trajneri i parë i Afrikës”, thotë Renard.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›