Vajza e adoptuar, plumb në zemër nënës

POGRADEC/ Anila Angjo, 29 vjeçe, ka qëlluar me pistoletë nënën e saj 66-vjeçare, duke i shkaktuar vdekjen
Babai 70-vjeçar rrëfen se e bija ishte shumë problematike dhe se vrasjen e kishte kryer shumë gjakftohtësisht
POGRADEC - Vret me një plumb në zemër gruan që e birësoi në moshën gjashtë vjeç dhe që e rriti e më pas vetëdorëzohet. Ngjarja ka ndodhur fare pranë qendrës së qytetit tek rruga "Rinia", tek një pallat pesëkatësh.
Rreth orës 3:30 të mëngjesit, në katin e katërt, tek familja e Jovan Angjos janë dëgjuar zhurma dhe britma të pazakonshme. Rreth orës 6:30 kryefamiljari 70-vjeçar, ish-ushtarak i lartë, ka hapur derën e jashtme dhe u ka kërkuar ndihmë fqinjëve, pasi vajza e tij, 29-vjeçarja Anila Angjo, i kishte vrarë bashkëshorten me pistoletë në kuzhinën e shtëpisë.
Rrëfimi
Në katin e katërt të hyrjes anësore me pamje nga bulevadi "Rinia" mëngjesin e djeshëm të afërmit vijonin të pastronin njollat e gjakut të 66-vjeçares Shpresa Angjo, e cila humbi jetën pas një goditjeje në zemër nga vajza e saj e adoptuar. 70-vjeçari Jovan Angjo dikur ushtarak i lartë, shef shtabi, qëndron në kuzhinën e shtëpisë i përlotur dhe tepër i tronditur.
Ai ende nuk e beson atë që ka ndodhur para pak orësh, pikërisht aty në kuzhinë ku ai pret njerëz për ngushëllim. Pas një pause, ai pranon të tregojë për gazetën të vërtetën e kësaj ngjarjeje makabre.
"Rreth orës 3:30 të mëngjesit hyri në dhomën tonë të gjumit Anila dhe më kërkoi tre cigare.
Pasi i piu ato tre cigare hyri përsëri dhe më kërkoi cigare të tjera. I dhashë të gjithë paketën e cigareve, por ajo e rindezi cigaren dhe filloj që ta shkundë mbi trupin e së ëmës, Shpresës.
E pyeta se ç'po bënte ashtu dhe i thashë të largohej se nuk kishte lezet, pasi ishte vajzë e rritur, por ajo nuk lëvizi dhe vazhdoi ta hidhte hirin e cigares mbi jorgan, aty ku ndodhej ime shoqe. Më pas i tha "Çohu e më sill një tavëll duhani. Mjaft fjete! Më shërbe mua". Filloi ta provokonte gruan time me fjalë fyese e më pas i tha me ironi se do të të vras.
Unë u ngrita, - thotë Jovani, - dhe shkova te telefoni që të njoftoja policinë, por ajo e kishte shkëputur telefonin. I kishte hequr fishën dhe e kishte fshehur. Madje kishte marrë edhe çelësin e derës së jashtme. Ndërkohë u ngrit edhe gruaja, Shpresa, dhe u fut në kuzhinë. Në momentin që ajo hyri në kuzhinë, Anila iu lëshua me një hekur për ta goditur.
Gruaja mbeti te kolltuku anësor i kuzhinës pas goditjes, e tronditur qoftë nga gjesti por edhe nga dhimbja. Më tej Anila doli nga kuzhina dhe u kthye me një pistoletë "Zastava" në dorë. Por para se të futej në kuzhinë ajo bëri një shkrepje arme në korridor dhe ne të dy e humbëm mendjen, u mpimë dhe nuk ishim në gjendje të bënim asgjë. Kur ajo u fut në kuzhinë, iu afrua Shpresës dhe nga një distancë e afërme e qëlloi drejt e në zemër.
Më pas, shumë e qetë më tha ta merrja ta çoja në spital, si dhe të lajmëroja policinë që të vinte të merrte atë vetë. Ndezi një cigare, qëndroi në kuzhinë pranë kufomës së të ëmës. Vendosi dhe fishën e telefonit dhe hapi derën e jashtme me çelësin që kishte në xhep", rrëfen Jovani.
Më tej, 70-vjeçari shprehet se vajzën e kishin adoptuar kur ajo ishte 6 vjeç. "Zoti nuk na dha fëmijë dhe e deshëm edhe ne një fëmijë, - thotë ai.
- E morëm nga shtëpia e fëmijës duke e adoptuar. Por duhet thënë që megjithë përkujdesjet Anila na e nxiu jetën me prapësi. Zihej shpesh dhe dhunonte të ëmën. Konsumonte shumë alkool, madje edhe mund të drogohej dhe vinte në shtëpi si e çmendur.
Shumë herë kishte përfunduar në polici për prapësitë e saj të shumta. Madje, - thotë ai, - para disa kohësh i vjen dhe e takon mamaja e saj biologjike, një grua nga Kukësi, që e kishte çuar në shtëpinë e fëmijës. Ishte problematike dhe për pallatin dhe fqinjët..."
Policia
Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje, ndërsa në morgun e qytetit është bërë ekspertiza mjeko-ligjore. Mësohet se viktima kishte vdekur në vend pasi plumbi i pistoletës "Zastava", që Anila e mbante pa lejë, e kishte qëlluar direkt në zemër. Policia shprehet se 29-vjeçarja ishte një vajzë problematike.
Vetëm para pak muajsh ajo ka qenë duke drejtuar një veturë dhe krejt e dehur ka qëlluar para Bashkisë disa vetura luksoze duke iu shkaktuar dëme të shumta. Ishte e papunë.
Dilte nëpër rrugët e qytetit në shëtitoren buzë liqenit pothuajse çdo mbrëmje me një qen race të bardhë. Sipas bluve, në momentin që punonjësit e policisë mbërritën në banesë, ajo ishte krejt e qetë dhe nuk ishte e dehur.