E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare në "gjurmët" dosjes së Bashës

BARE
Avokati i kreut të "bandës së Lushnjes" kërkoi pavlefshmëri të akteve për klientin e tij me arsyetimin e kalimit të afateve

Me të njëjtin pretendim për pavlefshmëri, ish- ministri i Transporteve, "lau duart" me akuzën. Shqyrtimi sërish nga Fatmira Hajdari

TIRANË- Pas afro 14 muajve nga dita kur gjyqtarja Fatmir Hajdari shpalli të pavlefshme të gjitha aktet procedurale e hetimore të dorëzimit të çështjes penale ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha, pranë Gjykatës së Lartë, një tjetër kauze të njëjtë i kërkohet të japë përgjigje po nga e njëjta gjyqtare.

Fatmira Hajdari duhet të shprehet me një vendim, për një pretendim të përafërt juridik dhe këtë radhë i pandehur është i akuzuari si kreu i "bandës" së Lushnjës, Aldo Bare. Mbrojtësi i tij Vladimir Meçi, në leximin e kërkesave paraprake para trupit gjykues të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që kryesohet nga Fatmira Hajdari, kërkoi dje shpalljen absolutisht të pavlefshme të gjitha akteve hetimore e procedurale ndaj Bares.

Sipas avokatit, këto veprime hetimore, si dhe dërgimi i dosjes në gjyq është kryer jashtë të gjitha afateve të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Si pikë referimi Meçi i kujtoi trupit gjykues vendimin e Gjykatës së Lartë të 10 prillit 2009, që në mbështetje të vendimit të Hajdarit, e më pas të Gjykatës së Apelit, pushoi çështjen penale ndaj ish-ministrit Basha.

Vendimi shpalli absolutisht të pavlefshme procedurat e komunikimit të akuzës dhe dërgimit të dosjes në gjykatë, për ish- ministrin e Transporteve, Basha. Ky vendim pushoi procesin penal ndaj Bashës, për mos marrjen e njoftimit për akuzën e ngritur ndaj tij dhe mos njohjen me vendimin e dërgimit të dosjes, bashkë me kërkesën për gjykim në Gjykatën e Lartë.

Sipas avokatit, Bare u arrestua në Turqi me 25 mars 2006, e që nga ky moment ai nuk është njohur me akuzën dhe vendimin e dërgimit të dosjes në gjyq, bashkë me kërkesën për gjykim.

Për këtë fakt, dosja duhet të shpallet absolutisht e pavlefshme pasi Bare nuk ka marrë dijeni për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e dosjes në gjyq edhe pse ka qenë i arrestuar. Këtë hetim pretendoi Meçi. "Aktet procedurale janë absolutisht të pavlefshme, kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me: c) thirrjen e të pandehurit ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme.

Edhe veprimet e mëpasme procedurale që janë kryer dhe aktet e përpiluara, si vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq, kërkesa për gjykim etj, janë absolutisht të pavlefshme pasi varen nga një akt absolutisht i pavlefshëm në nenin 128/1/c të Kodit të Procedurës Penale"- citoi avokati Meçi.

Ai iu referua edhe vendimit të Gjykatës së Lartë ndaj ish-ministrit Basha, si rrjedhojë e vendimit të marrë nga gjyqtarja Fatmira Hajdari.

Po ashtu, avokati pretendoi se Bare është gjykuar njëherë nga Gjykata e Elbasanit dhe Apeli i Durrësit në vitin 2001. Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimet e dy shkallëve të para për veprën e "dhunimit të varreve" e "krijimit dhe pjesëmarrjes në bandat e armatosura" duke u shpallur i pafajshëm.

Për këtë shkak, sipas avokatit, këto akuza duhen pushuar. Pas leximit të kërkesës së avokatit, prokurorët e i kërkuan gjykatës kohë për t'u shprehur për pretendimet.

Sipas prokurorisë, Aldo Bare akuzohet për "Vrasje me paramendim" 5 herë; "Mbajtje pa leje të armëve"; "shkatërrim të pronës me zjarr"; "Krijim i organizatës kriminale dhe kryerje së veprave penale nga organizata kriminale".

Bare sëmuret në sallën e gjyqit

Në kohën kur avokati Vladimir Meçe, lexonte kërkesat paraprake para Gjykatës së Krimeve të Rënda në mbrojtje të klienti të tij Aldo Bare, ky i fundit shprehu shqetësime shëndetësore, duke u larguar nga salla e gjyqit.

Pak minuta pasi avokati Meçi kishte filluar leximin e kërkesave paraprake, i pandehuri Bare u zverdh në fytyrë e u djersit, duke i kërkuar gjykatës të dilte nga salla pasi nuk ndihej mirë. Gjykata miratoi kërkesën e Bares, duke urdhëruar punonjësit e policisë që t'i ofrohet ndihma e parë.

Pas 10 minutash Bare u shfaq përsëri në sallën e gjyqit, ndërsa kërkoi largimin përfundimtar nga salla e gjyqit, pasi nuk ndihej mirë. "Nuk mund të vazhdoj. Jam i sëmurë dhe dua të largohem.

Avokati mund të vazhdojë pa prezencën time"-tha Bare i zverdhur në fytyrë. Pjesëtarët e familjes që ndodheshin në sallën e gjyqit, dolën për të kaluar nga paraburgimi 313, për t'u interesuar për shëndetin e të afërmit të tyre. Avokati i Bares u shpreh se "institucioni i paraburgimit vazhdon ta mbajë të izoluar Aldo Baren, duke sjellë përkeqësimin e shëndetit.

Pretendimi i Avokatit

"Paraprakisht theksoj se procedimi në ngarkim të Aldo Bares duhet të pushohet, pasi aktet procedurale të përpiluara nga organi i akuzës në këtë procedim janë absolutisht të pavlefshme për arsyet se çështja penale në ngarkim të klientit tim është regjistruar fillimisht në prokurorinë e Lushnjës më 11 tetor 1999 duke dërguar në gjyq më 9 nëntor të vitit 2000 ku është shpallur i pafajshëm.

Por për të njëjtin fakt dhe subjekt, prokuroria e Lushnjës ka filluar sërish hetimet më 21 janar 2006 duke ia kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda për mos kompetencë e cila e ka regjistruar procedimin penal më datën 7 shkurt 2006. Hetimet pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë vazhduar deri më 1 korrik 2007, që në total Aldo Bare është hetuar plot 2 vjet e 6 muaj, jashtë çdo afati procedural apo hetimor që parashikon Kodi i Procedurës Penale"

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›