Berisha uron Hollande dhe Samaras për fitoret dhe i fton në Shqipëri
Edhe pse do të dëshironte fitoren e Nicolas Sarkozy, kryeministri Berisha është përpjekur të duket entuziast për fitoren e kandidatit socialist, Francois Hollande, të cilin e ka uruar për zgjedhjen si president i Francës. Gjatë urimit, Berisha ka gjetur vend edhe që ta ftojë Hollande në Shqipëri. Të njëjtën gjë ka bërë edhe me Samaras, partia e të cilit doi e para në zgjedhjet në Greqi.
Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e fitores Suaj në zgjedhjet presidenciale të datës 6 maj 2012 në Francë, t`Ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë qytetarëve të vendit tim, përshëndetjet më të përzemërta, si dhe urimet më të ngrohta e miqësore për suksese në detyrën e lartë përpara Jush, thuhet në njoftimin e Berishës për Hollande.
Sipas Kryeministrisë, Berisha i ka shprehur mirënjohjen Francës dhe kombit francez për mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë e shqiptarëve në përpjekjet e tyre për ndërtimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe integrimin në BE.
Unë dua t`Ju siguroj Ju zoti President se për mua dhe vendin tim, miqësia dhe bashkëpunimi me Ju dhe Francën mike është dhe mbetet një përparësi e veçantë. Me dëshirën për t`Ju pritur në Shqipëri në kohën më të përshtatshme për Ju, shfrytëzoj rastin për t`Ju përsëritur sigurimet e konsideratës më të lartë përfundon urimi i kryeministrit Berisha drejtuar presidentit të ri francez, Hollande.
Letra për Samaras
I nderuar z. Kryetar i Partisë Demokracia e Re,
I dashur mik,
Me anë të kësaj letre dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për fitoren tuaj në zgjedhjet Parlamentare të 6 majit.
Kam bindjen e thellë se duke votuar për ju në timonin e qeverisjes së vendit të tyre, zgjedhësit grekë kanë bërë zgjedhjen më të mirë për ta dhe për të ardhmen e vendit tuaj.
Vendosmëria dhe vizioni Juaj janë një garanci e madhe për nxjerrjen nga kriza të Greqisë mike dhe vendosjen e saj në rrugën e prosperitetit që meriton. Jam i bindur se nën drejtimin tuaj Greqia do ti arrijë objektivat e saj.
Dëshiroj me këtë rast t’ju siguroj se mbetem tërësisht i interesuar dhe i vendosur për një bashkëpunim të ngushtë e të gjithanshëm midis të dy forcave politike, të dy vendeve e kombeve tona në interesin më të mirë dypalësh dhe atë të rajonit në tërësi.
Duke shpresuar t’Ju pres në Tiranë, në kohën më të përshtatshmë për Ju, edhe një herë pranoni, I dashur mik, urimet e mia më të mira për fitoren në zgjedhjet e djeshme.
I Juaji
Sali Berisha