Sabri Hamiti: Letërsia për mua është ekzistencë
Vepra letrare në dallim nga vepra shkencore shkakton te lexuesi një kënaqësi shpirtërore të llojit të veçantë. Kënaqësia që del nga leximi i tekstit letrar është vlerësuar si një nga elementet bazë që e dallon letërsinë nga veprat e fushave të tjera. Por sigurisht që kjo nuk e ka penguar jurinë e Çmimit Kombëtar të Letërsisë Shqipe që për këtë vit të dalë nga korniza e tradicionales e të shpallë si fitues një vepër me karakter teorik, studimor dhe interpretues. Juria me kryetar studiuesin Agron Tufa dhe anëtarë: Bardhyl Londo, Persida Asllani, Virgjil Muçi dhe Balil Gjini ka shpallur fitues të “Çmimit të Madh të Letërsisë 2010”, poetin, prozatorin, dramaturgun dhe studiuesin e letërsisë, Akademikun Sabri Hamiti me veprën “Poetika Shqipe”. Çmimi është dhënë për studimin dhe interpretimin e Letërsisë shqipe si një tërësi organike me kodet dhe strategjitë e saj të ligjërimit, nën dritën e teorive dhe hulumtimeve moderne, origjinale dhe bashkëkohore. Akademik Sabri Hamiti në librin “Poetika shqipe” ka përfshirë librat e studimeve e të kritikës letrare: “Bioletra”, “Tematologjia” dhe “Albanizma”. Në ndarjen e çmimeve letrare akademiku Hamiti e vlerësoi çmimin e dhënë nga shkrimtarët dhe kolegët bashkëkohës: "Me marrë një kurorë letrare që ta ofrojnë shkrimtarët dhe kolegët bashkëkohës, është edhe nder edhe kënaqësi. E kam provuar dashurinë paskajore me shqipen, për ta shpëtuar vetveten, për të mos dalë nga vetvetja, duke e kërkuar Shqipërinë e përhershme dhe duke jetuar në Shqipërinë e përkohshme. Letërsia për mua është shpëtim më shumë se mbrojtje, më shumë se njohje, faktikisht ekzistencë. Ky libër, që kolegët e mi e dallojnë, është në të vërtetë vetëm një titull në trajtën e shquar i një nëntitulli për 40 vite të studimeve të mia letrare. Është vetëm subliment i kërkimeve të mëhershme, përpjekje që një ditë të sistemohen." Përveç Çmimit të Madh, në ceremoninë që u zhvillua dje në mjediset e MTKRS-së u ndanë edhe nëntë çmime sipas gjinive të romanit, tregimit, poezisë, përkthimit, studimit dhe letërsisë për fëmijë, si çmimi: “Gjergj Fishta”, “Faik Konica”, “Fan Noli”, “ Mitrush Kuteli”, “Petro Marko”, “Migjeni”, “Lasgush Poradeci”, “Jusuf Vrioni”, “Donat Kurti”. “Ky aktivitet përfaqëson një angazhim të përvitshëm, nëpërmjet të cilit vlerësohet krijimtaria letrare, studi¬mo¬re dhe përkthimore që i ofrohet editorisë shqiptare përgjatë një viti kalendarik. Është e qartë së këto janë çmime të Ministrisë së Kulturës dhe ne si ministri kemi menduar se mund të shkohet drejt një përzgjedhjeje cilësore, duke i deleguar kartën e besimit, me të gjitha të drejtat e përzgjedhjes, një jurie serioze të kompozuar nga shkrimtarë, studiues dhe personalitete të letërsisë. Juria, e cila prej disa muajsh ka hulumtuar mbi risitë dhe dukuritë letrare që janë shfaqur në botimet e vitit që lamë pas, do të na bëjë të mundur vetëm disa minuta më pas të njihemi me arritjet më përfaqësuese në fushën e krijimtarisë letrare, studimit dhe përkthimit, që mendohet se kanë shënuar një nivel kulmor në zhvillimet e sotme letrare.”- u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj.
Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2010
Çmimi i Madh i Letërsisë
SABRI HAMITI me veprën "Poetika shqipe", (teori, studim & interpretim) për studimin dhe interpretimin e Letërsisë shqipe si një tërësi organike me kodet dhe strategjitë e saj të ligjërimit, nën dritën e teorive dhe hulumtimeve moderne, origjinale dhe bashkëkohore.
Çmimi "Petro Marko"
RAMIZ GJINI me romanin "Bibollasit", për risitë letrare që sjell në regjistrat stilistikë të narracionit dhe për konceptin karnavalesk dhe groteskun në paraqitjen e përditshmërisë së shoqërisë sonë, të deformuar nga traumat diktatoriale e postdiktatoriale.
Çmimin "Mitrush Kuteli"
RIDVAN DIBRA me vëllimin me tregime "Në kërkim të fëmijërisë së humbur", për teknikat narrative të përvojës së gjallë, të rikuptimësuara në korniza kompozicionale dhe paradokset semiotike me kohën.
Çmimi "Lasgush Poradeci"
ARIAN LEKA me poemën "Ndreqje gabimesh", për monologun e subjektit poetik përmes imazheve metafizike e meditative, si rrugë komunikimi maksimal me trajtat e rrëshqitshme të femrës në të gjitha rolet e saj.
Çmimi "Faik Konica”
ANASTAS KAPURANI me veprën studimore "Migjeni, ose parathënie e dyzuar", për prurjen bashkëkohore në mendimin kritik mbi veprën e Migjenit.
Çmimi "Gjergj Fishta"
VISAR ZHITI, për librin eseistik "Panteoni i nëndheshëm", për sjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi veprën letrare të shkrimtarëve të ndaluar e të burgosur nën diktaturën komuniste, të cilët nuk patën fatin të komunikonin me lexuesin e tyre, por provuan tragjedinë e dyfishtë si njerëz e si krijues.
Çmimi "Fan Noli"
SAVERINA PASHO përkthyese me romanin "Ishulli i mundshëm" të shkrimtarit francez Michel Houellebecq, për gjetjen e pasforcuar të ekuivalencës stilistike e sintaksore në një shqipe të pasur, të gjallë e dinamike.
Çmimi "Jusuf Vrioni"
JOACHIM RÖHM, përkthyesit të njohur për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimin dhe promovimin e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhët dhe kulturat gjermane.
Çmimi “At Donat Kurti”
JONI BOÇARIT, shkrimtari i ri i letërsisë për fëmijë, me romanin "Bor-for ose provat e Askanos", për gjuhën e gjallë dhe imagjinatën lojacake në krijimin e realiteteve të magjishme e fantastiko-shkencore.
Çmimi "Migjeni" 2010
MANJOLA BRAHAJ poetja debutuese me vëllimin "Vajtimi i Kalipsosë", për gjuhën e pasur dhe imazhet befasuese, në një konceptim modern të strukturës semantike dhe vargut të përpunuar.