E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau para dy vjetësh, vetëdorëzohet 26-vjeçari

SHKRUAN: Djana Kolaj 01-02-2011 10:59

SHKODËR- Negociatat e vazhdueshme mes policisë dhe familjarëve të 26-vjeçarit, Alfons Fusha, cili ishte i shpallur në kërkim për vrasje, kanë sjellë vetëdorëzimin e tij. Policia e Shkodrës ka bërë paraditen e së hënës ekzekutimin e urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Shkodrës, për 26-vjeçarin Fusha. Ndaj tij, Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër kishte caktuar si masë sigurie atë të arrestit në burg, masë e dhënë në mungesë. Alfons Fusha dyshohet se më 15 tetor 2009, ka vrarë me armë zjarri, 27-vjeçarin Olsi Curri. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Shkodrës, në mbrëmjen e 15 tetorit, pas një grindjeje që kishin pasur autori dhe viktima, ndërsa luanin futboll në një ambient privat. Viktima ka shkuar atë pasdite për të luajtur futboll te një kalçeto. Aty ai ka debatuar për motive të dobëta me autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, 26-vjeçarin Fusha, pasi gjatë lojës viktima e ka dëmtuar pak në këmbë. Ata janë grindur me njëri–tjetrin dhe kanë tentuar të përleshen fizikisht, por personat e tjerë që ishin të përfshirë në lojë kanë ndërhyrë dhe i kanë ndarë. Pas kësaj, viktima, 27-vjeçari Curri, është larguar nga fusha ku po luante. Pas tij është larguar dhe Fusha, i cili e ka ndjekur me makinë dhe e ka parë që Curri është ndalur në një lokal jo larg shtëpisë së tij. Pasi ka siguruar pistoletën, Fusha që, sipas policisë, dyshohet të jetë autor i kësaj vrasjeje e ka pritur viktimën pak minuta, derisa ai ka dalë nga lokali dhe e ka qëlluar me pistoletë nga makina ku ndodhej, nga një distancë e afërt. Ai e ka qëlluar katër herë, por 27-vjeçarin e ka kapur vetëm një plumb i cili i ka sjellë atij vdekjen e menjëhershme. Një plumb ka kapur në krah dhe një 31-vjeçare që ndodhej duke blerë në një dyqan ushqimor, ngjitur me vendin e ngjarjes, e cila pasi ka marrë mjekimin e duhur në spital, është larguar pa ndonjë problem shqetësues për shëndetin. Pas identifikimit të autorit, ai ishte shpallur në kërkim, por policia nuk ka mundur ta kapë. Negociatat për dorëzimin e tij kanë vazhduar deri në mëngjesin e së hënës, ku Alfons Fusha është bindur të vetëdorëzohet në polici.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›