Sako: Nis rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Met Hasa” në Porto Romano

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Në qytetin e Durrësit do të ndërtohet nga e para shkolla 9-vjeçare “Met Hasa”, e cila ndodhet në lagjen numër 15, në zonën e njohur si Porto Romano.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ndau në rrjetet sociale pamje nga shembja e godinës së vjetër të kësaj shkolle.
“Një tjetër shkollë e re do të ndërtohet në Durrës. Sapo ka përfunduar shembja e shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”, e cila ishte tejet e amortizuar. Prishja e kësaj godine i hap rrugën ndërtimit, me buxhetin e bashkisë së Durrësit, të shkollës së re që do të jetë me standarde të larta, kushte bashkëkohore e me ambiente moderne”, tha Sako.
Qeveria ka rritur investimet për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në të gjitha shkollat në vend.
Janë 100 shkolla që përgjatë vitit 2024 janë rehabilituar ose janë në proces rehabilitimi. Ndërsa 40 kantiere të reja në të gjithë vendin janë hapur tashmë dhe pritet që t’i shtohen zinxhirit të shkollave të rehabilituara që garantojnë standarde shumë të mira për nxënësit, por edhe për mësuesit.
/k.s/r.e/a.f/