E Diel, 1 Nëntor 2026

Sakrifica e Altin Lales: Vij edhe i dëmtuar "Nëse do të luaj më 8 shkurt kundër Kotbusit të Skelës, besoj se do të jem i gatshëm, nuk e di për 90 minuta apo jo. Edhe nëse nuk aktivizohem, do të jem patjetër në Maltë pranë ekipit, në stol bashkë

JORGIS MEMO - Nuk i bën zëri të thotë që nuk do të jetë ndaj Maltës, sepse është një futbollist i sakrificës, aq më tepër kur bëhet fjalë për ekipin kombëtar. Kapiteni kuqezi, Altin Lala, po vazhdon terapinë riaftësuese pas operacionit në hernien diskale gjatë muajit nëntor 2008. Do edhe pak kohë që të futet në stërvitje me grupin, por është i bindur që mund t'ia dalë, edhe pse nga ana tjetër e di mirë vështirësinë për të qenë i gatshëm më 11 shkurt. Megjithatë, 33-vjeçari, që prej 10 vitesh luan me Hanoverin, shpreson shumë. "Nëse do të luaj më 8 shkurt kundër Kotbusit të Skelës, besoj se do të jem i gatshëm, nuk e di për 90 minuta apo jo. Edhe nëse nuk aktivizohem, do të jem patjetër në Maltë pranë ekipit, në stol bashkë me trajnarin Ari Han,"- ka thënë ndër të tjera kapiteni i kombëtares, në një intervistë telefonike, të dhënë për "Sportin shqiptar".

- Altin, përpara një ndeshjeje shumë të rëndësishme me Maltën, mund të na konfirmoni nëse do të jeni apo jo i gatshëm? 
- Së pari, dëshira është shumë e madhe për të qenë në Maltë. Unë po bëj maksimumin, në mënyrë që të jem i gatshëm për ekipin kombëtar. Momentalisht nuk mund të them, nëse do të jem apo jo në gjendje për të luajtur. Gjithçka do të vendoset më 8 shkurt, kur kemi ndeshje me Kotbusin. Nëse unë do të aktivizohem në këtë ndeshje, do të jem për Maltën. Shpresoj shumë, por nga ana tjetër edhe rreziku është i madh. Megjithatë, nëse duhem patjetër, natyrisht që do të sakrifikoj, pasi kemi një sfidë shumë të rëndësishme. Edhe nëse është i pamundur riaftësimi deri më 11 shkurt, përsëri do të jem pranë ekipit, këtë herë në pankinë, bashkë me trajnerin Ari Han.

- Meqenëse përmendët trajnerin, keni kontaktuar me të kohët e fundit?     
- Po, patjetër, kam folur me trajnerin. Ai është i qartë për gjendjen time. Në të tilla ndeshje kaq të rëndësishme, edhe nëse nuk bëhem për të luajtur, shpresoj të jap sado pak ndihmën time me qëndrimin pranë kombëtares.

- Aktualisht, çfarë terapie po bëni dhe kur mund të futeni në stërvitje me grupin?
- Po kryej një program individual për të forcuar muskulaturën. Momentalisht po një bëj terapi intensive në pishinë. Se në çfarë gjendjeje do të jem, do të kontrollohem një herë javën tjetër. Sa më shpejt të futem me grupin në stërvitje, aq më mirë është për mua. Por gjithsesi, duhet të jem i kujdesshëm, pasi operacioni që kam bërë nuk ishte i lehtë.

- T'i kthehemi ndeshjes me Maltën. Një fitore e kalon Shqipërinë në vend të parë, duke e bërë të ëndërrojë, po jo?
- Kështu është, por ne nuk duhet ta mendojmë këtë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe ta përgatisim ndeshjen në mënyrën e duhur, jo të bëhemi euforikë. Edhe Malta pret që të fitojë me Shqipërinë. Për këtë duhet të jemi realistë, sepse është një kundërshtare që u ka hapur punë ekipeve të tjera të grupit. Edhe në Tiranë ajo luajti shumë mirë. Prandaj, të jemi shumë të përqendruar në fushë.

- Gjithsesi, përballë një kundërshtari të tillë duhet synuar fitorja...?
- Natyrisht, ekipi ynë i ka të gjitha mundësitë për të fituar. Mendoj se me Maltën na mjafton edhe një gol. Me sa jam në dijeni, këtë herë do të luajmë në një fushë të re, çka do të na vijë në ndihmë për të bërë detyrën. Por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë që Malta ka një sulmues të rrezikshëm, si Misfud, i cili mund të na ndëshkojë në çdo moment.
Marre nga Sporti Shqiptar

E Shtune, 24 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›