E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria “gjysmake” kundër MaltësAri Han i shqetësuar, një javë para ndeshjes, në Tiranë. Dëmtime dhe rezerva, bilanc alarmant i kuqezinjve

Jetmir Halilaj (Panorama Sport) - “Për Shqipërinë fitoret nuk janë asnjëherë të lehta, prandaj kundër Maltës duhet të bëjmë maksimumin, nëse duam tre pikët”. Fjala e kapitenit Altin Lala. Ai, më mirë se kushdo tjetër, e ka të qartë se edhe skuadrat e vogla janë problem për kuqezinjtë. Malta, kundërshtari i radhës i përfaqësueses tonë, cilësohet si rivali më i dobët (të paktën në letër), por edhe skuadra shqiptare nuk është në formën e saj më të mirë, përkundrazi, pjesa dërrmuese e lojtarëve janë jashtë formës së tyre. “Kemi edhe një muaj e gjysmë kohë para ndeshjes me Maltën dhe jam i bindur se deri atëherë të gjithë lojtarët do të jenë në formë të mirë”, deklaroi me doza optimizmi Ari Han gjatë vizitës së fundit të tij në Tiranë pak ditë para se të mbyllej viti 2008. Në fakt, gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç shpresonte tekniku dhe tifozët e Kombëtares. Një pjesë e lojtarëve kyç vijnë pas dëmtimeve, ndërsa disa prej tyre, po kaq të rëndësishëm në organikën e kuqezinjve, gjatë fazës së parë nuk kanë lënë thuajse asnjë gjurmë. Padyshim në qendër të vëmendjes mbetet reparti i sulmit. Për Bogdanin, Kapllanin, Salihin dhe Berishën, faza e parë nuk ka qenë aspak pozitive, ndonëse midis tyre ka nga ata që e kanë nisur mirë sezonin (Hamdi Salihi dhe Arjan Beqaj), por më pas janë ndalur për shkak të problemeve fizike.

Ari Han i shqetësuar
Trajneri ka vendosur të vijë në Tiranë një javë para ndeshjes me Maltën. Ai do të shohë nga afër gjendjen e disa futbollistëve të kampionatit shqiptar dhe kërkon të informohet deri në detaje për ecurinë e tyre. Ndërkohë, brime pranë Federatës dhe stafit kuqezi, bëjnë të ditur se tekniku holandez po “monitoron” me laps në dorë ecurinë dhe paraqitjet e disa prej legjionarëve që luajnë jashtë. Tekniku po projekton të grumbullojë lojtarët më në formë, ata që deri tani kanë pasur një ecuri konstante në skuadrat e tyre, por nuk i dalin llogaritë, sepse me përjashtim të Duros, Skelës, Agollit dhe Hidit, pjesa tjetër e skuadrës nuk po kalon ditët më të mira.

Dëmtimet
Kapiteni i Kombëtares shqiptare Altin Lala ka shumë gjasa që të mungojë kundër Maltës, ndonëse teorikisht, ka ende shanse që ai të rikthehet në fushë para datës 11 shkurt. Shkatërruesi që luan te Hanoveri iu nënshtrua një operacioni në shpinë për shkak të një hernie diskale dhe tani është në fazë rikuperimi. Vetë lojtari ka pohuar se është e vështirë të luajë në atë ndeshje. Arjan Beqaj, portieri kuqezi është gjithashtu në fazë rikuperimi. Ai e nisi shkëlqyeshëm këtë sezon, duke bërë paraqitje shumë të mirë, por një dëmtim i dyfishtë (në shpatull dhe në gju) në fund të muajit tetor, e detyroi të qëndrojë jashtë. Edhe ai është në fazë rikuperimi, ndonëse ka shumë më tepër shanse se Lala për të qenë në fushë më 11 shkurt. Hamdi Salihi, e nisi fuqishëm sezonin, duke shënuar katër gola në kampionatin austriak, në shtatë javët e para, por një problem në kavilje, jo vetëm që e detyroi të mos luante rregullisht te Riedi, por e privoi edhe në Kombëtare në ndeshjet kundër Hungarisë dhe Portugalisë. Jahmir Hyka, mesfushori i talentuar i përfaqësueses, ka luajtur shumë pak te Mainci dhe përveç kësaj shpesh herë është përballur edhe me probleme fizike të bezdisshme, ndonëse jo të rënda. Lorik Cana gjithashtu ka pësuar një dëmtim pasi është kthyer nga pushimet dimërore. Ai do t’i mungojë Marsejës edhe dhjetë ditë të tjera, por nuk rrezikon që të mungojë ndaj Maltës. Edhe ish-sulmuesi i Partizanit, Elis Bakaj pati probleme fizike gjatë fazës së parë, por u rikthye dhe tani gëzon një formë të mirë.

Ata që s’luajnë
Janë shumë. Bogdani është aktivizuar shumë pak te Kievo. Kapllani nuk ka luajtur rregullisht te Karlsruhe. Vangjelit i është dashur të qëndrojë në stol në pjesën më të madhe të kohës te Arisi. Besart Berisha e nisi me një dygolësh te Rozenborgu, por më pas edhe ai u abonua me stolin. Hyka ka luajtur fare pak te Mainci, madje disa ditë më parë u përfol për një largim të mundshëm të tijin në formë huazimi, për shkak se nuk gjente hapësira.

SITUTA E KUQEZINJVE

Lala -Sipas të gjitha gjasave do të mungojë ndaj Maltës. Nuk është rikuperuar ende pas operacionit.

Beqaj -Nuk luan që nga fundi i tetorit. Portieri i Anorthosit është ende në fazë rikuperimi pas dëmtimit.

Bogdani  -Ka luajtur shumë pak gjatë fazës së parë te Kievo për shkak të dëmtimeve. Nuk ka mundur të shënojë asnjë gol.

Kapllani - Nuk është aktivizuar rregullisht te Karlsruhe dhe gjatë fazës së parë të sezonit nuk shënoi asnjë gol.

Salihi - E nisi mirë sezonin te Riedi, por problemet në kavilje e detyruan të qëndronte disa javë jashtë fushave.

Hyka - Është aktivizuar me pikatore këtë sezon te skuadra e tij, Mainc 05 dhe përveç kësaj ka pasur edhe probleme fizike.

Berisha - Një start i pabesueshëm te Rozenborgu, ku debutoi me dy gola. Pas kësaj u abonua me stolin e rezervave.

Vangjeli - Gëzon një formë të mirë fizike, por nuk i ka mjaftuar që të luajë rregullisht të Arisi, përkundrazi, pjesën dërrmuese të kohës ka qenë në stol.

Curri - Dallku e Curri nuk zbresin në fushë që nga 12 nëntori, kur u mbyll edhe faza e parë e kampionatit ukrainas. Kjo vlen edhe për Bulkun.

Ndeshja, më 11 shkurt synojmë vendin e parë në grup

Më 11 shkurt përfaqësuesja shqiptare do të ndeshet kundër Maltës dhe nëse arrin të marrë tri pikët në këtë transfertë do të ketë mundësi që të ngjitet në krye të grupit 1. Shqipëria renditet në vendin e katërt me pesë pikë (aq sa edhe Portugalia e vendit të tretë) me dy pikë më pak se Danimarka dhe Hungaria e vendit të parë. Në këtë datë nuk luan asnjë nga ekipet e tjera të grupit 1 dhe nëse kuqezinjtë do të mund të fitojnë, deri në fund të muajit mars, do ta kryesojnë vendin e parë. Shqiptarët mund të vazhdojnë të ëndërrojnë për t’u kualifikuar në Botërorin e ardhshëm “Afrika e Jugut 2010”, vetëm nëse skuadra jonë përfaqësuese do të arrijë ta fitojë ndeshjen e radhës, që në letër, cilësohet si një nga takimet ku kuqezinjtë duhet të marrin patjetër tre pikët. Ndeshjen e parë, atë të luajtur në Tiranë më 6 shtator, Shqipëria e fitoi me rezultatin 3-0, por megjithëse e dominuan krejt takimin, dy golat që vulosën përfundimisht suksesin u shënuan pas minutës së 80-të.    

Grupi 1
Skuadra         Nd     B     H     G+     G-     P
Danimarka         3     2     1     6     2     7
Hungaria         4     2     1     4     2     7
Portugalia     4     1     2     6     3     5
Shqipëria         4     1     2     3     2     5
Suedia         3     1     2     2     1     5
Malta         4     0     0     0     11     0

E Shtune, 24 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›