Sala: Brenda pak ditësh, rritet me 57% kapaciteti i poltronave për kimioterapinë në spitalin Onkologjik

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala deklaroi sot se janë ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e shërbimit ndaj pacientëve në spitalin Onkologjik, që lidhet me protokollin dhe kushtet në kryerjen e kimioterapisë.
Gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenies Sociale lidhur me pr.buxhetin për vitin 2026, Sala tha se sa i përket situatës në spitalin Onkologjik janë marrë masa të menjëhershme duke shtuar një fond emergjence prej 200 milionë lekësh për të adresuar mungesat.
“Ne kemi ngritur një ekip, duke riorganizuar edhe fluksin e pacientëve, të cilët marrin numrin dhe shkojnë në dhomën e caktuar në fashën orare të caktuara për të marrë kimioterapinë. Kemi bërë një vlerësim të situatës, brenda ambienteve që ka Onkologjiku që të krijojmë edhe dy hapësira të tjera dhe të kalojmë në 19 poltrona në 30 poltrona”, tha ministrja Sala.
Sala tha se buxheti 2026 ka një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, teksa përmendi shifrën e 15 milionë eurove për spitalin Onkologjik, një fond i dedikuar për barnat e këtij spitali.
“Vizioni im për shëndetësinë për këto katër vite, është që në qendër të jetë pacienti. Çdo iniciativë dhe çdo sistem do të integrohet i atillë që të jetë më efikas për pacientin. Qeveria do të vazhdojë të investojë në struktura dhe ndërtesa, por tani fokusi është në integrimin e shërbimeve që ato të jenë edhe më efikase”, tha Sala.
Sala tha se fokusi i dytë për të si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është digjitalizimi i shërbimeve dhe protokollove, jo vetëm për Onkologjikun, por për të gjithë rrjetin e shërbimit shëndetësor, si edhe zhvillimi i stafit përmes trajnimeve të vazhdueshme.
“Në fund të një mandati, programi do jetë që ne do kemi një institut të mirëfilltë të standardeve evropiane, por edhe një rrjet kombëtar për sëmundjet tumorale. Trajtimi të mos merret vetëm në QSUT për kimioterapinë, por edhe në spitalet rajonale apo edhe në qendrat ku ekzistojnë kushtet për trajtimin e kimioterapisë. Por, nuk duhet të harrojmë edhe sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, etj.”, pohoi Sala.
Ministrja Sala tha se në këtë mandat do t’i shërbejë popullit shqiptar me mundësitë më mëdha që ajo ka si mjeke, duke ngritur grupe pune deri në qelizat më të skajshme të sistemit shëndetësor.
Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda u shpreh se kemi të bëjmë me një portofol shumë të madh që ka shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, që janë dy sektorë shumë të rëndësishëm për vendin.
Doda tha se sektori i shëndetësisë është në tranzicion, ndërsa deputetja iu drejtua ministres Sala me pyetjet se si do të shtohet kontrolli në rastet e neglizhencave dhe keqtrajtimit të sëmurit, si do të tërhiqen mjekët nga jashtë vendit, si edhe ngriti shqetësimin për mungesën e defribilatori dhe aparaturave të oksigjenit për fëmijët, në Spitalin Pediatrik në Tiranë.
Ministrja Sala tha se është njohur me problematikën e defribilatorit në Pediatrinë e QSUT-së dhe çështja është drejt zgjidhjes.
Deputetja e PL-së, Erisa Xhixho ngriti një sërë pyetjesh drejtuar ministres Sala, nga mungesa poltronëve për marrjen e kimioterapisë në spitalin Onkologjik, te pajisja e prishur e brakiterapisë për gratë me kancer gjinekologjik, deri te mungesa e petskanit.
Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bardh Spahia tha se në perimetrin e QSUT po ndërtohet një hotel, teksa i kërkoi shpjegime ministres Sala për dijeninë rreth këtij projekti, kush po e kryen investimin etj.
Ministrja Sala nënvizoi se asnjë qindarkë nga buxheti i MSHMS për vitin 2026 nuk do të shkojë për ndërtim hoteli.
Sipas Salës, investimet janë përqendruar në sigurimin e një akseleratori linear të tretë që do fillojë punë brenda këtij viti, ndërsa theksoi se në 31 janar 2026 do të ketë një listë të re të barnave të rimbursueshme dhe futje të molekulave të reja.
Deputeti i PD, Zija Ismaili tha profesioni i mjekut duhet të sigurohet me ligj.
“Vetëm sot janë larguar tre mjekë nga spitali Onkologjik. Ne e dimë që një institucion mbahet mbi burimet njerëzore dhe infrastrukturë, por duhet të sigurohet profesioni i mjekëve, jo vetëm shërbimi i tyre”, tha Ismaili, ndërsa kërkoi nga ministrja Sala se kur do të ketë një rishikim të protokolleve.
Ministrja Sala u shpreh se do të ketë një rishikim tërësor të protokolleve duke filluar nga viti i ardhshëm.
/e.i/r.e//a.g/