E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sala: Liberalizimi i universiteteve, Gjirokastra viktima e parë

Rektori i universitetit “Eqrem Çabej” ngre akuza për futjen e politikave të tregut të lirë edhe në arsimin e lartë

GJIROKASTËR- Në ditën e parë të vitit të ri akademik 2008-2009, universiteti “Eqrem Çabej” ka lëshuar alarmin SOS. Përqindja mjaft e ulët e studentëve të regjistruar bën që disa degë të rrezikohen seriozisht, ndërsa tre prej tyre mund të quhen të mbyllura. Në një konferencë për shtyp, rektori i këtij universiteti, Gëzim Sala, bëri përgjegjëse Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe politikat e ndjekura prej saj për situatën e krijuar. “Universiteti ynë thithi sivjet rreth 35% të numrit të studentëve të planifikuar, duke sjellë si pasojë që tre ose katër departamente nga 15 që ka, të rrezikojnë mbylljen këtë vit dhe disa të tjera të rrezikohen seriozisht në të ardhmen. Shifrat janë të tilla që na detyrojnë të lëshojmë thirrjen SOS për të ardhmen e këtij institucioni, nga më të rëndësishmit në jug të vendit me një përvojë të gjatë në përgatitjen e mësuesve, por edhe kuadro të specialiteteve të tjera”, -u shpreh rektori Sala. Sipas tij, hapja pa kriter e universiteteve të reja, profilet e të cilëve dublojnë njëri-tjetrin, shpërndarja e studentëve duke u bazuar në preferencat e tyre dhe monopolizimi i ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve vetëm në disa universitete janë disa nga politikat e gabuara të ndjekura. “Ne i konsiderojmë këto politika që sjellin konkurrencën e egër të tregut të lirë edhe në arsimin e lartë, të gabuara dhe me pasoja të rënda për arsimin kombëtar. Viktima e parë po bëhet universiteti ynë dhe harrohet se mbyllja e detyruar e një sërë degëve me përvojë dhjetëravjeçare të tij, përbën një goditje të rëndë për arsimin, kulturën dhe civilizimin e Gjirokastrës dhe gjithë jugut të vendit. Është njëkohësisht me pasoja të rënda në aspektet e strategjive dhe politikave kombëtare”,- vijoi më tej Sala. Ndërkaq, bërja publike e këtij problemi është hapi i parë publik i sensibilizimit, që do të pasohet me veprime konkrete për të ngritur struktura dhe lobingje për shpëtimin e universitetit. Entela Bani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›