E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Ditët e mia, mes bashkisë dhe politikës

Kryetari i PS-së në një rrëfim për veten dhe politikën: Berisha, kundërshtari im politik. Makinë infernale që nuk prodhon dritë

Kryetari i Partisë Socialiste dhe Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, rrëfen një ditë nga puna e tij. Ai komenton situatën në vend, "armiqtë" politikë dhe ndryshimin që pritet të ketë kryeqyteti. "Unë nuk jam një politikan, unë jam diçka ndryshe nga një politikan dhe nuk e di se çfarë bën një politikan shqiptar në përgjithësi, por di se çfarë bëj unë",- thotë kryebashkiaku i Tiranës në një intervistë për gazetaren Jonida Shehu në emisionin "ZIP". Zoti Rama, si nis dita juaj?

Unë zgjohem herët dhe unë kam dy zyra, që varet se ku bie dita për të qenë në orën kur unë filloj punën që normalisht është ora 8 e 30.

Vonoheni në trafik dhe çfarë mendoni në ato çaste?

Sigurisht më ndodh dhe mua si gjithë të tjerët që vonohem. Mendoj që Tirana të kishte një kryetar bashkie më të mirë, por që në mungesë jam mirë.

Me çfarë informohet kryetari I bashkisë dhe i opozitës në mëngjes, lexoni gazetat, shihni lajmet, e nis nga ZP?

Jo, unë nuk i lexoj gazetat. Unë marr një pasqyrë shumë të reduktuar, një përmbledhje gati një faqe për një informim shumë të përgjithshëm.

Ju e nisni ditën në bashki apo në parti?

Unë përgjithësisht ditën e nis në Bashkinë e Tiranës dhe sot m'u desh të bëj të kundërtën, sepse kisha një takim me disa miq nga larg.

Çfarë jete bën një politikan i përmasave të tuaja. A keni një ditë kur ju bëni pushim dhe si argëtoheni?

Unë nuk jam një politikan, unë jam diçka ndryshe nga një politikan dhe nuk e di se çfarë bën një politikan shqiptar në përgjithësi, por di se çfarë bëj unë. Sigurisht që dy detyrat që kam më dalin e më mjaftojnë për të punuar, por edhe për t'u argëtuar, pasi këto për mua janë pasion dhe që e bëj me shumë dëshirë dhe pjesën më të madhe të kënaqësisë e marr

këtu. Më pëlqen shumë edhe sesi fillon dita ime me vrap dhe kjo më jep mundësinë që të kem një 30-minutësh mendime të lira që zgjohen dalëngadalë në mëngjesin e parë të themi dhe pastaj pjesa tjetër është punë, por një punë e bërë me passion është njëkohësisht dhe kënaqësi, është edhe argëtim, është edhe pjesa që I jep kuptim jetës time.

Jeni bërë ndonjëherë pishman që jeni bërë kryetar bashkie i Tiranës apo me politikë dhe që nuk keni bërë diçka tjetër?

Nuk bëhem asnjëherë pishman.

Çfarë mendoni se keni bërë gabim apo që se keni bërë mirë gjatë këtyre viteve që keni qeverisur kryeqytetin?

Këtë do ta mendoj kur mos të jem më në krye të detyrës, sepse nuk ka kohë për të menduar për çfarë nuk është bërë mirë,por duhet menduar se çfarë ka mbetur pa bërë dhe ka shumë gjëra që duhen bërë dhe që unë jam i gatshëm t'i bëj.

Cila është ajo që ju do të doni ta bëni me patjetër përpara se të lini Bashkinë e Tiranës?

Bashkia e Tiranës është një punë në proces. Tirana është një kantier që nuk përfundon asnjëherë, si çdo qytet në botë që është një qenie e gjallë, është një qenie në zhvillim dhe që zgjidh disa probleme, por që duhet të përballet me problemet e reja. Kështu që në këtë sens nuk besoj se ka një gjë që të vetme që kjo duhet të përfundojë me patjetër, pasi çdo gjë është në proces.

Nëse në 2009, PS do të fitojë zgjedhjet dhe ju do të bëheni kryeministër, nga do ta filloni punën?

Partia Socialiste do t'i fitojë zgjedhjet dhe kjo është e padyshimtë dhe ne do të ndryshojmë në Shqipëri shumë gjëra që prej shumë kohësh janë në listën e aspiratave të njerëzve dhe që janë të pandryshuara. Në këtë sens ka një listë të gjatë dhe që sigurisht që është e vështirë të shkëputen gjëra prej kësaj liste, por megjithatë unë dua të nënvizoj faktin se prioriteti I prioriteteve të mia dhe tonat do të jetë arsimi.

A mendoni që është kaq e vështirë të evidentosh probleme, pasi njerëzit kërkojnë që t'u jepet një zgjidhje?

Së pari, nuk janë disa muaj por është më shumë se një vit dhe kjo ka të bëjë me domosdoshmërinë për t'i dëgjuar njerëzit, sepse tjetër gjë është t'i konstatosh gjërat nga larg dhe të ulesh me një grup të ngushtë njerëzisht dhe të fabrikosh zgjidhjet, dhe tjetër gjë është të flasësh me njerëzit aty ku ata jetojnë dhe të shohësh sesa specifike janë problemet e tyre, por, edhe sesa shumë kanë për të thënë njerëzit për mundësitë për t'i zgjidhur këto probleme. Dhe mbi të gjitha, tjetër gjë është bësh një program i cili është thjeshtë dhe vetëm një listë dëshirash të njerëzve për t'u marrë votën dhe tjetër gjë është të bësh një program për të nesërmen e fitores kur do të fillojë puna. Është aty ku qeveritë e Shqipërisë në këto 17 vjet kanë dështuar sepse, pasi kanë fituar nuk kanë pasur në duar instrumentet për të bërë ato gjera që kanë premtuar. Këto instrumente janë sigurisht pjesët e një programi i cili është një program qeverisës për të bërë atë që themi dhe për të mos thënë atë nuk bëjmë dot. Parlamenti është i mbushur me një rrjedhë ngjarjesh që burojnë nga një sere ngjarjesh të rënda, si Gërdeci, Trebicka dhe së fundi Fazlliç. Ju e konsideroni veten me fat që jeni jashtë këtij parlamenti?

Nuk hyn tek çështjet e fatit të qenurit ose jo në parlament. Fati është diçka shumë e gjerë dhe shumë më e thjeshtë sesa kaq.

Është e vështirë ta drejtosh grupin e PS-së duke qenë jashtë parlamentit?

Grupi i PS-së ka një kryetare që e bën detyrën më së miri dhe sigurisht ka dhe një drejtim të përgjithshëm që nuk është aspak e vështirë për t'u përcaktuar me diskutime dhe me kolegjialitet.

Kundërshtari juaj politik ku vërtitet: Berisha, Nano apo Meta?

Kundërshtari im politik është Sali Berisha.

Si do ia bëni me LSI-në për t'u bashkuar si në zgjedhjet e fundit lokale?

Nuk jemi ne që kemi ndryshuar në rrugën tonë dhe padyshim që nuk jemi ne që do të ndryshojmë në rrugën tonë. Rruga jonë është e përcaktuar dhe ne jemi lokomotiva e politikës shqiptare. Jemi sigurisht të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë ata që duan një Shqipëri më të mirë dhe që janë të vullnetshëm për ta realizuar këtë Shqipëri më të mirë duke u ndarë nga politika e vjetër e së shkuarës, por nuk kemi as kohë dhe as mundësi të presim askënd, do të vazhdojmë të ecim përpara dhe do ta bëjmë këtë në funksion të së ardhmes së fëmijëve tanë.

Si do të vijojë dita juaj pas kësaj interviste?

Do të jetë më e ngarkuar sesa ajo e juaja dhe kjo me siguri.

Pse duhet t'u besojmë për këto që thoni ju për ndryshimin e Shqipërisë, sepse këtë e kanë thënë dhe të tjerë para jush. A mos duhet ta provojmë për ta besuar?

Vërtet flisnin kaq bukur ata të tjerët?

Berisha tha në fillim të viteve '90- të se do ta bëjmë Shqipërinë si Zvicra. Kaq mjaftoi që ne të gënjeheshim… Unë nuk kam menduar ndonjëherë se Berisha flet bukur dhe nga ana tjetër në fund të fundit besoj se për sa më takon, fjalët janë të lidhura me veprat dhe veprat e mia flasim mjaftueshmërisht për të pasur një gjykim objektiv.

Z.Berisha mbahet si një makinë infernale energjie. A keni menduar ndonjë herë ta kopjoni nëse do të doni të fitoni zgjedhjet e 2009?

Makinë infernale energjie që nuk prodhon dritë të mjaftueshme për Shqipërinë dhe familjet shqiptare, nuk i duhet dreqit. Mendoj se është vërtetë koha për një ndryshim të madh dhe unë jam gati për ta udhëhequr këtë ndryshim.

Gojët e liga thonë se është stres të punosh me kryetarin aktual. A jeni ju një minidiktator pozitiv ose një drejtues i vështirë?

Nuk besoj se gojët e liga janë 90 për qind, gjithsesi edhe pse ato gjithmonë janë, por nga ana tjetër mendoj se është pak kontradiktore kjo që thua me atë që the pak më parë, sepse për t'i bërë gjërat, për t'i bërë mirë dhe në kohën e duhur nuk mund t'i bësh duke qëndruar duar lidhur apo duke pranuar që kushdo qoftë të qëndroj duar lidhur në një vend si bashkia.

E keni menduar ndonjëherë bashkinë e pas- Ramës, pasi kam një perceptim se ajo do të shpërbëhet pas jush?

Nuk e kam menduar se si do të jetë bashkia, pasi unë ta lë këtë zyrë, por di me siguri që kryetari i bashkisë nuk do të jetë kaq i gjatë, por kjo nuk është një kusht që kryetari i bashkisë të mos jetë kaq i mirë.

Ka arritur në Tiranë një nga ish bashkëpunëtorët e t'u, Blendi Gonxhe. Do ta thërrisni prapë në bashki, pasi ka qenë i suksesshëm apo jo?

Suksesi është një çështje individuale në këtë rast dhe unë i uroj atij të gjitha sukseset.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›