E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luigj Gurakuqi e nis vitin me dy turne e mungesë pedagogësh

Në disa degë të këtij universiteti, veçanërisht ato që janë hapur këto vitet e fundit, ka mungesa në kuadrin pedagogjik

SHKODËR - Universiteti i Shkodrës, edhe pse i vetmi në veriun e vendit dhe me potenciale mësimdhënëse, kërkimore e shkencore, rezulton me shumë probleme. Kështu, studimet edhe për këtë vit shkollor pritet që të bëhen me dy turne. Mungesa e internetit nuk është e vetmja në këtë universitet që regjistron 6 fakultete me 24 degë. Më e keqja rezulton mungesa e pedagogëve me grada dhe tituj shkencorë të nivelit të lartë, si: profesorë, as.profesorë, doktorë. Në disa degë të këtij universiteti, veçanërisht ato që janë hapur këto vitet e fundit, ka mungesa në kuadrin pedagogjik. Në fakultete të ndryshme ka profesorë, por pedagogët me grada e tituj të lartë shkencorë në degë të Fakultetit të Edukimit, atë Juridik, Gjuhëve të Huaja etj janë të paktë në numër, për të mos thënë që mungesa e tyre është shumë e ndjeshme. Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër hapi dje dyert për rreth 10 000 studentë. Në vitet e para, sipas kuotës së përcaktuar nga MASH, janë 2350 kuota pranimi, ku deri tani janë regjistruar 1787 studentë, ndërsa 563 kuota rezultojnë ende të lira. Në ceremoninë e zhvilluar ishte i pranishëm edhe ministri i Arsimit, Fatos Beja, i cili theksoi se këtë vit akademik janë shtuar 520 vende pune për pedagogë në universitetet publike të të gjithë vendit. Ndërsa rektori i Universitetit të Shkodrës, Artan Haxhi, përmendi cilësinë si kërkesë themelore, duke e quajtur atë “një sfidë që duhet përballuar e fituar”. Ministri Beja preu shiritin e përurimit të rikonstruksionit të ambienteve të Fakultetit të Shkencave të Edukimit, tek ish-spitali civil i Shkodrës, një investim prej 47 milionë lekësh të shtetit shqiptar. Në ceremonitë e zhvilluara ishte i pranishëm edhe ministri i Pakicave Kombëtare të Malit të Zi, Fuat Nimani, pasi në këtë universitet ka mjaft studentë shqiptarë nga Mali i Zi, ndërsa mungonin deputetët e Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›