Djegia e autobusëve pa autor, dëmi 120 milionë
ZJARRI/ Tetë autobusë u dogjën mbrëmjen e së dielës, ndërsa ende nuk ka asnjë version për ngjarjen
FIER – Zjarri i rënë mbrëmjen vonë të së dielës në ish-parkun e mallrave të qytetit të Fierit përllogaritet që të ketë shkaktuar një dëm material prej 120 milionë lekësh. Tetë autobusë të shkrumbuar nga flakët dhe që lëshonin ende tym në orët e para të mëngjesit të djeshëm, si dhe pellgjet e mëdha me ujë pranë tyre, ishin një dëshmi e qartë e fatkeqësisë së ndodhur. Dy roja të objektit janë shoqëruar në polici, ndërsa ende nuk ka version për ngjarjen e ndodhur. Burimet zyrtare të policisë së Fierit shprehen se presin përgjigjen e ekspertizës.
Policia
Pas hetimeve të para, rezulton se zjarri në ish-parkun e mallrave ishte i qëllimshëm. Megjithëse nuk ka një version zyrtar për mënyrën se si ka ndodhur ngjarja, dyshimet e para janë se zjarrvënia është realizuar përmes lëndës djegëse. Serbatorët e mbushur me naftë dhe parkimi i autobusëve pranë njëri-tjetrin e ka lehtësuar realizimin e qëllimit. Të gjithë automjetet janë përfshirë nga flakët duke u shkrumbuar plotësisht. Blutë shoqëruan dy roja të subjektit. Mësohet se, megjithëse paguheshin për të ruajtur ish-parkun, asnjëri prej tyre nuk ka qenë në park në momentin në të cilin është vënë zjarri dhe policia i ka marrë në shtëpi. Nuk dihet nëse ndaj tyre do të ngrihet ndonjë akuzë për zjarrvënien.
Ish-parku i mallrave është në pronësi të një shoqërie aksionere. Ai shërben për parkimin e mjeteve të ndryshme private. Për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes, policia u shpreh se po presin përgjigjen e ekspertizës, ndërsa dy ditë më pas, ngjarja nuk ka as shkak dhe as autor.
Ngjarja
Ishte ora rreth 22:00 e së dielës kur banorët pranë ish-parkut të mallrave dëgjuan zhurmën e zjarrit dhe ndjenë erën e tymit. Autobusët e ndodhur pranë banesave të tyre ishin përfshirë nga flakët, ndërsa nata dukej se ishte ndriçuar. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta të policisë, si dhe katër zjarrfikëse, të cilave u është dashur një kohë e gjatë për të arritur të vënë nën kontroll flakët e zjarrit, si dhe për t’i shuar ato më pas, duke bërë kështu të mundur që të shpëtoheshin banesat përreth. Numri i automjeteve të djegura saktësohet në tetë, vlera materiale e të cilëve shkon në rreth 120 milionë lekë.