Sala: Për herë të parë në Shqipëri ngrihet Instituti i Tumoreve

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala deklaroi ditën e sotme, se në mbledhjen e Qeverisë u miratua vendimi për ngritjen e Institutit të parë të Tumoreve në Shqipëri, një strukturë e konceptuar sipas modeleve evropiane.
Në daljen publike për gazetarët, pas mbledhjes së Qeverisë, Sala bëri të ditur se vendimi i parë është historik dhe ka të bëjë edhe me një sfidë të sajën personale.
“Shqipëria do të ketë për herë të parë një Institut të Tumoreve, një institut sipas modeleve evropiane. Kemi marrë modelin e Milanos”, u shpreh Sala.
Sipas saj, instituti do të ketë tri fusha kryesore veprimi, atë klinike, atë të mësimdhënies dhe atë të kërkimit shkencor.
“Në fushën klinike do të përfshihen shërbimet e kirurgjisë së tumoreve, kimioterapisë dhe radioterapisë, ndërsa në fushën e mësimdhënies institucioni do të angazhohet në formimin dhe edukimin e specialistëve në fushën e onkologjisë”, tha Sala.
Një tjetër komponent i rëndësishëm do të jetë kërkimi shkencor, i cili, sipas ministres Sala, do të jetë i pari i këtij lloji në Shqipëri.
“Brenda fushës së kërkimit do të ngrihet njësia e studimeve klinike. Kjo ka një rëndësi të veçantë, sepse do t’u mundësojë pacientëve shqiptarë të bëhen pjesë e studimeve klinike ndërkombëtare, duke pasur akses në barna inovative dhe në studime të reja”, tha Sala.
Sala theksoi gjithashtu se përmes përfshirjes së institutit në organizatat evropiane të qendrave shkencore onkologjike, Shqipëria do të ketë mundësi të përfitojë fonde evropiane për inovacionin, si në fushën e barnave, ashtu edhe në atë të teknologjisë.
Instituti i Tumoreve pritet të shërbejë edhe si bërthamë për koordinimin kombëtar të pikave të kimioterapisë.
“Aktualisht në vend funksionojnë tetë pika kimioterapie, ndërsa me ngritjen e pikës së re në Spitalin Rajonal të Fierit, numri do të shkojë në nëntë. Instituti do të shërbejë si bërthamë për koordinimin kombëtar të pikave të kimioterapisë”, u shpreh Sala.
Sala nënvizoi se “vendimi i miratuar nga Qeveria i hap rrugë krijimit ligjor të institutit, ndërsa tashmë nis puna për ndërtimin e strukturës dhe përcaktimin e mënyrës së funksionimit të tij”.
“Ky vendim i marrë sot miraton bazën ligjore të krijimit të institutit, ndërsa tani nis puna për ndërtimin e strukturës dhe funksionimin e këtij instituti”, deklaroi Sala.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi se Instituti i Tumoreve do të funksionojë pranë shërbimit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Në përgjigje të interesit të gazetarëve, lidhur me koston që do të ketë ngritja e këtij instituti, Sala sqaroi se ai do të financohet përmes buxhetit të alokuar për funksionimin e tij, ndërsa për komponentin e kërkimit shkencor do të ketë edhe një fond shtesë nga buxheti i shtetit.
“Instituti do të qëndrojë aty ku është fizikisht shërbimi i Onkologjisë. Ne kemi plane për ta rikonstruktuar, për ta zgjeruar dhe do t’ju informojmë. Si institut shkencor, kjo do të jetë hera e parë, ndaj do të ketë edhe një pjesë buxheti shtesë nga buxheti i shtetit për pjesën kërkimore-shkencore”, deklaroi ajo.
Sala theksoi se krijimi i institutit nuk do të shihet vetëm si një strukturë e re brenda sistemit shëndetësor, por edhe si një mundësi për Shqipërinë që të përfitojë financime evropiane për kërkimin, inovacionin dhe teknologjitë e avancuara.
“Instituti në vetvete jep mundësinë që Shqipëria, nëpërmjet këtij instituti, të aplikojë për fondet evropiane për të përthithur këto fonde. Jo vetëm për barna, por edhe për teknologji të avancuar”, u shpreh Sala.
Ajo nënvizoi se përfshirja e institutit në një rrjet evropian të qendrave onkologjike do të krijojë mundësi edhe për zhvillimin në Shqipëri të studimeve klinike.
“Duke qenë pjesë e një rrjeti evropian të qendrave onkologjike, kjo do të japë mundësinë që në Shqipëri të zhvillohen studime klinike, të cilat krijojnë mundësi për barna inovative për pacientët”, tha ministrja.
Një tjetër objektiv i institutit është edhe krijimi i kushteve për përfshirjen e profesionistëve shqiptarë të onkologjisë që punojnë jashtë vendit.
Sala tha se kontributi i diasporës do të mund të realizohet si nga jashtë, ashtu edhe përmes angazhimit fizik në Shqipëri.
“Ne e kemi ngritur çështjen e diasporës në dy këndvështrime. I pari është që diaspora mund të kontribuojë nga kudo që është, si brenda Shqipërisë, por edhe jashtë. Shembulli më i mirë i kontributit të diasporës shqiptare është puna e palodhur e mjekëve të diasporës onkologjike në Institutin e Tumoreve në Milano, sepse kanë qenë partnerë të shkëlqyer”, deklaroi Sala.
Sipas saj, për mjekët shqiptarë që dëshirojnë të rikthehen dhe të ushtrojnë profesionin në vend është krijuar edhe një platformë e dedikuar aplikimi.
“Kemi ngritur edhe një platformë aplikimi për diasporën, që mjekët që duan të kthehen fizikisht në Shqipëri të kenë një proces aplikimi të dedikuar për ta”, përfundoi ministrja.
/e.i/a.f/r.e/