Salehi apelon për forcimin e paqes

Ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Akbar Salehi, u ka bërë thirrje delegatëve nga vendet në zhvillim që të jenë vigjilentë ndaj atyre që praktikojnë “politika egoiste të ndërhyrjes”.
Salehi ka kërkuar nga ta që t`i rezistojnë “sanksioneve të njëanshme ekonomike, të miratuara nga vendet e caktuara kundër shteteve të painkuadruara”.
Ai, gjithashtu, ka bërë thirrje për forcimin e paqes si dhe për eliminimin e diskriminimeve.
Irani pritet të propozojë planin për paqe në Siri, gjatë samitit që do të zgjasë deri më 31 gusht.
Lëvizja e të Painkuadruarve, e themeluar në kulmin e Luftës së Ftohtë, është një grupim i vendeve në zhvillim, që nuk e kanë lidhur veten me ndonjë superfuqi të madhe.
Lëvizja aktualisht përbëhet nga 120 anëtarë, në mesin e tyre janë vendet si Venezuela, Irani, Afrika Jugore, India dhe Arabia Saudite.
Kurse, Kina, Rusia dhe Brazili janë në mesin e vendeve me status vëzhguesi.