E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sali Bashota ne frengjisht me Bukuri e nemur

Botimi

Libri me poezi “Bukuri e nëmur”, i poetit Sali Bashota, u botua këto ditë në Cyrih në gjuhën frënge nga shtëpia botuese “Xanthippe Edition ASPASIA” me përkthim të Frédérique Duversin. “Bukuri e nëmur:, botuar nga PEN Qendra e Kosovës në vitin 2006, u nderua edhe me Çmimin e Mitingut të Poezisë në Gjakovë si libri më i mirë i vitit me poezi. Në parathënien e librit  “Beauté maudite ”(“Bukuri e nëmur”), shkruar nga Dr. Yvonne-Denise  Kochli, ndër të tjera, thuhet: “Poetët e çdo kombi synojnë t’i paraqesin vlerat e tyre kombëtare, por edhe vlerat universale të shoqërisë njerëzore. Prandaj, vlerat u takojnë të gjithë atyre që për mision e kanë humanizmin dhe lirinë e fjalës së vërtetë. Me poezitë e tij të mrekullueshme, Sali Bashota po hap një dritare të shpirtit që e ka shkëlqimin dhe origjinalitetin e vet duke fuqizuar fjalën poetike me dritën e tij të veçantë magjike”.

Poezia e Sali Bashotës është përkthyer dhe botuar në libra të veçantë në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht dhe maqedonisht, ndërsa autori është nderuar me çmime dhe shpërblime të larta letrare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, siç janë çmimet: “Pjetër Bogdani”, “Serembe”, “Menada”, “Pena e Artë” etj.

Botimi i  librit “Bukuri e nëmur” në gjuhën frënge është suksesi më i ri i poetit, por gjithashtu, është edhe afirmim i vlerave të  poezisë bashkëkohore shqipe jashtë vendit. Sali Bashota është profesor i Universitetit të Prishtinës, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës dhe Nënkryetar i Unionit të Bibliotekave të Ballkanit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›