Sali Berisha është po ai i 1997-s
Ilir Gjoni / Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë
Veprimi i gjykatës është prologu i shkatërrimit të demokracisë, rrënimit të shtetit ligjor, kapjes së shtetit, nënshtrimit të Drejtësisë dhe vrasjes së shpresës nga Sali Berisha dhe gjithë klika e tij antidemokratike. Ky është një mesazh i qartë se Sali Berisha dhe klika e tij do të bëjnë çmos për të dhunuar dhe vullnetin e popullit në qershor të këtij viti. Vendimi i sotëm është i qëllimshëm dhe synon të intimidojë si shqiptarët, duke u thënë atyre se me Saliun nuk e "kruan" dot njeri, ashtu dhe ndërkombëtarët, duke u thënë se ai nuk do t’ia dijë për ta, madje as për FBI. Stabilokracia e shumë vlerësuar prej ndërkombëtarëve për regjimin e Saliut tanimë është histori e shkuar.Epilogu i nisur me vjedhjen e zgjedhjeve në 2009, 2011 dhe vrasjet në 21 janar kulmuan me këtë vendim absurd e mafioz, i cili është njëkohësisht ogurzi. Mesazhi që kërkon të japë Sali Berisha është drejtuar direkt ndaj popullit opozitar, për t’i thënë se ai shpërfill çdo normë morale e ligjore para karriges së pushtetit të tij. Ai nuk ndalet, e nuk do të ndalet as nga deklarimet politike, e as deklaratat e ndërkombëtarëve. Saliu është po ai që ka qenë në 1997- i gatshëm ta çojë vendin drejt kaosit e shkatërrimit. Cilido naiv që ka menduar se Sali Berisha do të respektojë normat e shtetit ligjor, apo që ka ndërmend ta lëshojë pushtetin në mënyrë paqësore, veçse gënjen veten. Opozita duhet të jetë e vendosur, me veprime dhe jo fjalë, për t’u përballur me këtë individ, lufta ndaj të cilit dhe largimi përfundimtar i tij prej skenës politike, është një emergjencë, njëkohësisht kombëtare, por dhe për demokracinë. I gjithë populli opozitar, por veçanërisht Partia Socialiste, duhet të jetë më e drejtpërdrejtë dhe e vendosur në veprime e deklarime. Është detyrë e PS-së dhe borxh që ajo u ka shqiptarëve, për ta flakur tutje këtë politikan shkatërrimtar që këto 22 vjet, veçse i ka krijuar dëme të pallogaritshme Shqipërisë e shqiptarëve, politikan të cilin e ka falur si në '97 ashtu dhe në '98, politikan që është përgjegjës për shkatërrimin e shtetit dhe vrasjen e mijëra të rinjve shqiptarë, politikan, i cili ka rrënuar jetën dhe ekonominë e shqiptarëve, që ka cenuar rëndë sigurinë e vendit, që shiti e shkatërroi pasuritë kombëtare e që tradhtoi Shqipërinë, duke shitur territoret e saj. Drejtësia, jo vetëm për 21 Janarin, por dhe për gjithë ato të zeza që i ka shkaktuar popullit do të vendoset vetëm, dhe nëse PS dhe gjithë populli opozitar do të jenë të organizuar e bashkuar në 23 qershor të këtij viti.