Maqedonia e Bullgaria përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet
Pasi bllokoi pranimin e saj në BE, Bullgaria tha se po përqendrohet në përmirësimin e marrëdhënieve me Maqedoninë
Në një përpjekje për të ndrequr gardhet muaj pasi Bullgaria bllokoi hyrjen në BE të Maqedonisë, kryeministri Bojko Borisov ftoi homologun e vet maqedonas Nikola Gruevski në Sofje. Borisov tha se Shkupi mund të llogaritë mbështetjen bullgare në rrugën e vet për në BE dhe NATO dhe shprehu interes në diskutimin e çështjeve ekonomike të tilla si ndërtimi i autostradës Sofje-Shkup-Tiranë. Deri tani, nuk ka pasur përgjigje nga Shkupi ndaj ftesës së Borisov. Marrëdhënia midis dy vendeve u ftoh më tej pas premierës së filmit maqedonas të propozuar për çmimin Oskar "Gjysma e tretë," që ilustron pjesëmarrjen e Bullgarisë në Holokaust. Presidenti bullgar Rosen Plevneliev tha se një nga përparësitë kyçe këtë vit do të jenë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë. Grupet e punës të ministrive të punëve të jashtme maqedonase e bullgare vazhdojnë të takohen lidhur me projektin e traktatit të miqësisë së re, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit midis të dy vendeve, shkruar nga Bullgaria. Analistët maqedonas thanë megjithatë, se thirrja nga Borisov dhe traktati i ri nuk është një qëllim i sinqertë për të kapërcyer mosmarrëveshjet midis dy vendeve të Ballkanit. "Bullgaria vazhdon të njëjtën politikë të mohimit ndaj Maqedonisë," tha Risto Nikovski, ish ambasador maqedonas. Si pjesë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të majit në Bullgari, janë shprehur një numër deklarimesh rreth marrëdhënieve maqedonase - bullgare. "Në këtë fushatë, mund të dëgjosh se interesat kombëtare bullgare janë kërcënuar dhe se vendi do të përpiqet të kundërshtojë drejtimin e Maqedonisë për në BE dhe NATO. Në ndryshim, Maqedonia shpreson se një opinion publik mbizotërues do të dënojë politikanët [bullgarë] që demonstrojnë qëndrim agresiv dhe të padrejtë ndaj Maqedonisë," tha Georgi Spasov, ish-ambasadori maqedonas në Sofje. Georgi Parvanov dhe Zhelju Zhelev, ish presidentët bullgarë, kohët e fundit u bënë thirrje autoriteteve të Sofjes dhe thanë se bllokimi i Maqedonisë është një gabim, i papërgjegjshëm dhe jo në interes të Bullgarisë. "Ne po bllokojmë Maqedoninë, popullin me të cilin ndajmë të njëjtën origjinë. Duhej të ishte e kundërta, ne duhej të qemë përkrahësit më të mëdhenj të tyre," tha Parvanovi. "Maqedonia dhe Bullgaria kanë interesa afat-gjata për të stabilizuar marrëdhëniet e tyre dhe kjo nuk duhet kushtëzuar me afate përfundimtare apo shtyrje", tha Spasovi.