E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI: “Mos e banalizoni botën e të rinjve. Kisha ka besim të madh në ta”

08-02-2013 / Gazeta 55

Nuk ekziston një “kulturë rinore” e vetme, por një realitet mjaft i ndërlikuar, të cilin Kisha dëshiron ta njohë më mirë, pasi ka besim të madh tek të rinjtë e ka nevojë për gjallërinë e tyre. Ky është thelbi i fjalëve, që u tha Papa Benedikti XVI sot paradite, pjesëmarrësve të asamblesë së përgjithshme të Këshillit Papnor të Kulturës, të cilët i priti në audiencë. Kjo asamble këtë vit i kushtohej pikërisht “kulturave të reja rinore” në kohën e globalizimit e të internetit. Ati i Shenjtë ftoi të mos shihen të rinjtë me këndvështrimin e paragjykimeve të zakonshme. Sipas Papës, të rinjtë e sotëm nuk jetojnë në një “univers” të vetëm, por në një lloj “multiuniversi”, pra, në një hapësirë e kohë, ku bashkëjetojnë shumë këndvështrime, perspektiva e strategji. Kisha dëshiron të kuptojë aspektet pozitive dhe negative të kësaj gjithësie rinore shumëpërmasore, të gjuhës së tyre tepër të shpejtë, falë përhapjes së internetit e të rrjeteve shoqërore. Benedikti XVI vuri në dukje se krahas mundësive më të mëdha, që i kanë bërë të rinjtë ekspertë të teknologjive, vërehen mungesa e vështirësi në botën e tyre psikologjike, në marrëdhëniet shoqërore, që shpesh e çojnë të riun drejt mënjanimit, e bëjnë të “padukshëm” për historinë e kulturën e kohës. Nganjëherë, nënvizoi Papa, zgjidhja e këtyre problemeve kërkohet në rrugën e drogës e të dhunës: “Sfera emocionale, ndjenjat, ashtu si edhe përdorimi i trupit, ndikohen fuqimisht nga kjo atmosferë e nga klima kulturore që rrjedh prej saj, e që shprehet, për shembull, nga fenomene kontradiktore në dukje, si spektakolarizimi i jetës intime e personale dhe mbyllja individualiste e narciziste në vetvete, në nevojat e interesat vetjake. Edhe përmasa fetare, përvoja e fesë dhe përkatësia në Kishë, shpesh, jetohen në perspektivën private dhe emotive”.
Nga ana tjetër, Papa vuri në dukje edhe bujarinë e guximin e shumë të rinjve vullnetarë, që impenjohen për të shëruar plagët e shoqërisë së tyre. E nuk harroi gjendjen e të rinjve të së ashtuquajturës “Botë e Tretë”: “E kuptojmë fort mirë se ata përfaqësojnë, me kulturat dhe nevojat e tyre, një sfidë për shoqëritë e konsumizmit të globalizuar, për kulturën e privilegjeve të konsoliduara, nga të cilat përfiton një rreth i ngushtë i popullsisë së botës perëndimore. Si pasojë, kulturat rinore bëhen “të reja” edhe sepse shfaqin një nevojë të thellë, një kërkesë për ndihmë e madje, edhe një “provokim”, që nuk mund të injorohet e të lihet mënjanë, si nga shoqëria civile, ashtu edhe nga bashkësia kishtare”. Pavarësisht nga problemet e botës rinore, që kanë të bëjnë edhe me fenë e me pjesëmarrjen e të rinjve në jetën e Kishës, Benedikti XVI, në fund të fjalës së tij, përqafoi me dashuri e vlerësim të gjithë të rinjtë e globit: “Kisha ka besim tek të rinjtë, shpreson në ta e në energjitë e tyre, ka nevojë për ta e për gjallërinë e tyre, që të vazhdojë të jetojë me hov të përtërirë misionin e besuar nga Krishti. Uroj me gjithë zemër, pra, që Viti i Fesë të jetë, edhe për brezat e rinj, rast i çmuar për të gjetur e forcuar miqësinë me Krishtin, nga e cila duhet të lindë gëzimi dhe entuziazmi për t’i shndërruar thellësisht kulturat e shoqëritë”.
Papa, Vëllazërisë së Shën Karlit: frymëzohuni gjithnjë më shumë nga dashuria për Krishtin/“Vëllazëria juaj është e madhe: shenjë e thirrjeve të shumta” - ishin fjalët e para të Papës, në sa takohej dje, në Vatikan, në përfundim të audiencës së përgjithshme, me anëtarët e Vëllazërisë së Shën Karl Borromeut. Është fjala për një shoqëri jete apostolike, lindur nga karizma e lëvizjes Bashkim e Çlirim. U themelua më 1985 nga imzot Masimo Kamisaska, ish-drejtues i Lëvizjes, para se të shugurohej meshtar. Në takim ishin të pranishëm drejtuesit e Bashkim e Çlirim, kryesuar nga don Julian Carrón dhe 18 meshtarë, ardhur nga misionet në kontinente të ndryshme.
Duke folur miqësisht, pa tekst, Benedikti XVI kujtoi në fillim, takimet me don Luigji Gjusanin, themelues i Lëvizjes: “E kam njohur besimin, gëzimin, forcën, pasurinë e ideve, frymën krijuese të fesë së tij. Lidhëm një miqësi të vërtetë e kështu, përmes tij, njoha më mirë edhe bashkësinë “Bashkim e Çlirim”. Benedikti XVI shprehu admirim edhe për imzot Kamisaskën: “Fryma krijuese e artit tuaj, nuk më është e panjohur. Ashtu edhe aftësia për t’i parë e për t’i shpjeguar shenjat e kohës, dhuratë e madhe për një edukator e meshtar”, i tha Papa prelatit. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi shpirtin e Shën Karl Borromeut, që e frymëzon këtë Vëllazëri: “Ai mbeti gjithnjë model i bariut, që nxitet nga dashuria e Krishtit, kërkon të vegjlit, i do e kështu, krijon fe të vërtetë e rrit bijtë e Kishës”. Në përfundim Benedikti XVI falënderoi Zotin për dhuratën e Vëllazërisë së Shën Karlit, duke uruar që të frymëzohet gjithnjë më shumë nga dashuria e Krishtit e nga dashuria e njerëzve për Jezusin. “Zoti ju shoqëroftë në çdo hap” - ishin fjalët, me të cilat Papa e përfundoi këtë takim të përzemërt.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›