Sali Berisha nis sot një vizitë pune dyditore në Itali
Në axhenda përfshihet një takim kokë më kokë dhe konferencë shtypi me homologun Mario Monti si dhe pjesëmarrje në Forumin Ekonomik “Shqipëria në Europë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”
ENEL, i gatshëm të bëhet bashkaksioner i gazsjellësit TAP
Kryeministri Sali Berisha viziton Romën (Itali), ku do të zhvillojë takime me personalitetet më të larta italiane, si dhe do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik shqiptaro-italian. Kryeministri shoqërohet nga Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi dhe nga përfaqësues të biznesit dhe të medias.
Sot, kryeministri Berisha dhe delegacioni zyrtar, që e shoqëron do të zhvillojë një takim në Selinë e Këshillit të Ministrave, Palazzo Chigi, me kryeministrin italian, Mario Monti. Pas takimit, të dy homologët do të dalin në një konferencë të përbashkët për mediat.
Në vijim të vizitës së tij, Kryeministri shqiptar do të pritet në një takim të veçantë në Quirinale, nga Presidenti i Republikës, Giorgio Napolitano. Gjithashtu ai do të takohet në Montecitorio me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Gianfranco Fini.
Gjithashtu, Kryeministri do t’i drejtohet me një fjalë Forumit Ekonomik “Shqipëria në Europë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”, që zhvillohet në selinë e Confindustria-s, me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve italiane dhe shqiptare.
Në prezantimin e tij, Kryeministri do të bëjë një ekspoze të përgjithshme të zhvillimeve dhe reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, klimës së favorshme për biznes e investime, të potencialeve të Shqipërisë etj. Forumi do të përshëndet edhe nga Ministri italian i Punëve të Jashtme, Giulio Terzi di Sant’Agata. Një çështje e rëndësishme diskutimi do të jetë edhe ajo e gazsjellësit TAP, i cili kalon nëpër Shqipëri. Aktualisht janë tre projekte që po konkurrojnë për të sjellë gazin e Azerbajxhanit në Europë. Veç gazsjellësit që mbështet Shqipëria janë dhe dy projekte të tjera, ai i “Nabucos” dhe gazsjellësi “South Stream”, që mbështetet nga gjigandi energjetik rus “Gazprom”.
Por të dy këto projekte kalojnë nga Turqia direkt në Europën Qendrore duke anashkaluar Italinë dhe Greqinë. Në këto kushte Roma dhe Athina duket se nuk kanë rrugë tjetër përveçse të mbështesin projektin që mbështet fort edhe Tirana. Analistët thonë se përfshirja e Italisë në projektin TransAdriatik është një lajm i mirë, pasi do të rriste shanset që ky projekt të shpallet fitues
Gjiganti italian, Enel në garë për gazsjellësin TAP
Pak ditë më parë, kompania më e madhe e energjisë në Itali, “Enel”, shprehu interesin e saj për t’u bërë pjesë e projektit TransAdriatik të transportit të gazit TAP. Në një deklaratë të bërë në media, drejtuesi i “Enel”, Fulvio Konti, është shprehur se “’Enel’ është i interesuar për projekte që i sjellin gaz vendit”. Pyetjes nëse “Enel” ka parasysh edhe TAP për këtë aspekt, ai i është përgjigjur shkurt, “sigurisht”, duke lënë kështu të kuptohet që “Enel” shumë shpejt mund të bëjë edhe blerje të aksioneve.
“Reuters” raporton se mbështetja që mund të marrë projekti TAP nga përfshira në gjirin e saj edhe të kompanive vendëse italiane mund të kalojë atë që analistët e kanë quajtur si pikë të dobët. Me shumë mundësi, kompania italiane “Enel” mund të blejë deri në 10-15 për qind të aksioneve të këtij projekti.
Përmes gazsjellësit transadriatik synohet që të transportohet gaz nga zona Kaspike në Italinë Jugore, përmes kalimit në disa vende me një kapacitet fillestar vjetor, prej 10 miliardë metër kub. Kjo masë mund të dyfishohet si pjesë e tendencës së Bashkimit Europian për të ulur vartësinë që ka nga gazi i Rusisë.
Një javë më parë ishte pikërisht ministri i Industrisë së Italisë, Corrado Passera, i cili u shpreh se është e rëndësishme që një kompani italiane të përfshihej në një nga projektet që synojnë transportin e gazit të Kaspikut, dhe duket se në këtë aspekt “Enel” ka qenë kompania e nënkuptuar, e cila kontrollohet nga shteti. TAP është i vetmi projekt kyç i transportit të gazit, që deri më tani nuk ka në përbërjen e aksionerëve kompani italiane. Sponsorët e këtij gazsjellësi janë zvicerania “EGL”, gjermania “E.ON AG” dhe norvegjezja “Statoil”. Në një njoftim të pak ditëve më parë, TAP njoftoi se i ka dorëzuar Ministrisë së Mjedisit të Italisë studimin për impaktin social dhe mjedisor që do të ketë gazsjellësi, duke e afruar kështu edhe më realizimin e projektit. Pas eliminimit të projektit grek “ITGI”, një variant atraktiv për konsorciumin Shah Deniz duket se mbetet projekti transadriatik TAP që përfshin Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë.
Lidhur me vendin tonë, nga ana e institucioneve është deklaruar se kanë filluar negociatat ekskluzive dhe nga janë përcaktuar edhe aktet rregulluese për projektin e gazit nga ana e Entit Rregullator të Energjisë. Gazsjellësi transadriatik është planifikuar të jetë 800 kilometra i gjatë, nga të cilat, rreth 478 kilometra kalojnë në Greqi, 204 në Shqipëri, jashtë bregut nëpër Adriatik 150 kilometra dhe në Itali 4 kilometra. Transporti do të fillojë nga kufiri greko-turk (Komotini), do të kalojë në Shqipëri, më pas në det dhe do të lidhet me sistemin e shpërndarjes së gazit natyror “San Foca” në Itali.