E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi uron presidentin e ri të Francës, Fransua Hollande

Kreu i shtetit Bamir Topi ka uruar sot presidentin e ri të Francës Fransua Hollande. Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti Topi ka shprehur besimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
 

“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t`ju shpreh përshëndetjet më të ngrohta e miqësore me rastin e fitores dhe zgjedhjes suaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Franceze! Me këtë rast, dëshiroj të shpreh besimin tim se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona do të forcohen dhe më shumë gjatë mandatit tuaj presidencial. Kjo miqësi, si edhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Francës do të vazhdojnë të konsolidohen më tej, në interes të begatisë e lumturisë së dy popujve tanë miq” thekson Topi.

Ai gjithashtu ka shprehur vlerësim për mbështetjen që Franca i ka dhënë dhe po vazhdon t`i japë Shqipërisë në përpjekjet e saj drejt integrimit sa më të shpejtë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. “Duke u nisur nga ky qëllim, Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të vazhduar në rrugën e zhvillimit dhe përparimit demokratik e social në të gjitha fushat. Po kështu ne vlerësojmë lart rolin konstruktiv të Francës në proceset e paqes, demokratizimit dhe integrimit euroatlantik të rajonit të Ballkanit Perëndimor!” thekson Topi.
 

“Duke shprehur urimet e mia më të sinqerta për sa më shumë suksese në misionin tuaj fisnik, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” – theksohet në mesazhin e Kryetarit të Shtetit shqiptar” përfundon deklarata e presidentit Topi.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›