Sali Berisha po tenton grusht shteti në Kuvend, kërkon të arrestojë deputetët
Nga Erion Braçe
Sali Berisha po tenton grusht shteti në Kuvend. Propozon ndryshime kushtetuese dhe i jep të drejtë vetes tashmë:
Të arrestojë deputetë të Kuvendit, me votim të hapur të mazhorancës së tij politike në Kuvend.
Nëse këto ndryshime miratohen, atëherë nuk ka më Kuvend. Nuk ka më as demokraci. Ka vetëm një parti që ka presidentin- që emëron prokurorin dhe gjykatësit e lartë(këta akuzojnë dhe gjykojnë deputetët);
Ka kryeministrin- që emëron ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Policisë së Shtetit(ky është organi që ekzekuton urdhër arrestet);
Ka kryetarin e Kuvendit- që drejton mazhorancën politike (kjo shumicë lejon arrestimet me votë të hapur në Kuvend).
Kjo është skema e grushtit të shtetit qysh kur partia u bë njësh me shtetin!
Kjo duhet të ndalet me çdo kusht, ndryshe nuk ka më demokraci e parlamentarizëm.
Neni 73/Ishte
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe ne rastin kur ai do të arrestohet.
3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
Neni 73/Si e bën PD
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi penale, civile ose ndonjë lloj tjetër përgjegjësie për mendimet e shprehura dhe votat e hedhura në Kuvend në ushtrim të detyrave dhe të drejtave të tij si deputet. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose të privohet nga liria personale e tij në ndonjë formë, dhe ai nuk mund ti nënshtrohet kontrollit vetjak ose të shtëpisë së tij/saj në qoftë se dhe për sa kohë, Kuvendi (ose një organ i caktuar i tij) kërkon zbatimin e imunitetit te deputetit ndaj këtyre masave. Kuvendi mund ta kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm me arsyen se po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit. Kuvendi duhet të njoftohet menjëherë sapo që nis të ekzekutohet ndonjëra nga masat e mësipërme.
Shihini ndryshimet në nene:
1. Deputeti nuk mund të ndiqej penalisht e as të arrestohej pa leje të Kuvendit.
Kërkohej që: leja e Kuvendit për procedimin penal të shfuqizohej për veprat penale të korrupsionit.
PD heq: lejen e Kuvendit për procedim penal pa kufi; lejen për arrestimin e deputetit po përsëri pa kufi.
2. Deputeti mund të arrestohej në kushtet e flagrancës, por kur Kuvendi konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos me votim të fshehtë heqjen e masës së arrestit.
PD heq tërësisht: konceptin e “arrestit në flagrance”, për të deputeti mund të arrestohet lirshëm kurdo; Kuvendi mund të kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm nëse vëren që cenohet rëndë funksionimi i tij; kete e vendos maxhoranca politike me votim te hapur!
Prej këtu demokracia është formale. Ky është Putinizëm dhe duhet luftuar.
