Sali Berisha, ti duhet të heshtësh!
Nuk e thua dot të vërtetën dhe e ke të shkruar në lule të ballit “Namin e Zi” të manipulatorit të çdo palë zgjedhje sa kohë ke qenë në pushtet!!
Kam tre ditë që e dëgjoj “Kryeministrin e Mundur” nga populli, të tregoje versionin e tij të “Manipulimit të Votave”.
Deri më sot i referohet zgjedhjeve në Qarkun Lezhë, aty ku ndodhi:
Më parë, një korrigjim i tabelës së rezultatit nga KQZ;
Në fund, një rinumërim i çdo vote në çdo qendër votimi në këtë qark.
Sali Berisha flet për një manipulim të madh dhe për këtë shkak nuk do njohë rezultatin e zgjedhjeve!!
Por si është e vërteta?!
Dua të rendis:
E para, në qarkun Lezhë zgjedhjet ishin të vështira, jashtë çdo normaliteti, të dhunshme e të pandershme, deri me pengmarrje, rrahje, gjymtime, plagosje e vrasje, pas të cilave, viktimat e dokumentuara nga policia dhe prokuroria kanë qenë të opozitës!!
E dyta, vendimmarrja e KQZ, kryesisht për shqyrtimin e ankesave të palëve, hetimin administrativ, rinumërimin e votave si produkti më i rëndësishëm i këtij “hetimi”, është totalisht e paligjshme, e njëanshme e politike!
E treta, rinumërimi u krye kur kutitë e votimit, për 25 ditë me radhë u administruan jo nga palët (pra palët e legjitimuara në proces siç janë QV e ZAZ) por nga qeveria, ekskluzivisht nga një njeri i pushtetshëm, Sali Berisha dhe njerëz të rrethit të tij të ngushtë familjar!
Dua të nënvizoj këtu faktet se:
Kutitë e votimit të Lezhës janë dorëzuar në KQZ ndër të parat, pak ditë pas datës së zgjedhjeve.
Ankesat për zgjedhjet në Lezhë, tabelat e rezultateve, janë depozituar në KQZ ndër të parat, para shumë ankesave të shqyrtuara nga KQZ.
Kontestet për tabelat e rezultateve të Qarkut Lezhë janë shqyrtuar nga KQZ vetëm në datën 10 Korrik dhe vendimi për rinumërimin nga KQZ është marrë dhe bërë efektiv në datat 18-19 Korrik.
Pra, KQZ “fitoi” dhe “dhuroi” kohën e duhur për veprime të paligjshme e kriminale të dyshuara në këtë rast!!
E gjitha, nën dritën e aktit të pashembullt kriminal të mosshpalljes, të administrimit të njëanshëm të kutive të votimit, të manipulimit të kutive të votimit nën administrim, të rinumërimit dhe ndryshimit të rezultatit të zgjedhjeve vendore për kryetarin e Bashkisë në Tiranë, në maj 2011!!
Tani, të flasim për numrat e Lezhës.
E para, KQZ ka marrë një vendim në bazë të të cilit rezulton se e djathta në Lezhë merr 4 mandate, e majta 3 mandate, dhe e djathta e mbron mandatin e 4-t me 39 vota më shumë se e majta!
E dyta, KQZ ka marrë dje një vendim të dytë në bazë të të cilit rezulton se e djathta në Lezhë merr 4 mandate, e majta 3 mandate, dhe e djathta e mbron mandatin e 4-t me 781 vota më shumë se e majta!
Pra, nga rinumërimi nuk ka ndryshuar gjë përsa i përket numrit të mandateve mes palëve!
Sali Berisha pretendon se atij i janë vjedhur 742 vota dhe ky për të është Manipulim i Madh!!
E treta, në qarkun Lezhë, pas rinumërimit të bërë nga KQZ janë gjetur: 81.761 vota gjithsej; 80.342 vota të vlefshme. 781 votat, diferencë e dalë nga rinumërimi, të treguara nga Sali Berisha përbejnë vetëm 0.97% të votave të vlefshme!! (i madh manipulimi!!!)
E katërta, nga 4 ZAZ në këtë qark, në 3 prej tyre nuk është gjetur parregullsi pas rinumërimit.
E pesta, nga 4 ZAZ në këtë qark, në vetëm një prej tyre janë shënuar parregullsi pas rinumërimit, ZAZ 13.
E gjashta, nga 258 kuti votimi, në vetëm 10 prej tyre janë shënuar parregullsi pas rinumërimit.
E shtata, nga këto 10 kuti, në 5 prej tyre janë gjetur korrigjime të numrave që materializojnë votat në procesverbale. Në 5 të tjerat nuk ka pasur e për pasojë nuk është gjetur asnje shënim në procesverbalet e numërimit, përfshirë korrigjime në numra apo shënime të numëruesve të çdo pale ose anëtarëve të KZAZ të secilës palë. (Ky është rasti i manipulimit dhe ndryshimit të rezultatit në 8 maj 2011 në Tirane)
E teta, nga 781 vota, 439 vota dyshohen si “të manipuluara” ose 0.54% e votave të vlefshme. 342 vota janë vërtetuar si “gabim material” (gabim njerëzor).
E nënta, nga 439 vota të dyshuara si “të manipuluara”, dyshohet se vetëm 136 vota i janë “hequr” PD në nivel qarku ose 0.1% të votave të vlefshme. Dyshohet se vetëm 127 vota i janë “hequr” PD në nivel ZAZ 13 ose 0.1% të votave të vlefshme.
Përdora termin “dyshohet” dhe termin “manipulim” për këto arsye:
E para, çdo gjë duhet provuar nga një organ kushtetues me kompetenca të plota hetimi penal për të provuar gjithë sa pretendohet.
E dyta, “manipulimi” dyshohet se mund të jetë i dyanshëm:
Prej vullnetit kriminal të çdo numëruesi e komisioneri;
Prej vullnetit kriminal të administruesve të një Familje të kutive të votimit në magazinat familjare të Lundrës. (për më tepër kur numëruesit e komisionerët nuk kanë bërë asnjë shënim që të provojë të kundërtën nëpër procesverbalet e administruara).
Kjo është njëra prej tipologjive të manipulimit të dyshuar por të pretenduar nga Sali Berisha.
Ka edhe një tip tjetër “Manipulimi”. Është ky: Në 6 qendra votimi, 2 në Mamurras e 4 në Laç, dyshohet se:
Kanë votuar njerëz që nuk kanë qenë në Shqipëri- Laç e Mamurras ditën e votimit;
Një njeri i vetëm ka votuar për më shumë se veten e tij, deri në 50 herë;
Ka më shumë fletë votimi të gjetura në kuti se sa nënshkrime në listën e votuesve.
Shqip e qartë, dyshohet se kutitë e votimit janë mbushur vendçe!!
Të flasim për numrat e këtyre 6 qendrave të votimit:
E para, në këto 6 qendra kanë votuar 2385 zgjedhës.
E dyta, në vetëm një qendër votimi, QV 0907 në Mamurras, rezulton se, votues në listë kanë qenë 617. Nga këta, nuk kane qenë në Shqipëri në 23 qershor 156 vetë.
Nga 617 votues në listë, rezultojnë të kenë votuar 560 vetë.
Nga 560 votues rezultojnë nënshkrime të votuesve vetëm 544, pra fletë votimi janë 16 më shumë në kuti.
Nga 560 votues rezulton se 117 nuk kanë qenë fare në Shqipëri- Mamurras në 23 qershor.
Nga 560 votues rezulton se 50 vota i ka hedhur një njeri i vetëm, konfirmuar nga nënshkrimet në listën e zgjedhësve.
Në total, vetëm në këtë qendër votimi, njëra nga 10 që ka Mamurrasi e njëra nga 6 të dyshuarat, dyshohet se janë hedhur e kanë mbushur kutinë duke manipuluar rezultatin e zgjedhjeve në të, 183 fletë votimi!!
Ndërkohë, nga verifikimi i përciptë, për shkak të mungesës së bashkëpunimit të KQZ dhe fshehjes së të dhënave nga Ministria e Brendshme, rezulton:
Në një tjetër qendër nga 6 të dyshuarat, dyshohet se 37 zgjedhës që rezultojnë votues, nuk kanë qenë fare në Shqipëri më 23 qershor.
Në 4 qendrat e tjera nga 6 të dyshuarat, dyshohet se 145 firma zgjedhësish, votues në 23 qershor, janë hedhur nga e njëjta dorë!!
Kjo është e vërteta! Përsëri nuk është e plotë!
Sali Berisha- në cilësinë e kryeministrit; Flamur Noka- në cilësinë e ministrit të Brendshëm, po pengojnë hetimin kur edhe pas 4 ditesh: fshehin, tentojnë të manipulojnë e nuk vënë në dispozicion të hetimit te dhënat e plota të hyrje- daljeve nga Shqipëria, përmes sistemit TIMS për zgjedhësit e 6 qendrave të votimit të dyshuara si të manipuluara!
Ky krim meriton hetim! Për gjithë paligjshmërinë që përshkrova më sipër; në QV, në Grupet e Numërimit, në ZAZ, në KQZ, në Lundër, në sistemin TIMS, në qeveri!!
Por, edhe në rrugë ku ai vetë, si kryeministër, kryetar partie e kryetar bande kërcënoi, pengoi, intimidoi, mori peng, dhunoi, gjymtoi, plagosi e vrau, zgjedhës e administratorë në funksion të manipulimit e të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve!!
Sali Berisha nuk është viktima në këto zgjedhje!! Asfare! Është manipulatori! Por edhe i munduri!
Populli i vendosur e masivisht, deri në 1 milionë vota na shpëtoi prej manipulimeve të tij në 23 qershor!!
