E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi gjykim-dënimin ose jo të Berishës

dokuNga Altin Ketro

Duhet gjykuar apo jo Sali Berisha për ato që ka bërë përgjatë 8 viteve të qëndrimit të tij në krye të ekzekutivit? Kjo pyetje, për momentin, nuk është temë kryesore e ditës, por smund të thuhet se sdo të jetë pas muajit shtator kur të nisë punën qeveria e re Rama.

Tani për tani janë dëgjuar artikulime nga ndonjë eksponent i të majtës që është shprehur hapur për gjykimin e tij. Ka patur edhe opinione të gazetarëve (Andi Bushati së fundmi te TemA) që hedhin idenë e një dënimi simbolik për Berishën, ku historia e ndëshkueshmërsë së politikanëve duhet të nisë me qeverinë Rama nga shtatori 2013 e tutje.

I gjithë dyshimi që ngrihet ka të bëjë me faktin se sa i gatshëm është sistemi ynë gjyqësor të gjykojë e dënojë nivele kaq të larta të politikës pa u ndikuar prej saj. Shembujt që na vijnë nga e kaluara, sigurisht që nuk janë shumë frymëzues.

Ne kemi një pushtet gjyqësor që qysh në zanafillën e tij, pas ardhjes së demokracisë, u ndërtua i deformuar. Mjafton të përmendim që gjyqtarët e parë ishin një kategori që skishin formim juridik, por vinin nga profesione të tjera. Me një kurs 6-mujor (kursi i Plepave), u katapultuan në gjyqësor individë që më së shumti ia dinin për nder partisë (PD) këtë kapërcim të tyre në dyert e drejtësisë.

Me riardhjen në pushtet të Sali Berishës, nisi vala e dytë e vënies dorë mbi sistemin e drejtësisë ku, hap pas hapi, u kapën të gjitha hallkat e zinxhirit komandues të tij, Presidenti dhe KLD-ja. Edhe në atë pjesë të të zgjedhurve që kish në dorë Kuvendi, u bë çmos të vendoseshin gjyqtarë që kishin bekimin e Berishës. Për të ardhur te rasti më i fundit, kapja e të vetmes shkollë që diplomon gjyqtarë, Shkolla e Magjistraturës, duke zgjedhur në krye të saj ish avokatin e Berishës.

Duhet theksuar se Berisha bëri çka mundi, lëvizi të gjitha levat dhe harxhoi të gjitha energjitë që gjatë këtyre 8 viteve ta kompletonte sistemin e drejtësisë, në të gjitha shkallët e tij, me gjykatës që njëanshmërisht do e avantazhonin.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se meqë kemi këtë sistem gjyqësor të kapur, të korruptuar dhe që i nënshtrohet urdhrave politikë, ne ta bëjmë një sy qorr e një vesh shurdh për ato çka ka bërë Berisha për 8 vjet. Aq më tepër kur thuhet që ndëshkimet duhet të nisin nga ata që do marrin frenat e qeverisë në shtator. Përderisa të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, si mundet që dikush (Berisha) të favorizohet pavarësisht se çka bërë, e tjetri (Rama) ta nisë punën si i diskriminuar? Kjo lloj amnistie është bërë çështë bërë deri më tash, ta harrojmë, e, duke nisur nga sot e tutje, kush shkel ligjin, të ndëshkohet, jo vetëm që sështë produktive, por mbart rrezikun që edhe nesër, po këta të pas shtatorit, të kërkojnë të njëjtin trajtim nëse bëjnë të njëjtat gabime a faje sipas parimit: stë dënova, mos më dëno!!!

Sali Berisha është përsëritës në ato çka i ka shkaktuar popullit dhe vendit. Ai nuk zuri mend nga marrëveshja e 9 marsit 1997, që ishte një lloj amnistie për Berishën dhe që e shpëtoi nga një gjykim për gjithë atë shkatërrim dhe humbje jetësh njerëzore që i solli vendit modeli i tij qeverisës. Ishte pikërisht guximi që mori nga pandëshkueshmëria e vitit 1997 që Berisha i 2005- 2013-ës ta konsideronte veten të paprekshëm.

Sigurisht që çdo hapje procesi gjyqësor ndaj Berishës do ngjallte ndjeshmëri të mëdha midis atyre që e adhurojnë apo e urrejnë. Dhe, për të shmangur çdo lloj politizimi të çështjes, ai duhet gjykuar për ato që ka bërë me objektivitet e paanësi. Mjafton që faktet dhe provat që do i serviren përpara të jenë të qarta. Askush që vihet përballë fakteve të pakundërshtueshme nuk është aq i zoti sa të përdorë kartën politike si mburojë e fajeve të bëra. Mjafton që gjyqi të jetë i hapur, transparent e publik dhe ky i fundit të bindet se në ato çka po shikon e dëgjon ska kurrfarë subjektiviteti apo hakmarrje politike.

Sali Berisha duhet hetuar e gjykuar për të gjitha akuzat që i rëndojnë apo edhe për të reja që mund ti dalin më pas. Le të jetë ai shembulli i parë i një gjykimi të drejtë dhe pikënisje për çdo politikan e qeveritar që, po shkeli ligjin, do përfundojë… si Berisha.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›