Sali-Katastrofa
Në dy dekadat e shkuara, Sali Berisha ka hyrë në historinë e Shqipërisë i lidhur pazgjidhshmërisht me fatkeqësitë që i janë shkaktuar kombit. Që, në fakt, nuk janë fatkeqësi, por pasojë e qartë e konsumimit të energjive qeverisëse në përpjekjet për kontroll apo për t'u marrë me brekët e rivalëve politikë.
Katastrofat e njëpasnjëshme janë në fakt mungesë qeverisjeje. Qeverisje nuk është të dalësh përditë në TV dhe njëherë të ulërasësh e njëherë të bësh si burrë babaxhan. Qeverisja nuk është as shou, e as kallajisje me muzikë çingijesh.
Edhe pa hipur ende në pushtet, "fatkeqësia" ka qenë motori që vuri në lëvizje mekanizmin e ardhjes së S. Berishës në krye të vendit. Nën hyqnim e tij si president, vendi më shumë u zhbë se u bë.
Shkatërrimi total i gjithçkaje të trashëguar nga puna dhe gjaku i disa brezave që shkrinë jetën nën komunizëm për të krijuar një bazë asetesh dhe pasurish publike, që u shkrinë në emër të antikomunizmit dhe nisjes nga pika zero, si askund tjetër në ish-Lindjen komuniste. Për të kulmuar me 1997-ën, të krijuar nga mungesa e shtetit dhe përzierja e strukturave politike në grabitjen e kursimeve popullore.
Për tu rikthyer sërish me (mos)qeverisjen që sjell vetëm "fatkeqësi". Nuk mund të harrohet kriza energjetike e dimrave 2005 apo 2006. Është ende po aq e nxehtë po ajo "patate", tragjedia qeveritare e Gërdecit në mars 2008, që nuk ka togë të zezë të marrë guximin ta mbyllë, apo mendje njerëzore ta amnistojë.
Nuk mund të harrohet fatkeqësia e megavjedhjes në rrugën patriotike, dhe tuneli që ra, fatmirësisht pa zënë nën të shqiptarët e një kombi të bashkuar, por që është një tjetër kambanë e fortë që bie për veshët e drejtësisë për të gjetur se ku përfunduan qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë.
Emri i lidhur pazgjidhshmërisht me këto gjëma të njëpasnjëshme me pasoja shumë më afatgjata se edhe "30 vitet" që dashka të rrijë akoma në pushtet Berisha, e ka përgjigjen standarde: qeveria qenka e pafajshme.
E pafajshme edhe kur shqiptarët grabiteshin nga sharlatanët e piramidave që financonin PD-në dhe mbroheshin nga strukturat shtetërore, edhe kur ata vriteshin në Gërdec, ku pushteti bënte miliardat me trafikun e armëve dhe të municioneve, edhe kur qindra milionë euro groposeshin në tunelin e shembur pas inaugurimit me tam-tame, edhe tani që mijëra hektarë tokë, shtëpi dhe njerëz janë përmbytur nga kaçak-qeverisja që fiton edhe nga blerja edhe nga shitja e energjisë.
Kësaj radhe "njeriu i fatkeqësive" gjeti ngrohjen globale për të justifikuar impotencën e menaxhimit të vendit. Siç gjente punët e perëndisë në dimrat e acartë të 2005-2006, që nuk lëshonin pikë shiu mbi Shqipëri.
Duke nxjerrë një vend me administrim më qesharak në botë, a thua se nuk jemi në kufi me Malin e Zi, Kroacinë apo Maqedoninë, kur nuk ka pasur 4-5 vite më parë as krizë energjetike, e sot as përmbytje apokaliptike, megjithëse kemi pak a shumë të njëjtin sistem energjetik, të njëjtën klimë dhe të njëjtin rrjet hidrik.
Njeriu i fatkeqësive dje e pranoi se vendi i "sukseseve më të mëdha që nga 1912-ta; vendi që vetëm ndriçon dhe shkëlqen" (intervista e fund-vitit e S. Berishqës në VOA) qenka papritur "në prag të katastrofës".
Mijëra hektarë tokë e mbjellë e shkatërruar, mijëra banesa dhe prona publike, një faturë dëmesh që do të rëndojë pikësëpari mbi shqiptarët, sepse kompensimet e qeverisë kanë qenë dhe mbeten një vegël tjetër për të mjelë në mënyrë korruptive buxhetin e varfër të shtetit, por asnjëherë për të shkuar te i dëmtuari.
Uji nesër edhe mund të largohet, por çfarë do të ndodhë më pas? A do të bëhet pësimi mësim? Njeriu i katastrofave nuk e ka pasur këtë traditë.
Dje zyrtarë të lartë të qeverisë kërkonin me ngulm, por pa dalë hapur, emrin e njërit prej specialistëve që kish thënë pak javë më parë se cunami do të ishte lule përballë përmbytjes që do vinte nga kaskadat e ujëmbledhësve në veri të vendit.
(Lexo Shekulli Online, intervistë me ing. Cico). Inxhinieri i shquar është njëri prej qindra shkencëtarëve dhe specialistëve që u flakën pas mbylljes së dhunshme të instituteve kërkimoro-shkencore me një VKM të firmosur pa teklif. Në vend të tyre janë militantët e partisë dhe nuk është çudi bie fjala që zyrtari kompetent për digat në KESH, është vetëm një militant.
Tre vite më parë, ish-ministri i Bujqësisë dilte në televizion dhe deklamonte se ultësira në Lezhë nuk do të përmbytej më. Këto tokë vetëm dy javët e fundit janë përmbytur dy herë, duke nxjerrë në pah mashtrimet me ngritjen e argjinaturave dhe hapjen e kanaleve dhe grabitjen e qindra milionë lekëve të dhënë për këto punë publike.
Në mungesë të plotë transparence për publikun, KESH-i ka vijuar të importojë energji elektrike dhe të rritë nivelin e ujëmbledhësve në kaskadën e Drinit.
Duke injoruar thirrjet e specialistëve, shpura militante i ka mbajtur sytë vetëm te përfitimet materiale, të cilat janë asgjë përpara katastrofës që po i kanoset gjysmës së Shqipërisë.
"Njeriu i fatkeqësive" premton prapë e prapë. Premton se do ta zbrazë buxhetin e shtetit për të kompensuar të dëmtuarit. Të dëmtuarit nga çfarë? Të dëmtuarit nga keqqeverisja.
Dhe për çfarë buxheti e ka fjalën? E ka fjalën për atë buxhet, ku mezi u mblodhën nga 2500 lekë për gjysmë milioni pensionistë të skamur. Do të bëjë siç ka bërë deri më sot, edhe duke marrë kredi tregtare.
Larg qoftë nja gjysmë miliardi tjetër siç bëri me rrugën që po bie përditë bashkë me tunelin, kësaj radhe për të bërë sërish argjinaturat. Ato nuk do t'i bëjë, kjo është e sigurt, por shqiptarët duhet të jenë të sigurtë, se me të në krye, "fatkeqësia" e radhës është thjesht çështje kohe.