E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sali-u, Edwinn-i dhe Ethet e Gushtit

Nga Altin Ketro

Data 6, e verës së tretë, të motit 2012, mund të hyjë si datë historike në (k)analet e Historisë së Shqipërisë nëse Edwinn-i bëhet burrë e nuk frigohet më nga Klubi i Miliarderëve. Është data që i madhërishmi Sali ka shpallur për heqjen a kufizimin e imunitetit të përfaqësuesve më të ndritur të kombit, atyre që me veprimet dhe mosveprimet e tyre po ndriçojnë rrugën tonë drejt e në amshim.

Po u lutet, po u përgjërohet: ta votojmë o burra e burrnesha, që të shpëtojmë nga kthetrat e korrupsionit. Ah këto kthetra- këto kthetra, që na kanë mbërthyer e spa na lëshojnë të marrim frymë e të ngremë kokë. Mos u çudisni kush e thotë këtë. Është ai pra, Saliu i Madh, të cilin korrupsioni i opozitës nuk po e lë dot të dalë ballëlart në raportet ndërkombëtare. Eh kjo opozitë e poshtër që ka 7 vite që ka në dorë gjithçka bëhet në këtë vend e spo i lë kusur duke e rrjepur. Por Saliut i janë lidhur duart ta ndëshkojë se është një Mur i Madh Kinez që ndryshe quhet imunitet, që se lejon dot ti afrohet këtyre deputetëve korrupsion-bërës për ti kapur për zverku e për ti rrasur në qelitë më të errëta të Gazit të burgjeve.

Po çirret lart e poshtë Saliu, sa edhe fundjavën nuk arriti ta shijojë në paqe. Ndërkohë që ndodhej në Dhërmi, atje tek vila qeveritare ku dikur, në kohë të Xhaxhit, kalonte pushimet daja e Edwinn-it, iu kujtua që këtij të fundit i duhej dhënë kurajo për të dalë nga makthi që e ka futur Klubi i Miliarderëve. Siç ishte duke pllaquritur krahët e fishkur në detin e gjerë e të kaltër jonian, fiks në minutën e 131-të, pra 1 minutë përpara se të parakalonte tej normave të lejuara të shpejtësisë rekordin e një viti më parë, nxjerr vërtik nga xhepi i rrobebanjove iPadin e tij, dhe ashtu i ulur në shpinën e një polumbari që pas 30 sekondash i mbaronte oksigjeni në bombul, shkroi shatra- patra një tekst të kripur e të bërë qull dhe ia nis online Selvisë (jo asaj që ndodhet tek rruga e Dibrës) ku i thosh shkoqur se çduhet të llomotisë. Selvia la përgjysëm fundjavën që po e shijonte jashtë Tirane dhe niset nxitimthi drejt selisë së partisë për të lexuar tekstin, tashmë të korrektuar të Saliut, ku ndër xhevahiret e shumta veçoj:

Ngrihuni ju o të pakorruptuar

të shembim murin imunitet

të çlirojmë prej vargojve Edwinn-in

ta shpëtojmë prej miliarderëve të vet

I pastër si kristali, Saliu është i qetë se asnjë mëkat ska në ndërgjegjen e vet. Përkundrazi, çdo bela që i vjen këtij vendi është nga krahu sallaks i politikës; ai krah që Saliu spo e merr dot, as në kthesë, as në vijë të drejtë, ndonëse i ka dhënë një dorë piloti Li Ke. Helbete, askush se pyet të mjerin Sali, asnjë sia var në akt-akuzat e tij kundrejt të korruptuarve të opozitës dhe këta të fundit vetëm majmen e fryhen si tullumbace, vënë dhjamë e shtojnë shëndet me gjakun e këtij populli, me pasuritë e këtij kombi. Saliu, ky lumëmadh që i qan zemra për Shqipërinë, rri e vështron, hahet me vetveten, i bie murit me kokë, po çe do, nuk po i ecën e tija. Po sduan të paudhët, se kanë frikë se sapo të mbeten pa imunitet, fap, qysh të nesërmen mbesin në çarkun anti-korrupsion që vet Saliu ka ngritur.

Hall i madh të ka gjet zotni Sali Efendi. Ta di e ta qaj këtë hall e bashkë me mua, një popull i tërë. E dimë që ti për të mirën tonë po e bën gjithë këtë luftë me… panelet diellore. E ke thënë para do kohësh që sa tu hiqet imuniteti të paudhëve, eh çdo vejë pastaj: po sdo gjejë vrimë ku të futet ky qerrata korrupsion. Veç mirëqenie ka për të parë ky popull prej asaj dite. Je në ethe deri më 6 gusht. Dhe këto Ethet e Gushtit na i ke futur të gjithëve ne që po presim më sy e zemër prej teje, a do ia dalësh ta marrësh edhe këtë Kala, nga më të vështirat, por më strategjiket ama. Se si thonë shaka: të jesh në krye të punëve prej 7 vitesh, me ushtri, financa e polici; me kuç e me maç që të bindet symbullurazi; që fjala jote u duket më e shenjtë se e Jezusit a e Muhamedit; që vija jote qeverisëse u duket si vija e Dritës së Partisë që nuk është shuar ende qysh nga koha e Komandantit. Pra, të kesh qenë ti e soj e sorrollopi yt biologjik e politik kaq i imunizuar për të mos u prekur nga korrupsioni, nuk është aq e kollajtë! Biles ky mund të jetë rekord e shkuar rekordit, or Sali, që as mund të krahasohet me rekordin e ecjes përgjatë Murit Kinez, as me ngjitjen në malin e Dajtit dhe as me përvitshmërinë rekord-thyerëse të notarit rekord-mbajtës.

Ty ta lumsha e të heqim kapellon në shenjë respekti të thellë sa honet e Bjeshkëve të Namuna, për këtë qelibarizëm që ke treguar. Po ata kodoshët miliarderë nga gjirizi opozitar po na kallin në dhe të gjallë, po na marrin më qafë integrimin për të cilin ti po punon me mish e shpirt, pa u kursyer, ditë e natë, me vetëmohim revolucionar, duke hequr nga ditët e tua nga të cilat të shtohet një rrudhë e një thinjë, nga vuajtja që po të shpon thellë e në palcë prej dhimbjes së mbetjes jashtë familjes evropiane.

Po sa të elefantit ta bëjnë dhëmbin ata miliarderë të mallkuar, ti hiç mos u tut nga rruga jote. Do të të ndjekim nga pas si dikur hebrenjtë Moisiun, që me pallën tënde ta ndash në dysh kuçedrën e korrupsionit opozitar dhe të na drejtosh në udhën e shenjtë e të drejtë të përparimit…

Info konfidenciale për The Mili-(t)ar-deras Club

Nga burime të besuara dhe shumë të afërta me Presidentin e Komisionit Evropian, por që për arsye objektive nuk duan të identifikohen pasi humbasin vendin e punës në Bashkinë e Tiranës, njoftohemi se:

Më datë 5 gusht 2012, duke filluar nga ora 8pm me orën lokale të Uashingtonit, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, me vështrim ngulitur te Televizioni Kombëtar Privat, me mendje të kthjellët nga pija energjetike RedLopë, të veshur e ngjeshur, parfumosur e pispillosur te TrEG-u, do jetë i mbledhur Non Stop në një sesion të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë për të marrë vendime in-extremis, me shumicë të pacilësuar votash që do numërohen indirekt nga një komision Ad Hoc tash për tash anonim.

Qëllimi i kësaj mbledhje është të ndjek Live në formatin Full HD+3D, zhvillimet që vijnë nga Kuvendi me shumicë të cilësuar burrash i Shqipërisë. Në rast se kuvendarët, pas një kuvendimi sa më të shpejt të kenë pleqëruar e zgjidhur hallin e madh që ka zënë evropianët, atëherë këta të fundit kanë një Super Kinder Surpriza për ne. Pra, nëse vendoset njëzëri që deputetët të mbetën pa imunitet, atëherë Komisioni Evropian, në mënyrë plebishitare do japë verdiktin e paimagjinueshëm: Shqipërisë JO ftesa për vend kandidat në BE. Shqipërisë PO anëtarësim i menjëhershëm në BE. Dhe

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›