E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiro Ksera pyet Saliun: Doktor, a u djersite gjatë notit?

Nga Përparim Halili

Edhe pse thonë që prej 20 vjetësh në PD komandon dhe këndon vetëm gjeli plak Sali Berisha, këtë thashethem kripto-komunist e ka nxjerrë së fundi jashtë loje deputeti dhe ministri grek i PD e qeverisë shqiptare Spiro Ksera. Edhe pse grek, Spiro Ksera tregoi më në fund se është më trimi nga të gjithë trimat në PD. Pas 20 vitesh, Spiro-ja i Omonia-s është ekzemplari i parë që guxoi dhe hapi gojën e iu drejtua Zeusit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD të ditës së hënë. Natyrisht, Spiro-ja nuk e mori fjalën as për ta kundërshtuar dhe as për ti dhënë mendje Saliut, sepse kryeministrit poliedrik Berisha nuk ke çfarë i kundërshton e i sugjeron. Omonisti PD-istë Spiro trimi hapi gojën vetëm për ti bërë një pyetje njerëzore, pasi kryeministri shpjegoi motivet, ndjesitë, stilet dhe arritjen e rekordit të fundit në not.

Ndërkohë që Spiro u ngrit në këmbë në mes të grupit parlamentar të PD për të folur, deputetët në krahë dhe ata prapa tij e kapën nga xhaketa dhe rripi i pantallonave, duke e tërhequr me forcë për ta ulur. Por Spiro nuk u ul. Ai tha Saliut:

- Më fal që po ngrihem e po flas duke prishur rregullin e heshtjes tonë si grup e qeveri, por kam një pyetje që ma thotë zemra: – Doktor, urime për rekordin e ri, po a u djersite gjatë notimit?

Rekordmeni Berisha, si gjithë rekordmenët e tjerë, me modestinë që e karakterizon, buzëqeshi lehtë, rrotulloi sytë nga salla e iu përgjigj:

- Dëgjo këtu ti Spiro, shiko, më kupto, po ta them hapur, se ti je joni, tani e kupton apo jo. Nuk ka asnjë arritje pa djersë, por që të jem i sinqertë, unë nuk e përjetova sikletin e djersitjes sepse isha brenda në ujë, po notoja Por meqë më pyete dhe meqë je i pari dhe i vetmi që flet në mbledhje, kam vendosë që në rekordin e gushtit të marrë me vete në Dhërmi edhe ty Spiro dhe të jap fjalën e nderit, që do të mësoj notin me qëllim që të garojmë bashkë e të mësosh se si thyhen rekordet pa u djersitur fare.

Edhe pse pyetja ishte për të qeshur, në atë moment, sipas traditës 20 vjeçare të PD, në sallë nuk belbëzoi, nuk qeshi e nuk lëvizi nga vendi asnjë deputet e ministër, deri sa u përgjigj dhe qeshi Saliu. Pastaj të gjithë si në korr, dolën nga ngërçi dhe qeshën, duke i hedhur batuta Spiros.

Kjo ka ndodhur vërtetë ditën e hënë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, paçka se Patozi, Bumçi, Imami, Olldashi e Alibeaj kanë dy ditë që e tregojnë nëpër kafene e adresa të FB, si barsoletë me doktorin!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›