E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Salianji më 4 korrik para gjykatës për çështjen “Babale”, Berisha: Rikthim i proceseve staliniste

Kryetari i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, e ka cilësuar “proces stalinist”, gjyqin që do të zhvillohet ditën e hënë ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji, në lidhje me çështjen “Babale”.

Me një postim në Facebook, Berisha akuzon se dëshmitë kundër Salianjit janë të montuara nga dëshmitarë të rremë, teksa të gjithën e konsideron një proces politik.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe procesin e montuar politik stalinist të klanit Xhafa kundër deputetit Salianji dhe i bëj thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europes, Parlamentit Europian, Unionit Parlamentar Ndërkombëtar, Asamblesë Parlamentare te OSBE të ndërhyjnë kundër këtij procesi të turpshëm politik të klaneve të drogës me pushtet që duan të dënojnë deputetin Salianji si hakmarrje për denoncimin e tij te guximshëm”, shkruan Berisha mes të tjerave.

Ditën e nesërme (4 korrik), pritet të zhvillohet në Gjykatën e Apelit të Tiranës seanca ndaj deputetit të PD-së, Ervin Salianji, i cili u dënua me një vit burg nga gjykata e shkallës së parë. Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen “Babale”. Ndërkohë, ditën e sotme ai ka theksuar se do të jetë i pranishëm në seancën e nesërme.

Postimi i plotë i Berishës:

Rikthehen proceset staliniste!

Miq, deputeti Ervin Salianji del nesër para gjyqit në një proces të mirëfilltë stalinist. Ai shkon në bakën e të akuzuarit sepse denoncoi Geron-Agron Xhafën të dënuar 7 vjet si kryetar i rrjetit te trafikut të drogës të Bolonjës me Venezuelen dhe i kërkuar.

Ai vazhdonte prej vitesh i qete dhe i mbrojtur nga vëllaçko Fatmiri, ministër dhe Edvini, veprat e tij te zeza sipas hetimit të gazetarit të pavarur.

Denoncimi i deputetit Salianji detyroi Fatmirin për të shpëtuar vëllain nga hetimi për trafiqet që drejtonte nga Vlora ta dorëzojë atë me procedurë të rrufeshme në Itali, por sot asnjeri nuk e di se ku ndodhet ai.

Në një akt të turpshëm dhe skandaloz Deputeti Ervin Salianji akuzohet nga klani i drogës Xhafa për shpifje sepse ai denoncoi publikisht mbrojtjen nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafa të trafikantit Agron Geron Xhafa në kërkim si dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge dhe për faktin Ervini me guxim bëri publik investigimin e gazetarit që provonte se Geroni vazhdonte organizimin e trafikut të drogës.

Akuzat kundër tij u montuan nga dëshmitarë të rremë, nga bashkëpunëtorë të ngushtë teë krimit në krye të policisë Ardi Veliu, Albert Nushi dhe Andon Marko me ndihmën e trafikantëve në Shërbimin informativ.

Te dashur miq, ky proces i turpshëm të pashembullt në 30 vite në shkallë të parë ju besua anëtarit të bandës se Lushnjës, Artan Gjermeni, i cili zbatoi urdhërata qe mori nga Xhafa-Rama. Kurse ne apel, çështja ju besua gjykatëses Sadushi, të shoqin e të cilës  e lidh njeë miqësi e njohur dhe fort e dyshimte me Fatmir Xhafën dhe klanin e tij. Dënoj me ashpërsinë më të madhe procesin e montuar politik stalinist të klanit Xhafa kundër deputetit Salianji dhe i bëj thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europes, Parlamentit Europian, Unionit Parlamentar Ndërkombëtar, Asamblesë Parlamentare te OSBE të ndërhyjnë kundër këtij procesi të turpshëm politik të klaneve të drogës me pushtet që duan të dënojnë deputetin Salianji si hakmarrje për denoncimin e tij te guximshëm

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›