E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi: “Me Riedin realizova synimet, tani dua një klub të madh”

Ka shënuar 14 gola, po aq sa numri që ka në fanellë. Hamdi Salihi ka qenë protagonist këtë sezon në Bundesligën austriake dhe është sulmuesi i Kombëtares që ka shënuar më tepër këtë sezon. Të shtunën ai do të luajë ndeshjen e fundit të kampionatit, ku Riedi do të përballet me Rapidin. Bomberi shkodran është i kënaqur me rendimentin e tij këtë sezon, por edhe ambicioz në të njëjtën kohë, pasi dëshira e tij është që të luajë në një klub të madh në arenën ndërkombëtare. Për të nuk kanë munguar ofertat nga klube prestigjioze gjermane dhe italiane, por ai preferon të mos japë emra, pasi është ende herët për merkaton.
Të shtunën luhet java e fundit e kampionatit austriak. A jeni i kënaqur me rendimentin tuaj këtë sezon?
Po, jam i kënaqur. Kampionati austriak është i një niveli të mirë dhe të shënosh 12 gola gjatë një sezoni nuk është pak. Sigurisht që ka edhe më mirë se kaq, por unë e thashë që në fillim të sezonit se qëllimi im ishte të shënoja më shumë se 10 gola dhe këtë objektiv e kam arritur.
Në fakt këtë sezon, bashkë me dy golat që keni realizuar në UEFA keni shënuar në total 14 gola, aq sa edhe numri që mbani në fanellë...
Eh, rastësi e bukur kjo. Nuk e kisha menduar asnjëherë, por më vjen mirë, sepse ju e dini që unë jam i fiksuar me numrin 14. Por meqenëse qenka kështu, unë do të ndërroj fanellë sezonin e ardhshëm dhe do të marr ndonjë numër 27 apo 28 që të shënoj po aq gola...(qesh).
Sa është diferenca e golave mes teje dhe kryegolashënuesit të kampionatit austriak?
Më shumë nga të gjithë këtu ka shënuar Zikler, i cili ka shënuar 15 gola, pra diferenca është tre.
A u keni kërkuar shokëve të skuadrës që në ndeshjen e fundit kundër Rapidit t'ju ndihmojnë që të shënoni sa më shumë gola dhe të provoni shanset për të fituar "Këpucën e Artë"?
Unë vetë nuk u kam kërkuar asgjë, por ata më kanë ngacmuar dje, dhe sot në stërvitje më premtuan se do të bënin të pamundurën që të më ndihmonin të shënoja sa më shumë. Ne luajmë kundër Rapidit, i cili u shpall kampion që javën e kaluar. Ndërkaq, edhe për ne nuk ka rëndësi ndeshja, sepse sido që të përfundojë ajo, mbetemi në vendin e shtatë. Kështu që do ta provojmë njëherë. Shpresoj të më ecë se do të ishte një surprizë e bukur.
Rapidi që ju kërkoi me aq shumë ngulm vjet dhe që ju e "tradhtuat" duke shkuar te Riedi, është u shpall kampion. A jeni penduar për zgjedhjen që bëtë një vit e gjysmë më parë?
Absolutisht jo. Atëherë në të tilla rrethana u ndodha dhe mendoj se bëra zgjedhjen e duhur. Përvec kësaj, gjërat më kanë ecur mirë dhe nuk kam pse të ankohem. Sigurisht që kur isha duke i parë në televizor tek festonin pata një ndjesi të cuditshme, sepse po mendoja me vete se mund të kisha qenë bashkë me ata duke festuar, por kjo nuk do të thotë se jam penduar që zgjodha Riedin.
Do të vazhdoni të qëndroni edhe sezonin e ardhshëm aty, apo keni vendosur të hidhni një tjetër hap të madh në karrierën tuaj, duke kërkuar një klub më të mirë?
Synimi im është që të luaj në një klub të madh në arenën ndërkombëtare dhe do të përpiqem me të gjitha forcat që ta realizoj këtë ëndërr. Megjithatë nuk do të nxitohem, pasi nuk dua të shkoj në një ekip shumë të njohur, por të qëndroj rezervë. Ofertat nuk kanë munguar, kështu që unë do të mendohem mirë para se të bëj një zgjedhje.
Cilat klube janë interesuar?
Nuk dua të përmend emra konkretë, por po ju them se kam pasur oferta si nga klube të mëdha austriake, ashtu edhe nga klube gjermane dhe italiane që janë shumë të njohura.
Nëse do të kishit mundësi zgjedhjeje, ku do të donit të shkonit?
Në një skuadër gjermane. Futbolli që luhet aty më përshtatet më shumë. Megjithatë më intrigon shumë edhe kampionati italian.

Jetmir Halilaj (Panorama Sport)

SHIFRAT
600
mijë euro është cmimi që i ka vënë klubi i Riedit kartonit të Hamdi Salihit. Skuadrat që dëshirojnë të marrin shërbimet e sulmuesit shqiptar duhet të paguajnë këtë shumë të majme për ta pasur shkodranin në ekip. "Nëse do të më jepej mundësia do të doja të zgjidhja një skuadër gjermane", ka thënë bomberi.
14
gola ka shënuar Hamdi Salihi këtë sezon (12 në kampionat dhe 2 në Kupën UEFA), po aq sa numri që ai mban në fanellë. Lojtari është i fiksuar pas numrit 14, pasi idhulli i tij si futbollist është Johan Krujf, i cili gjatë karrierës së tij si futbollist ka mbajtur fanellën me numrin 14.
3
gola është diferenca mes Salihit dhe golashënuesit më të mirë të kampionatit austriak, Zikler, i cili luan te Salzburgu dhe ka shënuar 15 gola. "Shpresoj që ndeshjen e fundit të shënoj sa më shumë gola, meqenëse nuk ka asnjë vlerë për të dyja skuadrat. Shokët më premtuan se do të më ndihmojnë, por të shohim", tha ai.

TE VECANTA
Ambienti
Skuadra e Riedit ka kaluar një sezon të vështirë, pasi dy trajnerë të saj janë larguar nga drejtimi i ekipit. "Më vjen keq që nuk do të luajmë në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm, por skuadra nuk e përballoi si duhet intensitetin e sezonit", tha Salihi. Mospjesëmarrja në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm mund të jetë një shtysë më shumë për të nxitur lojtarin që të largohet nga kjo skuadër.
Skuadra
Salihi shpreson që në të ardhmen të luajë në një skuadër të madhe, e cila lufton për kampionat dhe që zhvillon një lojë ofensive. "Ndonjëherë edhe mërzitesh në një skuadër të vogël, pasi aty sistemi i lojës është që të mbrojnë të gjithë dhe të shënosh gola me kundërsulm. Në skuadra të mëdha ndodh e kundërta, sepse ato pretendojnë trofe dhe zhvillojnë lojë ofensive. Unë jam i prerë për këto lloj skuadrash", ka thënë lojtari. Riedi ndodhet në vendin e 7-të me 38 pikë të grumbulluara.
Tirana
Në fundjavë do të zhvillohet ndeshja Partizani-Tirana, një derbi që Salihi nuk do të mund ta shohë dot të shtunën, sepse do të jetë edhe vetë në fushë. "Kush fiton? Padyshim që Tirana. Madje nuk ka nevojë fare që unë të bëj tifo për bardheblutë, sepse e ndjej që ata do të fitojnë. Unë e di se ata mund të të bëjnë surpriza atëherë kur s'ta pret mendja, ndaj edhe këtë radhë kështu do të ndodhë", ka thënë ish-sulmuesi i Tiranës dhe i Vllaznisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›