E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, kualifikim me halle ne finale

Tirana arriti për herë të 20-të në finalen e Kupës së Shqipërisë edhe pse u mund në ndeshjen e dytë gjysmëfinale nga Elbasani me rezultatin 3-1, për ta cuar rezultatin e përgjithshëm në 4-3 për 13-herë fituesit e Kupës, që do të gjejnë për herë të katërt në finale ekipin e Vllaznisë.
EMOCIONET E MEMES - Kualifikimi i bardhebluve përpara sfidës me Elbasanin, 2-herë fitues i Kupës, mendohej i lehtë, por takimi në "Selman Stërmasi" prodhoi emocione të mëdha për trajnerin Sulejman Mema, kur Fjodor Xhafa shënoi golin e tretë për formacionin e Krenar Alihmehmetit, dy minuta përpara mbylljes së takimit. Pjesa e parë ishte më e qetë, por fraksioni i dytë ishte i një ritmi të lartë, pasi në 45 minutat e dyta u realizuan 3 gola, ku u rrezikua edhe kualifikimi i Tiranës.
FJODOR XHAFA -Sulmuesi tiranas Indrit Fortuzi iu anuluan dy gola tërësisht parregullt, ndërkohë që vlonjati Fjodor Xhafa, një ish-sulmues i Tiranës realizoi në minutën e 43-të golin e parë për Elbasanin. Ardian Nuhiu shënoi golin e dytë për Elbasanin në të 68', për t'i lënë radhën sërish Fjodor Xhafës në minutën e 90-të e për të cuar shifrat në 3-1 dhe rezultatin e përgjithshëm në 4-3, duke marrë në konsideratë edhe fitoren 3-0 të Tiranës në "Ruzhdi Bizhuta". Në minutën e 91-të Stavrion Lako i Elbasanit u ndëshkua me karton të kuq, por pas përfundimit të takimit edhe Mengleski, u ndëshkua me karton të kuq, pas debateve me gjyqtarin Sino.
PROFESIONISTI DURO – Elbasanasi Klodian Duro realizoi dy gola në ndeshjen e parë të fituar 3-0 nga Tirana në "Ruzhdi Bizhuta" , një prej të cilëve nga pika e bardhë. Trajneri Sulejman Mema hodhi në pjesën e dytë mesfushori e Kombëtares dhe liderin e Tiranës, i cili nuk mund të gabonte nga pika e bardhë në minutën e 47-të duke sjellë edhe barazimin e përkohëshëm (1-1) gol që rezultoi edhe deciziv në kualifikimin e Tiranës. Për Duron ky ishte goli i tretë në Kupën e Shqipërisë.
DREJT FINALES - Tirana, që luajti kundër Elbasanit ndeshjen e saj të 366-të në 56 edicione të Kupës së Shqipërisë, regjistroi humbjen e 75-të. Rruga që përshkoi 20-herë finalistja ishte thuajse e lehtë. Në turin e parë eliminoi Butrintin e Sarandës (2-2, 4-2), në të dytin Lacin (1-1, 3-1), në cerekfinale Kastriotin (1-1, 3-0) dhe në gjysmëinale Elbasanin (3-0, 1-3).
CEKU MISHEL -Finalja e 56-të e Kupës së Shqipërisë Tirana-Vllaznia (do të luhet më 7 maj në fushë asnjanjëse) do të gjykohet nga arbitra të huaj cekë, me kryesor ndërkombëtarin e njohur Ljubo Mishel. Para dy sezonesh, kur Tirana fitoi 1-0 me Vllazninë (gol i Klodian Duros) takimi u gjykua nga italiani Stefano Farina.
Tirana-Elbasani 1-3
Shënues: Duro 47'(p)/F.Xhafa 43', 90', Ard.Nuhiu 68'
Kualifikohet Tirana me rezultatin e përgjithshëm 4-3

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›