Salihi, “gol të artë” për rekordin e SV RiedSkuadra austriake e shqiptarit ka 20 ndeshje rresht pa humbur në shtëpi. Media e konsideron shkodranin si heroin e takimit kundër Salzburgut

Me “golin e tij të artë”, sulmuesi 25-vjeçar Hamdi Salihi i siguroi fitoren 1-0 SV Riedit, duke futur në një krizë të parakohshme kampionët në fuqi të Austrisë, Salzburgun.
Goli i sulmuesit shqiptar i siguroi klubit të tij edhe një rekord unikal skuadrës së tij. SV Ried është i pamundur në shtëpi prej 20 ndeshjesh rresht, për më tepër që kjo kundër Salzburgut regjistroi fitoren e gjashtë radhazi.
“Goldtor”-i (goli i artë) i shkodranit mori vlerë të spikatura simbolike, pasi u shënua kur Salihi ishte ende i pashëruar mirë, teksa kishte marrë antibiotikë përpara fillimit të ndeshjes.
Media austriake (Nachrichten.at) e konsideron shqiptarin si “heroin absolut të takimit”, duke rikonfirmuar faktin se ai është një sulmues i lindur.
Antibiotikë para ndeshjes
Nëntëdhjetë minuta përpara fillimit të takimit, trajneri i SV Ried, Paul Gludovatz, nuk ishte ende i bindur nëse duhet ta përfshinte lojtarin në 18-shen e takimit. Shkak ishin bajamet e Hamdiut ende të acaruara, ndërkohë që gjatë ditës së shtunë Salihi ishte i detyruar të merrte antibiotikë.
Gjithsesi, Gludovatz, mendoi se ia vlente të rrezikonte duke e pasur shqiptarin në bankinë, duke e konsideruar gjithmonë si një “as nën mëngë” e me mendimin për ta hedhur disa minuta në fushë nëse do të lindte nevoja me gjithë problemeve shëndetësore.
Trajneri Paul Gludovatz, një trajner me mentalitet fituesi, edhe kësaj radhe kishte arsye “pse t’i fërkonte duart nga gëzimi”. Vendosi të hedhë Salihin në fushë në minutën e 70-të, dhe tri minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, pas një gjuajtje të lirë nga Stefan Leksa, sulmuesi shqiptar përfitoi nga pamundësia e mbrojtjes së Salzburgut për ta bllokuar, duke goditur me kokë topin në rrjetë dhe siguruar fitoren.
“Kjo edhe për faktin se ai është ‘mbrojtësi’ unë i parë, - thotë trajneri i tij, Paul Gludovatz. “Një lojtar, i cili lufton gjithmonë për ekipin, qëndron në pritje përpara 16-shes, si një egoist i madh në pritje të shansit që i jepet, dhe nëse ia krijojnë këtë mundësi ai mund të shënojë edhe pesë apo gjashtë gola”.
Vetë Salihi citohet nga faqja austriake: “Gola të tillë më japin kënaqësi të dyfishtë. Para së gjithash, pasi ne fituam ndeshjen. Ishte një gol i rëndësishëm dhe një fitore e rëndësishme. Ne duhet të jemi të kënaqur për pikët dhe për dy ndeshjet tona të para”.
1 gol
ka shënuar Hamdi Salihi gjatë dy ndeshjeve të para të këtij sezoni me SV Ried, pikërisht kundër Salzburgut të shtunën e kaluar
33 gola
ka realizuar bomberi shkodran në 78 ndeshje kampionati me fanellën e skuadrës austriake, qysh kur mbërriti në janar të vitit 2007
E Merkure, 29 Korrik 2009