Cana te Sanderlendi, “përçahen” analistëtJa si e shohin analistët sportivë kalimin e kosovarit në Angli. Haxhia dhe Jupi pro, Hafizi dhe Vata janë kundër

Leonard Karaj - Lorik Cana ndan më dysh botën e sportit në Shqipëri. Shumë mendojnë se kalimi i tij te Sanderlendi është i gabuar dhe shumë të tjerë besojnë se është një arritje për këtë futbollist. Përsa më sipër, lidhet jo vetëm me pozicionin e kësaj skuadre kundrejt Marsejës, ekipit të fundit të Canës, por edhe me krahasimin mes dy kampionateve, atij francez dhe atij anglez. Për Astrit Hafizin, një nga analistët dhe njohësit më të mirë të futbollit në vendin tonë, ndryshimi nga njëri kah në tjetrin i Canës, teksa deri sezonin e kaluar luante për titullin kampion me Marsejën dhe tani te Sanderlendi do të luajë për mbijetesë, nuk është fort i goditur.
Astrit Hafizi
“Nuk i njoh mirë detajet e kontratës së Lorikut, por duke i parë këto dy skuadra nga larg, mendoj se ka diferenca shumë të mëdha, të cilat Cana duhej t’i kishte vlerësuar më mirë. Me Marsejën ai luante gjithnjë për tri vendet e para në kampionat, madje në sezonin e fundit ishte shumë pranë fitimit edhe të titullit kampion, pra në pak fjalë luante për Kupën e Kampioneve. Tjetër gjë te Sanderlendi, ku do të jetë i detyruar të luajë për mbijetesë. Profesionalisht nuk ka bërë mirë që ka lëvizur”.
I të njëjtit mendim ka qenë edhe Rudi Vata. Madje, ky i fundit shton se e ka takuar personalisht Canën dhe i kishte sugjeruar që të zgjidhte një skuadër më elitare, si Evertoni.
Rudi Vata
“Unë e pata takuar Canën para ndeshjes në Tiranë me Gjeorgjinë dhe i pata sugjeruar Evertonin, një skuadër relativisht më e mirë se Sanderlendi. U çudita kur mora vesh para pak ditësh që ai zgjodhi Sanderlendin. Unë nuk do t’ia kisha këshilluar kurrë një gjë të tillë, kjo edhe për faktin se Loriku rrezikon shumë te kjo skuadër. Sanderlendi luan për mbijetesë dhe loja e Lorikut nuk do të bjerë shumë në sy”, ka pohuar Vata. Ndërsa krejt gjë tjetër thonë dyshja Redi Jupi dhe Sokol Haxhija.
Redi Jupi
Për Jupin kalimi i Canës duhet të shihet si një bast i futbollistit drejt futbollit elitar dhe më të mirë aktualisht në botë. “Kam përshtypjen se kjo skuadër do të jetë thjesht një urë për reklamimin e Canës në kampionatin më të bukur dhe të fortë aktualisht në botë. Dua ta shikoj si një bast të Canës, i cili ka lëvizur në momentin më të mirë drejt një kampionati më prestigjioz. Mos harroni se ai është vetëm 26 vjeç dhe është në kulmin e karrierës së tij, ndaj i mbetet që të tregojë se vërtet vlen aq shumë sa kundër është folur për të gjatë gjithë këtyre viteve jo vetëm në Francë, por edhe në Shqipëri”, ka pohuar Redi Jupi, duke shtuar se beson që Cana do t’ia arrijë të jetë në elitën e më të mirëve.
Sokol Haxhia
Ndërsa menaxheri i FIFA-s, Sokol Haxhia, e shikon si një lëvizje mjaft të zgjuar jo vetëm të Canës, por edhe të menaxherit të kosovarit. Sipas tij, duhet në fillim të provohesh te një skuadër e mesme para se të bësh hapin e madh drejt klubeve si Liverpuli, Arsenali dhe Mançesteri. “Më vjen shumë mirë që Lorik Cana ka mundur të kalojë te Sanderlendi në Premier League. Mendoj se ka bërë lëvizjen e duhur në kohën e duhur. Përshtypja ime si menaxher është se veç anës ekonomike, që besoj se është më mirë se te Marseja, duhet parë edhe fakti se Sanderlendi mund të shihet si një urë fatsjellëse për të, në rast se Loriku realisht tregon vlerat e tij. Ndaj nuk është çudi që së shpejti ta shikojmë në një ekip elitar si Mançesteri, Arsenali ose Liverpuli në të ardhmen”, ka pohuar Haxhia.
Astrit Hafizi
“Nuk mendoj se ka bërë mirë që është larguar nga Marseja për tek një skuadër si Sanderlendi. Nuk i njoh mirë detajet e kontratës së Lorikut, por duke parë këto dy skuadra nga larg, mendoj se ka diferenca shumë të mëdha, të cilat Cana duhej t’i kishte vlerësuar më mirë. Me Marsejën ai luante gjithnjë për tri vendet e para në kampionat, madje në sezonin e fundit ishte shumë pranë fitimit edhe të titullit kampion. Pra, me pak fjalë, luante për Kupën e Kampioneve. Tjetër gjë te Sanderlendi, ku do të jetë i detyruar të luajë për mbijetesë. Ndoshta e ka bërë se i janë ofruar shumë parà, por sipas meje profesionalisht nuk ka bërë mirë që ka lëvizur nga Marseja për një skuadër të tillë si Sanderlendi”.
Rudi Vata
“Besoj se do të jetë mjaft e vështirë për Lorikun jo vetëm Premier League, por në përgjithësi Sanderlendi. T’ju them të drejtën unë e pata takuar Canën para ndeshjes në Tiranë me Gjeorgjinë dhe i pata sugjeruar Evertonin, një skuadër relativisht më e mirë se Sanderlendi. U çudita kur mora vesh para pak ditësh se ai zgjodhi Sanderlendin. Unë nuk do t’ia kisha këshilluar kurrë një gjë të tillë, kjo edhe për faktin se Loriku rrezikon shumë tek kjo skuadër. Aty sapo ka ardhur një trajner i ri, i cili ka ndryshuar thuajse 60 për qind të ekipit, ndaj do të jetë e vështirë që këtë sezon të mund të organizojë menjëherë një ekip triumfues. E dyta, kjo skuadër luan për mbijetesë dhe loja e Lorikut nuk do të bjerë shumë në sy”.
Sokol Haxhia
“Më vjen shumë mirë që Lorik Cana ka mundur të kalojë tek Sanderlendi në Premier League. Mendoj se ka bërë lëvizjen e duhur në kohën e duhur, pasi Cana është në kulmin e karrierës së tij. Fakti që do të luajë me një skuadër që më së shumti lufton për mbijetesë nuk besoj se përbën problem, pasi ai kështu do të ketë mundësi të luajë edhe më mirë dhe në harkun e jo më shumë se dy sezoneve, unë e shoh Lorikun në një skuadër elitare në këtë kampionat. Përshtypja ime si menaxher është se veç anës ekonomike, që besoj se është më mirë se te Marseja, duhet parë edhe fakti që Sanderlendi mund të shërbejë si urë fatsjellëse për të, në rast se ai realisht tregon vlerat e tij. Ndaj nuk është çudi që së shpejti ta shikojmë në një ekip elitar si Mançesteri, Arsenali ose Liverpuli në të ardhmen”.
Redi Jupi
“Unë dëshiroj ta shikoj si pozitive lëvizjen e Lorik Canës drejt
Premier League më së shumti, sesa për te Sanderlendi. Kam përshtypjen
se kjo skuadër do të jetë thjesht një urë për reklamimin e Canës në
kampionatin më të bukur dhe të fortë aktualisht në botë. Dua ta shikoj
si një bast të Canës, i cili ka lëvizur në momentin më të mirë drejt
një kampionati më prestigjioz. Mos harroni se ai është vetëm 26 vjeç
dhe është në kulmin e karrierës, ndaj i mbetet që të tregojë se vërtet
vlen aq shumë sa është folur për të gjatë gjithë këtyre viteve, e jo
vetëm në Francë, por edhe në Shqipëri. Shpresoj dhe uroj që sezonin
tjetër Lorik Cana të mund të jetë në një skuadër edhe më të fortë në
këtë kampionat”.
Trajneri i Sanderlendit: Cana është kapiteni im
Lorik Cana do të jetë kapiteni i ri i Sanderland, apo “Black Cats” (“maceve te zeza”), siç është edhe nofka e ekipit anglez të Premier League. Lajmin e ka dhënë vetë trajneri i ri skuadrës, Steve Bruce. “Është më të vërtetë një lojtar luftarak, - deklaroi menaxheri i Sanderland. - Ai ishte kapiten te Marsejës dhe është kapiten i ekipit të Shqipërisë. Të jesh kapiten te një ekip si Marseja do të thotë shumë për një lojtar dhe karakterin e tij, ndaj edhe te Sanderlend, ai do të mbajë këtë shirit”. Lorik Cana, që mbushi 26 vjeç te henen, nënshkroi të shtunën një kontratë në vlerën e 2.5 milionë eurove në sezon (rreth 75 mijë euro në javë) me Sanderland, është duke vendosur disa rekorde të panjohura më parë për një futbollist shqiptar.
Bent mund Canën në merkato?
Lorik Cana mund të mos jetë blerja më e shtrenjtë e skuadrës së Sanderlendit për këtë sezon. Ditën e djeshme mediat angleze raportonin një mësymje të drejtuesve të këtij klubi për sulmuesin e Totenhamit, Darren Bent. Për këtë futbollit janë ofruar rreth 13 milionë euro, pra më shumë se dyfishi i shumës për të cilën u ble Cana. Në rast se do arrihet tratativa, kosovari nuk do të jetë blerja më e shtrenjtë e kësaj skuadre.
Rekordet e Canës
1. Lorik Cana do të jetë i pari lojtar shqiptar (me pasaportë shqiptare) që luan në Premier League.
2. Kosovari do të jetë lojtari shqiptar për të cilin është paguar më shumë, 6 milionë euro për të kaluar nga Marseja te Sanderland
3. Është lojtari më i paguar shqiptar i të gjitha kohërave, 2.5 milionë euro në sezon, 75 mijë euro në javë.
4. Bëhet kapiteni i parë shqiptar i një skuadre angleze, për më tepër që ka qenë edhe kapiten i Marsejës.
5. Është ndër të vetmit futbollistë, dhe jo vetëm shqiptarë, që bëhet kapiten i një skuadre që në firmosjen e kontratës së tij të parë. Zakonisht kapiten bëhen lojtarët më me eksperiencë dhe me më shumë kohë në ekip.
E Merkure, 29 Korrik 2009