Salihi lë pas Ibrën, blerja e dytë më e mirë në sulm
Renditja bazohet në golat e shënuar dhe në asistet e dhënë. Me dhjetë gola të shënuar në kampionat (përveç dy golave me Riedin më parë) dhe një asist, Salihi ka një mesatare prej një goli në 63.18 minuta lojë. Më mirë se shqiptari rezulton vetëm Marko Panteliç i Ajaksit, me një mesatare prej një goli në çdo 56.25 minuta dhe gjashtë asist.Ajo që bie në sy është se menjëherë pas shkodranit renditet Zllatan Ibrahimoviç, i cili me Barçën ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë katër asist. Mesatarja e suedezit është një gol në çdo 63.60 minuta lojë. Në vendin e katërt ndodhet Aleksandër Frei i Bazelit dhe më pas Kristiano Ronaldo, Diego Milito, Karim Benzema, Arjen Roben, Brajan Ruiz i Tventes dhe Serxho Flokari i Xhenovas. Pas statistikave mbresëlënëse në kampionat, ku i ka shënuar të dhjetë skuadrave elitare dhe golit në Ligën e Europës kundër Selltikut, tashmë për Salihin ka ardhur një vlerësim në nivel ndërkombëtar. Këto të dhëna tregojnë se Hamdi Salihi ka rezultuar një prej blerjeve më të goditura të merkatos së verës në repartin sulmues. 25-vjeçari i Kombëtares shqiptare shënon rregullisht me Rapidin e Vjenës, pavarësisht se ende nuk ka fituar një vend në formacionin titullar. Trajneri Pakult e aktivizon thuajse gjithmonë si zëvendësues, por kjo nuk e ka ndaluar shkodranin të shndërrohet në makthin e të gjitha mbrojtjeve kundërshtare në Bundesligën austriake.