Protestë në Kombinat, banorët zbukurojnë pemën me bidona
Ata kanë krijuar një pemë, të cilën e kanë zbukuruar me bidona plastik ujit. Banorët së bashku me deputetin e zonës Saimir Tahiri kanë ngritur këtë pemë në ditën e Krishtlindjeve dhe në prag të Vitit të ri për të shprehur në këtë formë protestën e tyre për mungesën e ujit dhe energjisë elektrike në këtë lagje të kryeqytetit. Deputeti Tahiri nënvizoi se dhe qytetarët e Kombinatit kanë të drejtë njësoj si Kryeministri i vendit të festojnë.“Sot është festë për të gjithë. Fatkeqësisht banorët e Kombinatit kanë dy arsye për të festuar më pak se të tjerët, dhe kjo sepse ju mungojnë dritat, ju mungon energjia elektrike dhe uji. Është kjo arsyeja pse edhe pemën e Vitit të Ri këtu në Kombinat e kemi dekoruar simbolikisht me bidonë uji bosh”, u shpreh ai. Ai shtoi se “dhurata më e mirë që mund t’ju bëjë Kryeministri dhe qeveria banorëve të Kombinatit është të përmbushin detyrimin e tyre, për t’i sjellë ujë dhe drita këtyre qytetarëve që e meritojnë të festojnë të barabartë dhe të jetojnë të barabartë me të njëjtat kushte si edhe Kryeministri i vendit.”