E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihi, “vrasësi” i ekipeve të mëdha

Klas e spektakël, mjafton një gol për tu shndërruar në idhullin i ultrasve. Trajneri i Rapidit, Pakult: “Ka një nuhatje perfekte për të shënuar”

Ndeshje a parë, goli i parë dhe idhull i ri i tifozerisë së Rapidit – kjo është ajo që ka fituar Hamdi Salihi brenda 45 minutave aktivizim në barazimin dramatik 2-2 midis dy skuadrave më të mëdha të Austrisë, Rapidit të Vjenës dhe kampionëve në fuqi, Salzburgut. Mediat austriake, por dhe faqet e forumet në internet i kanë thurur në kor lavde sulmuesi shqiptar, i cili shënoi golin e barazimit në debutimin e tij me “jeshilët” vjenezë. Një sinjal i mirë vetëm tri ditë përpara ndeshjes së Rapidit kundër Hamburgut në Ligën e Europës, teksa në takim ishin edhe dy zbulues, një nga gjermanët e Hamburgut dhe një tjetër nga italianët e Romës.

DEBUTIM I LUMTUR
“Salihi është në një rrugë të mbarë”, - shkruan gazeta austriake “Kurier”. Në fakt, Salihi është një specialist goli kundër Salzburgut, pasi dhe gjatë këtij sezoni, kur ai ishte pjesë e SV Ried, shënoi golin e vetëm të takimit, në fitoren 1-0 të Riedit, edhe pse kishte hyrë në lojë pasi kishte marrë një “qese” me antibiotikë. Interesant është një fakt, golin e dytë të tij sezonal, shkodrani ia kishte shënuar Rapidit (1-1), ndërkohë që të tretin e realizon për fanellën e Rapidit. “Debutim i lumtur i Salihit”, - theksonte “Kurier”. Salihi nuk e fshehu kënaqësinë: “Jam shumë i kënaqur. Por, perfekte do të ishte nëse unë vetëm pak minuta përpara përfundimit të takimit do të shënoja golin e dytë”.

NUHATJA E SALIHIT
Trajneri i Rapidit, Peter Pakult, në fakt nuk e hodhi Salihin në fushë nga minuta e parë, për shkak të disa problemeve të lehta të sulmuesit shqiptar. Hamdiu u rikthye në ekip me probleme muskulore nga ndeshje e Shqipërisë me Danimarkën. “Ishim në tehun e thikës nga ana e Salzburgut, pasi kishim lejuar shumë hapësira në fushë, për më tepër që Salihi kishte disa probleme të lehta”, - tha Pakult. Por njeriu që e kërkoi me ngulm ish-lojtarin e SV Ried në kryeqytetin austriak tha për agjencinë austriake të lajmeve, APA: “Me atë në fushë gjithmonë mund të llogaritësh diçka, ai ka një ‘hundë’ perfekte për situata të tilla”. Salihi e shënoi golin pikërisht mbi vijën e bardhë të portës. Vetë Salihi: “Një 0-2 për Salzburgun ishte me të vërtetë një situatë e vështirë. Por, ne treguam karakter dhe mund ta kishim fituar ndeshjen edhe 3-2”. Salihi goditi shtyllën në minutën e 93-të.

TRE GOLAT
Hamdi Salihi është një nga sulmuesit më të suksesshëm shqiptarë në kampionatet e ndryshme europiane. Shkodrani e nisi sezonin në mënyrë spektakolare kampionatin austriak, duke shënuar një gol me vlerë trepikësh në fitoren 1-0 të SV Ried kundër kampionëve të Austrisë, Red Bull Salzburg, të vlefshme për javën e dytë të Bundesligës 1. Shkodrani shënoi në minutën e 88-të me kokë, edhe pse ishte i sëmurë. “Kranker Salihi köpft den Meister k.o.”- “I sëmuri Salihi rrëzon me kokë kampionët”, ishte titulli ne faqen austriake Laola1.at. Nëntëdhjetë minuta përpara fillimit të takimit, trajneri i SV Ried, Paul Gludovatz, nuk ishte ende i bindur nëse duhet ta përfshinte lojtarin në 18-shen e takimit. Shkak ishin bajamet e Hamdiut ende të acaruara, ndërkohë që gjatë ditës së shtunë Salihi ishte i detyruar të merrte antibiotikë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është “specialist” për të shënuar ndaj ekipeve të mëdha austriake, pas golit të fitores kundër Salzburgut, Salihi shënoi golin e barazimit kundër Rapidit (1-1). Goli i tij i tretë ishte ky me fanellën e Rapidit dhe sërish kundër Salzburgut. Për momentin Salihi renditet i shtati në listën e golashënuesve, kryesojnë dy lojtarë të Lask Linz, Christian Mayrleb dhe Thomas Prager, me nga gjashtë gola. Te Rapidi i Vjenës, shënuesi më i mirë është Steffen Hofmann me 4 gola.

Haxhi debuton në kompeticionin e ëndrrave

Altin Haxhi ka rastin sot të bëjë debutimin e “ëndërruar”, atë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, kur Apoel Nikosia, klubi më i titulluar në Qipro, me 20 tituj kampionë dhe 19 Kupa, do të luajë të martën në “Vincente Calderon” kundër vendasve të Atletiko Madrid. Në fakt, Apoel Nikosia nuk ka ndonjë bilanc të mirë në kompeticionet europiane: 30 fitore në 102 takime, ku 50 prej tyre janë humbje e 22 barazime. Klubi qipriot, në të cilin militon futbollisti gjirokastrit, është themeluar në vitin 1926, dhe është i dyti pas Anorthosis Famagusta të Arjan Beqajt, që merr pjesë midis 32 të mirave të Europës në edicionin aktual.
Bashkë me Altin Haxhin do të “luajë” edhe Foto Strakosha, por legjenda e portës të Kombëtares shqiptare do të jetë në rolin e trajnerit të portierëve. Në fazën e play-ofit të Ligës së Kampioneve, Apoel Nikosia eliminoi skuadrën daneze, Kopenhagen, por më parë kishte hequr “qafe” edhe Partizanin e Beogradit. Sa për statistikë, vetëm katër lojtarë aktual të Apoel Nikosia kanë luajtur më parë në ndeshjet e Champions League: qiprioti Charalambides, portugezi Nuno Morais dhe grekët Christos Kontis e Dionisios Chiotis.

Gjashtë shqiptarë

Përsa i përket lojtarëve shqiptarë, të cilët janë aktivizuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve këta janë vetëm pesë: Lorik Cana me Olimpique Marseille (2 gola), Besart Berisha me Hamburg (1 gol), Besnik Hasi me Anderleht, Arjan Beqaj me Anorthosis Famagusta dhe Kliton Bozgo me Maribor (1 gol). Altin Haxhi është i gjashti.

Vllaznia e “sëmurë”, 2 humbje në 3 ndeshje

Duket si një traditë e re e krijuar te Vllaznia, 9-herë kampione e Shqipërisë. Dy humbje në tri ndeshjet e para, 3 pikë (1 gol i shënuar). Vllaznia e ka nisur si mos më keq sezonin 2009-2010, por gjithsesi jo më keq se në sezonin 2007-2008, kur në tri ndeshjet e para pësoi dy humbje e një barazim, vetëm 1 pikë (asnjë gol i shënuar). Në fakt, dy humbje në tri ndeshjet e para duket se është traditë te skuadra shkodrane, pasi edhe në sezonin 2005-2006, Vllaznia ka pësuar po dy të tilla. Të paktën nga statistikat e pesë sezoneve të fundit për tri javët e para, vetëm në sezonin 2008-2009, Vllaznia nuk ka pësuar humbje: dy fitore e një barazim me Tiranën, skuadër me të cilën ndau edhe vendet 1-2, me shkodranët nënkampionë e tiranasit kampionë. Super-starti i Vllaznisë i përket sezonit 2004-2005: 3 ndeshje, 3 fitore, 9 pikë, 10 gola të shënuar, nga këto tre gola Hamdi Salihi. Vllaznia e këtij sezoni duket së e kanë zënë para-ethet e gripit. Nënkampionët e Shqipërisë humbën me Besën (2-0, java 1) dhe Kastriotin (1-0, java 3). Mesa duket kuqeblutë, formacioni i vetëm shqiptar që mundi të kalojë një tur eliminator në Ligat e Europës, ende nuk e kanë marrë veten nga humba e dyfishtë me Rapidin e Vjenës, ku pësoi 8 gola në takime pa shënuar asnjë. Të vetmen fitore skuadra e drejtuar nga Hasan Lika ka fituar vetëm me Apoloninë 1-0: goli u shënua në minutën e 93-të nga Ilir Nallbani. Vetëm 1 gol ne 3 ndeshje, kjo nuk shkon për një klub si Vllaznia. Presidenti Valter Fushaj synon dy trofetë, por mesa duket...duhet të rinovojë objektivat.

SEZONI 2009-2010
Java 1: Besa-VLLAZNIA 2-0
Java 2: VLLAZNIA-Apolonia 1-0
Java 3: Kastrioti-VLLAZNIA 1-0
Bilanci: 3 ndeshje; 1 fitore, 0 barazime, 1 humbje. 3 pikë

SEZONI 2008-2009
Java 1: VLLAZNIA-Tirana 0-0
Java 2: Partizani-VLLAZNIA 1-2
Java 3: VLLAZNIA-Apolonia 3-1
Bilanci: 3 ndeshje; 2 fitore, 1 barazime, 0 humbje. 7 pikë

SEZONI 2007-2008
Java 1: Elbasani-VLLAZNIA 0-0
Java 2: VLLAZNIA-Dinamo 0-1
Java 3: Partizani-VLLAZNIA 1-0
Bilanci: 3 ndeshje; 0 fitore, 1 barazime, 2 humbje. 1 pikë

SEZONI 2006-2007
Java 1: VLLAZNIA-Luftëtari 1-0
Java 2: Besa-VLLAZNIA 1-1
Java 3: VLLAZNIA-Tirana 1-1
Bilanci: 3 ndeshje; 1 fitore, 2 barazime, 0 humbje. 5 pikë

SEZONI 2005-2006
Java 1: VLLAZNIA-Tirana 1-2
Java 2: Teuta-VLLAZNIA 3-0
Java 3: VLLAZNIA-Shkumbini 5-0
Bilanci: 3 ndeshje; 1 fitore, 0 barazime, 2 humbje. 3 pikë

SUPER-STARTI
SEZONI 2004-2005
Java 1: VLLAZNIA-Teuta 6-1
Java 2: Dinamo-VLLAZNIA 0-1
Java 3: VLLAZNIA-Egnatia 3-2
Bilanci: 3 ndeshje; 3 fitore, 0 barazime,0 humbje. 9 pikë

Tirana, në kërkim të formulës “gol”

Tirana vuan për të nxjerrë golin. Tri ndeshje, 3 gola. Shumë pak, kur mendon se ka luajtur dy ndeshje kundër të porsaardhurve nga Kategoria e Parë dhe dy prej tyre ne shtëpi. Trajneri kroat Ilija Lonçareviç duket se nuk e ka gati formulën e duhur për 24-herë kampionët. Blerja e re e bardhebluve, Arbër Abilaliaj, me dy golat e tij (kundër Flamurtarit e Gramozit) është dhe shpëtimtari i rekordmenëve shqiptarë. Golin e tretë e ka shënuar një portier... Blendi Nallbani, nga pika e 11-metërshit dhe... në minutën e 93-të. Në fakt, edhe sezonin e kaluar, Tirana kishte shënuar në 3-javë vetëm tre gola.

SEZONI 2009-2010
Java 1: TIRANA-FLAMURTARI 1-3
Shënues: Arbër Abilaliaj

Java 2: TIRANA-SKENDERBEU 1-0
Shënues:: Blendi Nallbani

Java 3: GRAMOZI-TIRANA 0-1
Shënues: Arbër Abilaliaj

Golat në 3 javët e para
5 sezonet e fundit

Sezoni 2008-2009: 3 gola
Sezoni 2008-2009: 3 gola
Sezoni 2007-2008: 4 gola
Sezoni 2006-2007: 10 gola
Sezoni 2005-2006: 4 gola

KATEGORIA SUPERIORE
Java 3, 13.09.2009, 16:30

Skënderbeu-Flamurtari 1-0
Besa-Laçi 1-0
Gramozi-Tirana 0-1
Kastrioti-Vllaznia 1-0
Apolonia-Shkumbini 1-0
Dinamo-Teuta 1-0

RENDITJA
1.Dinamo 3 9
2.Besa 3 9
3.Apolonia 3 6
4.Skënderbeu 3 6
5.Tirana 3 6
6.Teuta 3 3
7.Flamurtari 3 3
8.Vllaznia 3 3
9.Kastrioti 3 3
10.Gramozi 3 2
11.Laçi 3 1
12.Shkumbini 3 1

15 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›