E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samaras pas takimit me Venizelos: Ka shpresa për qeverinë

ATHINE - Pas takimit me kreun e PASOK, Evangelos Venizelos, Antonis Samaras vlerësoi se ka shpresë për të formuar një qeveri, diçka për të cilën, sipas tij, po lufton edhe Demokracia e Re. "Situata politike e bën të vështirë krijimin e një qeverie të qëndrueshme, por ne po luftojmë për të dhe ka ende shpresë", tha Samaras.

"Ne kemi paralajmëruar për rrezikun e mosqeverisjes. Problemi është se nuk ekziston kultura e bashkëpunimit, dhe për shkak se asnjë forcë tjetër nuk ka plan konkret, përpiqet të përfitojë nga kriza", tha Samaras para grupit parlamentar të ND. 

Kreu i konservatorëve theksoi dy kërkesat e partisë së tij; Greqia në Euro dhe rinegociimi i Memorandumit. Ai sqaroi pozicionin e ND duke thënë se kjo parti prej 2 vjetësh kërkon rinegociim të Memorandumit. "Dikush duhet të qëndrojë në rrugën e logjikës kombëtare dhe ND gjendet në rrugën e realizmit", tha Samaras, sipas të cilit, Greqia po hyn në një epokë të re dhe zgjedhjen do ta gjejnë ata që mund të tejkalojnë të djeshmen. “SYRIZA nuk ishte gati për përgjegjësitë e pushtetit”, tha ai duke e kritikuar për indiferentizëm dhe si shkaktare të çuarjes së vendit në zgjedhje, por shtoi se “jemi të përgatitur për një front të majtë antievropian”. Samaras tha se populizmi i PASOK nuk ndryshon aspak nga populizmi i SYRIZA, ndërsa Demokracia e re është shtylla e vetme e stabilitetit, dhe përfundoi fjalën e tij me sloganin “Së bashku do të kemi sukses”. 

Takimi me Samaras ishte i dyti i Venizelos, në përpjekjet e tij për krijimin e qeverisë. Dje, kryetari i PASOK, zhvilloi takimin e parë me Fotis Kouvelis, kryetari i DIMAR (E Majta Demokratike, me 19 vende në parlament), takim që e cilësoi një "hap pozitiv". Pas takimit, Kuvelis tha se kishte sugjeruar formimin e një qeverie, me mision të dyfishtë; për qëndrimin e vendit në BE dhe Euro dhe për ndryshimin e Memorandumit të masave. Kreu i PASOK e cilësoi këtë një propozim “identik” me propozimin e tij për një qeveri të unitetit kombëtar, që ka si qëllim Greqinë në euro.

Venizelos do të vazhdojë takimet në mbrëmje me kreun e SYRIZA, Aleksis Cipras, ndërsa kryetari i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos tha se nuk do t'i përgjigjet ftesës së Venizelos. Në rast të dështimit të negociatave të kreut të PASOK, është radha e Presidentit Papulias të bëjë një përpjekje “të minutës së fundit”, për të formuar një qeveri deri në zgjedhje. 

Dilema e presidentit

Nëse edhe Venizelos nuk do të ketë sukses me përpjekjet, ashtu si dhe paraardhësit e tij, i mbetet presidentit për të shqyrtuar personalisht mundësitë e një koalicioni gjithëpartiak. Për këtë qëllim, ai në bazë të Kushtetutës duhet të thërrasë këtë fundjavë ose më së shumti të hënën për konsultime kryetarët e partive. 

Kushtetuta greke nuk jep përgjigje të qartë për pyetjen, se cilët politikanë vijnë në konsideratë për këtë qëllim. Nëse Kushtetuta interpretohet me dorë të lirë, atëherë duhet të ftohen të gjithë liderët partiakë, të cilët kanë arritur të hyjnë në parlament. Kjo do të thotë se duhet të ftohet në negociata për qeverinë edhe neonazisti Nikolaos Mihaloliakos. 

Pikërisht presidentit grek Karolos Papulias, i cili luftoi 15 vjet në Luftën e Dytë Botërore kundër nazistëve, do t'i duhet të ulet në tryezë me një nacionalist ekstremist të deklaruar, i cili përshëndet ende si Hitleri.

Juristi i së Drejtës Kushtetuese Jorgos Sotirellis mendon se një skandal i tillë politik të mund të shmanget. "Arsyeja e vetme pse Kushtetuta nuk përmban një formulim konkret për këtë çështje është që kreut të shtetit t'i lihet liria më e gjerë e mundshme për të vepruar. Ai nuk është i detyruar të ftojë ose të mos ftojë politikanë të caktuar," thotë Sotirellis për "Ta Nean".

Nëse as ndërmjetësimi i presidentit nuk jep fryte, atëherë lëvizjet partiake politike të ditëve të fundit, do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në zgjedhje të reja.

Çfarë do të ofrojnë zgjedhjet e reja?

Sipas një sondazhi paszgjedhor, rezulton se në rast të përsëritjes së zgjedhjeve në Greqi, koalicioni i Majtë SYRIZA kalon forcë e parë me 128 vende në parlament. Pas saj del forcë e dytë Demokracia e Re me 57 vende dhe PASOK me 36 vende. 

Nëse këto rezultate pasqyrohen edhe në zgjedhjet, me shumë gjasë pas një muaji në Greqi, do të kemi një qeveri të majtë.

Lidhje te tjera Greqi, nëse përsëriten zgjedhjet, SYRIZA del forcë e parë Schauble kërcënon: Eurozona mund t'ia dalë dhe pa Greqinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›