Samardzic: Serbia e njohu Kosovën

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Slobodan Samardzic, ka thënë se Beogradi me marrëveshjen me Prishtinën rreth menaxhimit të integruar të kufijve e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Është bërë marrëveshje rreth kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, një marrëveshje përmes së cilës, Serbia definitivisht e pranon Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë Samardzic, i cili është njëri nga bashkëpunëtorët e kreut të Partisë Demokratike të Serbisë, Vojislav Kostunica.
Ai ka thënë se duhet të shikohet dokumenti dhe të mos u besohet as fjalëve të Presidentit Boris Tadic, e as atyre të kryenegociatorit Borislav Stefanovic.
“Të gjitha ato marrëveshje në lidhje me lirinë e lëvizjes dhe librave të regjistrave dhe atyre kadastrale, dhe tash rreth kufijve, janë marrëveshje kumulative për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur”, ka shtuar Samardzic.