S’jeni për Europë

Berlini zyrtar i ka dhënë goditjen përfundimtare përpjekjeve të Beogradit për ta marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian, në kohën kur mban kursin destruktiv në raport me Prishtinën.
Qëndrimi gjerman është artikuluar nga Kancelarja e këtij shteti të fuqishëm europian, Angela Merkel.
Kancelarja gjermane ka vlerësuar se Serbia në këtë moment nuk i plotëson kushtet për statusin e kandidatit për BE dhe i ka bërë thirrje Qeverisë serbe që të ndryshojë kursin.
“Në një periudhë afatgjatë, ne duam ta udhëheqim jo vetëm Serbinë, por edhe Kosovën drejt Bashkimit Europian, si dhe ta mbajmë Bashkimin Europian plotësisht funksional”, ka thënë Merkel gjatë fjalimit të saj të rëndësishëm para Parlamentit të Gjermanisë lidhur me të ardhmen e Bashkimit Europian, të premten.
Sipas saj, një gjë e tillë nënkupton se rruga e Serbisë drejt BE’së mund të realizohet vetëm nëse i normalizon marrëdhëniet me Kosovën.
Ajo ka përkujtuar se BE dhe Qeveria gjermane me kohë kanë formuluar pritjet e tyre dhe hapat konkretë.
“Bashkimi Europian dhe Qeveria gjermane kanë formuluar shumë herët pritjet e tyre në formën e hapave konkretë. Ndiej keqardhje që Serbia, deri më tash, nuk i ka përmbushur ashtu siç duhet këto pritje”, ka thënë Merkel.
Kancelarja gjermane ka dënuar edhe sulmin e serbëve ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR’it.
“Serbia gjithashtu akuzohet për kontributin që ka dhënë ditët e fundit në këtë atmosferë, në të cilën paqeruajtësit gjermanë në veri u sulmuan dhe u plagosën. Unë them se kjo është e papranueshme”, është shprehur Merkel.
Serbia shpreson që në samitin e BE’së, më 9 dhjetor, do të fitojë statusin e kandidatit për hyrje në Bashkimin Europian.
Dy ditë më parë, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, ka thënë se Serbia nuk mund të mbështesë dhunën ndaj ushtarëve të KFOR’it në veri të Kosovës e në të njëjtën kohë të llogarisë në statusin e vendit kandidat.
“Ngjarjet në veri të Kosovës gjithsesi do të jenë pjesë e diskutimit dhe ato nuk e bëjnë assesi të thjeshtë perspektivën evropiane të Serbisë, të cilën unë e shoh, e dëshiroj dhe e përkrah”, ka thënë Westervele.
Kryediplomati gjerman ka ftuar Serbinë që ta respektojë integritetin territorial të Kosovës.
“E them haptas pa ekuivoke: nëse Serbia nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës, ky atëherë është një kriter në marrjen e vendimeve tona gjermane”, ka shtuar Westerwelle.
Ushtarë gjermanë dhe austriakë të KFOR’it janë lënduar gjatë përleshjeve me bandat kriminale serbe, që ndodhen së fundi në veri.
Ndërkohë, për plagosjen e ushtarëve të KFOR’it është deklaruar edhe Vjena.
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, ka thënë se qëndrimi zyrtar i Vjenës për kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE do të varet nga hapat që do të ndërmarrë Beogradi gjatë ditëve të ardhshme për qetësimin e situatës në veri.
“Njëmbëdhjetë ushtarë të plagosur austriakë të KFOR’it kanë qenë temë bisede në mbledhjen e sotshme të shefave të diplomacisë së BE-së në Bruksel, citon REL Spindeleggerin.
Ai ka thënë se ka prezantuar qëndrimin e Austrisë, e cila pret që udhëheqja serbe, përveç dënimit të dhunës, të ndërmarrë hapa në drejtim të arrestimit dhe të dënimit të personave që kanë përdorur forcën kundër ushtarëve të KFOR-it.
“Kjo është ajo që kërkojmë në mënyrë që Serbia të ecë përpara drejt Bashkimit Europian”, tha Spindelegger.
Ai po ashtu ka thënë se këtë qëndrim ua ka përcjellë edhe ministrave të jashtëm të Kosovës dhe Serbisë.
“Do të presim dhe të shohim nëse gjatë ditëve të ardhshme do të ndërmerren hapa dhe në bazë të kësaj do të vendosim se a do ta mbështesim dhënien e statusit të kandidatit Serbisë”, ka paralajmëruar ai.