E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsërit vlerësimet

Hashim Thaçi u ka dhënë vlerësime pozitive anëtarëve të kabinetit qeveritar. Ka dhënë vlerësime se ministrat aktualë janë më të mirët në historinë e Kosovës. Natyrshëm, ai ka thënë se duhet punuar edhe më tepër. Vlerësime të përafërta pati dhënë edhe në kohën kur shkarkoi gjashtë ministra në Qeverinë e kaluar.

Kryeministri Hashim Thaçi ka përsëritur të premten vlerësimet pozitive për kabinetin qeveritar.

Njësojë sikur para se t’i shkarkonte nga postet ministrore Zenun Pajazitin, Arsim Bajramin dhe Idriz Vehapin, Kryeministri Thaçi ka vazhduar t’i lavdërojë vartësit e tij në Qeveri.

Për dallim prej herës së parë, kur anëtarët e kabinetin qeveritar i vlerësonte prej ministrave të pavarësisë, tash për udhëheqësit e ministrive aktuale konsideron se e kanë vendin në histori.

Për njerëzit që udhëheqin aktualisht ekzekutivin, Thaçi ka dhënë vlerësime se janë më të mirët dhe më cilësorët në historinë politike të Kosovës.

“Sa i përket Qeverisë, përsëri e theksoj, ky kabinet qeveritar është më i miri, më cilësori që ka pasur ndonjëherë Kosova në historinë e saj politike. Në këtë kabinet qeveritar kemi një gjeneratë të re, të njerëzve që qeverisin në Kosovë dhe të një mentaliteti të ri plotësisht perëndimor, modern, me vizionin për zhvillimin e Kosovës, për rend dhe ligj dhe për perspektivë evropiane”, ka thënë Thaji pas mbledhjes së Qeverisë.

Megjithëkëtë, Shefi i Ekzekutivit ka dërguar porosi te njerëzit që janë në krye të ministrive.

“Natyrisht mund të bëhet edhe më tepër dhe çdo ditë e më shumë gjithë ministrat po dëshmohen me punën e tyre”, ka deklaruar Thaçi.

Ndryshe, Shefi i Qeverisë ka thënë se secili ministër është duke kryer përgjegjësinë e vet në bazë të autoritetit dhe përgjegjësisë që i është besuar dhe se do të vijë koha kur do të bëhet vlerësimi i gjithë punës së Qeverisë, por edhe ministrave përkatës.

“Do të vijë koha për vlerësimin e të gjithë punës së Qeverisë, por edhe të ministrive përkatës”, ka paralajmëruar Thaçi.

Express ka raportuar të premten, duke u thirrur në burime brenda Qeverisë, se Kryeministri Hashim Thaçi pritet të largojë nga ekzekutivi deri në dy ministra të partisë së tij që kanë bazë të fortë elektorale.

Veç kësaj, nga Qeveria pritet të largohet edhe Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli, i cili pritet të nisë garën për President të Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›