Samir Mane, Konsull nderi i Tajlandës në Shqipëri

Samir Mane gjatë prezantimit të djeshëm
Tajlandezët: Biznesmen i suksesshëm, besojmë në aftësitë e tij promovuese.
Biznesmeni i sukses-shëm, Samir Mane është emëruar konsull nderi i Tajlandës në Shqipëri. Në aktivitetin e zhvilluar ditën e djeshme për këtë rast, përfaqësues të Mbretërisë së Tajlandës kanë argumentuar se pse Mane është emri i duhur për promovimin e vendit të tyre, si dhe për rritjen e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Tajlandës. Ata vlerësuan se askush nuk mund të shërbejë më mirë sesa një biznesmen i suksesshëm në aspektin e rilidhjes së marrëdhënieve dypalëshe mes Tajlandës dhe Shqipërisë. Jemi të lumtur që jemi për herë të parë në Shqipëri që nga stabilizimi i marrëdhënieve në vitin 1992. Sot shohim një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy shteteve dhe zoti Mane është ai që bekoi këtë nismë, do të shpreheshin në fjalën e tyre përshëndetëse përfaqësuesit tajlandezë. Ata detajuan se të gjithë shqiptarët që do të duan të vizitojnë Tajlandën për çfarëdolloj arsyeje, turizëm, biznes apo tjetër, do të mund të pajisen me viza në këtë konsullatë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin mbrëmjen e djeshme Kryeministri Sali Berisha, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ministri i Financave Ridvan Bode, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ambasadori i OSBE-së Eugen Volfarth dhe ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu.
Konsulli
Në fjalën e tij përshëndetëse, Samir Mane do të falënderonte Mbretërinë e Tajlandës për besimin e treguar ndaj tij dhe garantoi për mbarëvajtje dhe sukses të kësaj konsullate në Shqipëri. Mane vlerësoi se do të ketë në fokusin e tij si konsull krijimin e marrëdhënieve të drejtpërdrejta dypalëshe. Hapja e Konsullatës së Nderit të Tajlandës në Shqipëri në fokus të misionit të saj do të ketë pikërisht ndihmën dhe sigurimin e hapësirave për vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta njerëzore me qëllim fillimin e shtrimit të një rruge të gjatë bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe bashkëveprimi ndërmjet dy popujve. Kjo konsullatë nuk do të promovojë vetëm vlerat e paqes e tolerancës, qetësisë, mirësjelljes e ëmbëlsisë që karakterizojnë popullin tajlandez, por mbi të gjitha është një derë e hapur për të ndërtuar vlera të përbashkëta, mbi të cilat shqiptarët dhe tajlandezët mund të bashkohen në këtë epokë globalizimi, u shpreh Mane.