E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homoseksualët, PLL: Tani Berisha tu lejojë martesat

Ekrem Spahia

PLL i përgjigjet Kryeministrit: Ska të drejtë të na komentojë.

BE: Jemi të shqetësuar për deklaratat e Spahisë.

Në njoftimin e sekretarit të Përgjithshëm të PLL-së, Artan Tujani dhe nënkryetarit të kësaj partie, Sulejman Gjana, thuhet se pas deklarimit të djeshëm të Kryeministrit Berisha pro organizimit të paradës të LGBT-ve në Tiranë, nuk mbetet gjë tjetër veçse ai të materializojë edhe premtimin e tij të kahershëm për lejimin me ligj të martesave homoseksuale. Ndonëse këtë përkrahje ndaj LGBT-ve e kemi pritur të ndodhë prej ndonjë politikani tjetër, z. Berisha është në të drejtën e tij për të shprehur opinionin personal për këtë çështje, edhe pse shkon kundër vullnetit të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Sipas legalistëve, është Kryeministri ai që nuk duhet ti komentonte deklaratat e aleatëve. Por, Kryeministri Berisha tejkalon të drejtat e veta kur merr përsipër të komentojë qëndrimet e kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Ekrem Spahia. Ne kemi qëndrimet tona të pavarura e që burojnë prej programit të PLL. Ne asnjëherë nuk kemi komentuar qëndrimet e partive, fjalorin apo batutat e politikanëve të tjerë, sepse mendojmë se çdokush duhet të dijë të mbajë vendin që i takon. Po të ishte rasti për komente të tilla, dihet fare mirë se kush ka për të thënë më shumë, thuhet më tej në njoftimin e legalistëve.
Reagimi i BE
Bashkimi Europian shprehet i shqetësuar pas deklaratës së kreut të PLL-së, Ekrem Spahia, ndaj homoseksualëve. Në një deklaratë për mediat, Brukseli kujton se vendi ynë ka ratifikuar Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe ka miratuar në Parlament ligjin ndaj diskriminimit. Bashkimi Europian dënon me forcë çdo retorikë diskriminuese dhe nxitje për urrejtje dhe dhunë. Shqipëria ka ratifikuar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe ka aprovuar ligjin për mbrojtjen kundër diskriminimit. Lufta kundër diskriminimit, përfshirë diskriminimin e personave LGBT, është një ndër 12 prioritetet kyçe të Opinionit të 2010-ës, thuhet në deklaratën e BE-së. Sipas Brukselit, Shqipëria është angazhuar për të zbatuar Planin e Veprimit mbi këto dymbëdhjetë prioritete kyçe. Deklarata publike, si ajo e z. Spahia, janë në kundërshtim me zbatimin e politikave antidiskriminuese të përfshira në kapitullin 23 mbi të drejtat themelore dhe juridike, pjesë e legjislacionit të Bashkimit Europian.

Homoseksualët, Berisha: Spahia e teproi
Kryeministri Sali Berisha e quajti të tepruar gjuhën e përdorur pak ditë më parë nga kreu i PLL-së, Ekrem Spahia. Ndërsa aleatëve mund tu them se kanë përdorur ose kanë bërë deklarata të papranueshme. Reagimi i kryetarit të Partisë së Legalitetit ishte aspak përgjigje mbretërore, sepse edhe vetë janë parti e tolerancës dhe ata e kanë faktuar këtë. Ndaj ka qenë një teprim, se nuk mund të bëhet fjalë që njerëzit të mos mund të shprehin veten e tyre në këtë vend, në përputhje me ligjet  e vendit. Ky është qëndrimi ynë. Për të tjerat pastaj, secila parti ka platformën e vet. Por të themi atë që është, asnjë parti nuk ka dajakun platformë, u shpreh Kryeministri.

LGBT thërret tryezë diskutimi
Masa të ashpra për nxitësit e urrejtjes
Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri, Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT, Të Bashkuar Pro Kauzës LGBT do të mblidhen sot në një tryezë diskutimi pas deklaratave të fundit të kreut të PLL-së, Ekrem Spahia. Këto organizata përshëndetën dje deklaratën e Kryeministrit Berisha, i cili doli pro manifestimit të paralajmëruar. Në tryezë do të adresohen: rekomandime për përmirësime në Kodin Penal, ku fjalimet dhe nxitja e urrejtjes dhe krimet e lidhura me të, të ndëshkohen me masat më të rrepta që parashikon ligji; rekomandime për hapat që shoqëria civile dhe institucione duhet të ndërmarrin për të eliminuar nxitjen e urrejtjes si fenomen i rëndë përjashtues dhe dhunues ndaj të gjitha grupeve sociale në Shqipëri, thuhet në njoftimin për shtyp.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›