Samiti BE – Ballkani Perëndimor, që u zhvillua në Selanik të Greqisë mbylli sot punimet. Shqipëria u përfaqësua në këtë Samit nga një delegacion i nivelit të lartë. Në Samit, ku m
Samiti BE – Ballkani Perëndimor, që u zhvillua në Selanik të Greqisë mbylli sot punimet. Shqipëria u përfaqësua në këtë Samit nga një delegacion i nivelit të lartë.
Në Samit, ku merrnin pjesë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina si dhe Kroacia, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu dhe Kryeministri Fatos Nano kanë zhvilluar takime me drejtuesit e delegacioneve të vendeve të rajonit, pjesëmarrëse në Samit, si dhe me personalitete të njohura të politikës europiane.
Dy personalitetet e larta kanë takuar Presidentin e Greqisë Kostandinos Stefanopulos, Kryeministrin grek Kosta Simitis, Ministrin e Jashtën grek, Jorgo Papandreu, Kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Havier Solana, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson, Presidentin e Komisionit Europian, Romano Prodi, Presidentin francez Zhak Shirak, Kancelarin gjerman Helmud Shrëder, Ministrin e Jashtëm të Britanisë, Majk O'Brain, Kryeministrin turk Tayip Erdogan.
Në përfundim të punimeve, është miratuar edhe deklarata finale e këtij Samiti, ku Bashkimi Europian thekson përkrahjen e tij të qartë ndaj perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. "E ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Evropian", thuhet në deklaratë.
Në këtë deklaratë vendet e rajonit dhe përfaqësuesit e BE-së, njohin se Procesi i Stabilizimit dhe Asociimit (SAP) do të mbetet kuadri i drejtimit Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, deri në një anëtarësim të ardhshëm. "Proçesi dhe perspektivat që ofron proçesi, shërbejnë si spirancë për reformën në Ballkanin Perëndimor, ashtu siç ka ndodhur edhe me vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore. Progresi i secilit vend drejt BE-së, varet nga meritat e tij në përmbushjen e kritereve dhe kushteve të Kopenhagenit vendosur për proçesin e SAP dhe konfirmuar në deklaratën përfundimtare të Samitit të Zagrebit, nëntor 2000. Vendet e Ballkanit Perëndimor vlerësojnë së tepërmi mekanizmin e raportit vjetor të SAP-it, bazuar mbi raportet e Komisionit, dhe përkushtohen të zbatojnë rekomandimet e tij", thuhet në deklaratë.
Deklarata vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor mirëpresin vendimet e BE-së për të përforcuar politikën e Stabilizimit dhe Asociimit në rajon dhe ta pasurojnë atë me elementë nga përvoja e zgjerimit. Ata mirëpresin në mënyrë të vecantë fillimin e Partneriteteve Evropiane, si dhe vendimet për rritjen e bashkëpunimit në fushat e dialogut politik dhe Politikës së Përbashkët të Jashtme e të Sigurimit, bashkëpunimin Evropian, përkrahjen për ndërtimin e institucioneve dhe hapjen e programeve të Komunitetit.